2015-02-23 17:36:00

Myslimanët dhe hebrenjtë norvegjezë, zinxhir paqeje kundër terrorizmit


Myslimanë dhe hebrenj, dorë për dore, për të formuar një zinxhir paqeje përreth sinagogës së Oslos. Të shtunën, të rinjtë myslimanë vendosën të tregojnë haptas mbështetjen e tyre për bashkësinë hebraike të kryeqytetit të Norvegjisë, sidomos pas atentatit terrorist të Kopenhagenit. Më 15 shkurt, 22-vjeçari danez me origjinë palestineze, Omar El-Hussein, qëlloi me armë në një konferencë e pranë sinagogës, duke shkaktuar 2 të vdekur e 5 të plagosur.

Nisma u mor nga të rinjtë myslimanë

         “Duam të tregojmë se jemi përkrah popullit hebraik e duam ta mbrojmë – deklaroi për agjencitë e lajmeve, 26-vjeçari Atif Jamil, njëri nga organizatorët. Në Norvegji nuk duam ekstremistë, që mendojnë se mund të bëjnë ç’të duan me njerëzit… Ideja është t’u themi terroristëve dhe ekstremistëve se, nëse duan të godasin vëllezërit e motrat tona, duhet të kalojnë më parë sipër nesh”, nënvizoi Atif Jamil, i cili ftoi edhe besimtarët e feve të tjera të bashkohen me protestën.

Vlerësimi i hebrenjve për myslimanët

         Edhe bashkësia hebraike, duke falenderuar të rinjtë myslimanë, e komentoi nismën si shenjë solidariteti, por edhe si sinjal që shoqëria të mos i etiketojë të gjithë myslimanët si terroristë, si edhe të ulë tensionet me bashkësinë hebraike. Sipas organizatorëve, në zinxhirin e paqes morën pjesë rreth 2 mijë vetë, por shumë të tjerë erdhën për të parë.

Prania e myslimanëve në Norvegji

         Bashkësia hebraike e Norvegjisë është një nga më të voglat e Evropës, me rreth njëmijë besimtarë, ndërsa popullsia myslimane është e përbërë nga 150-200 mijë vetë. Kujtojmë se në vitin 2006, sinagoga e Oslos u sulmua nga islamisti Arfan Bhatti, dënuar për këtë agresion. Debati mbi emigracionin në Norvegji është shtuar që kur ekstremisti Anders Behring Breivik vrau 77 vetë në vitin 2011 për të ndalur emigracionin mysliman. Pas kësaj masakre, përkrahja për emigracionin është rritur. 77% e norvegjezëve mendojnë se emigrantët japin një kontribut të rëndësishëm në shoqëri.








All the contents on this site are copyrighted ©.