2015-02-23 19:16:00

Gjeografia e Elisë profet në ushtrimet shpirtërore të Kuries Romake


Papa Françesku ndodhet që dje pasdite në Ariccia, në shtëpinë e Mësuesit Hyjnor, të rregulltarëve paolinë, ku merr pjesë në ushtrimet shpirtërore të Kreshëmve, së bashku me kardinajtë e Kuries Romake. Predikatari i tyre është atë Bruno Sekondin, karmelitan, i cili po propozon një interpretim baritor të Elisë profet, duke u bazuar në temën e sivjetme: “Shërbëtorë e profetë të Zotit të gjallë”. Që dje, në orën 18.00, pas adhurimit eukaristik e kremtimit të Mbrëmësores, atë Sekondin mbajti predkun e parë mbi ftesën për të dalë nga ambienti personal, apo nga “fshati”, siç thoshte tema.

Sot, predikimi i paradites kishte në qendër temën “Shko drejt Lindjes, fshihu: kthimi tek rrënjët”. Ashtu si Elia profet, komentoi predikatari, duhet të mësojmë të jetojmë në periferi. Atë Sekondin u nis nga ngjarjet e profetit, që tregohen në Librin e Mbretërve (17,1-17), e sugjeroi disa pyetje për rrëmimin personal të ndërgjegjes, në mënyrë që ushtrimet shpirtërore të përjetohen si zhytje e plotë në Fjalën e Zotit.

Ai sqaroi se nuk ka ndërmend të ndjekë rendin kronologjik në meditimet e tij, por ashtu si në Shkrimin Shenjt, të ecë me “skenarë të mëdhenj”, duke interpretuar ngjarjet e Elisë profet nga pikpamja baritore. Elia është gjithnjë në lëvizje drejt shumë fronteve, drejt qendrave të pushtetit, por edhe drejt periferive. “Gjeografia” e lëvizjeve të tij flet vetë, nënvizoi atë Sekondin. Fjala është për “periferitë, kufijtë gjeografikë dhe ekzistencialë”, për problemet e brendshme, pasi Elia vetë ishte i brishtë dhe i cënueshëm.

Për ta kuptuar mirë misionin e profetit duhet të kemi parasysh kuadrin historik. Elia e kishte origjinën nga një zonë periferike, ku njerëzit ndiqnin fenë tradicionale e nuk kishin shumë mirëqënie. Zemërimi i tij, reagimi i tij i fuqishëm, shpjegoi predikatari, vijnë ngaqë sheh qartë shthurjen fetare e shoqërore, krijuar nga skenarët e rinj në sistemin tregtar, ushtarak e bujqësor të Izraelit. Risi, që vërtet sollën mirëqënie, por edhe pështjellim, humbje identiteti e konfuzion moral e fetar. Kështu, Zoti i vërtetë konsiderohej i tillë vetëm për “njerëz të prapambetur”. Këndej vjen reagimi i ashpër i Elisë, që kërcënon, por pa qenë i dërguar prej Hyjit.

Kështu, Hyji e ngre zërin, duke e urdhëruar Elinë të ikë. Në të vërtetë, kujtoi atë Sekondin, puna është që Elia të mos e zëvendësojë Zotin, por të udhëhiqet nga Fjala e Tij, duke e dëgjuar e duke u bindur, duke e lënë Zotin të jetë Hyji i tij. Ai i urdhëron të distancohet nga të tjerët, të shkojë kundër rrymës, të jetojë në vetmi për ta pastruar shpirtin, të gjejë rrënjët e veta, pra, arsyet e besnikërisë së tij ndaj Atit Qiellor. Kur Elia bën si i thotë mendja e vet përfundon gjithnjë keq, ndërsa kur lëviz me Fjalën e Hyjit, avënturat e tij janë autentike. Takimi me vejushën e Sariptës i kujton për shembull, se edhe të varfërit na ungjillëzojnë. Zoti i kërkon Elisë të mesojë t’i bindet e ta lerë Atë të veprojë. E Hyji, theksoi atë Sekondin, “flet pak e nën zë”, prandaj për ta dëgjuar, duhen lënë mënjanë fjalët e tepërta.

Në përfundim të meditimit, atë Sekondin, duke u nisur nga sjellja e Elisë profet, propozoi disa pyetje për rrëmimin e ndërgjegjes: a e kam humbur ndonjëherë durimin? A kam folur qartë, apo mërmëris duke shtuar thashethemet? A jetoj thjeshtë e qetë, apo tundohem nga harxhimet e kota për gjërat që më rrethojnë, për veshjen? A e ruaj gëzimin e freskinë e dashurisë së parë, apo është shuar gjithçka? A e njoh jetën e periferisë, apo më pëlqen të rri në qendër, aty ku ka vëmendje e ndere? A kam besim në Provaninë Hyjnore, apo jam fanatik i programimit dhe i rezultatit? E së fundi, si është feja ime, shkëmb i ngulur në Zotin e gjallë, apo sinkretiste, ku hyn gjithçka e asgjë?








All the contents on this site are copyrighted ©.