2015-02-20 15:47:21

Shtatë mijë, të krishterët e persekutuar çdo vit


Në botë, 80% e njerëzve të mbytur për shkak të fesë së tyre, janë të krishterë. Për këtë persekutim të përditshëm u fol në takimin “Do t’ju persekutojnë edhe ju. Njerëz, drama, perspektiva”, që u mbajt dje, në Romë. Kuvëndimi u organizua nga shoqata pa qëllim fitimi “Integra”, që merret me strehimin e emigrantëve, në bashkëpunim me Dhomën e deputetëve.
Sipas të dhënave statistikore, çdo vit të paktën 7 mijë të krishterë në botë, vdesin për të mos e mohuar besojmën e tyre. Masakrës së fundit, asaj të 21 koptëve, vrarë në Libi nga Shteti Islamik, i shtohet persekutimi në Nigeri, nga Boko Haram dhe situata e vështirë në Pakistan. Imzot Lorenzo Leuzzi, ipeshkëv-ndihmës i Romës, pohon:
“Jemi përballë një bote të globalizuar, që nuk është kuptuar ende. Atëhere lind pyetja: a ka të bëjë kristianizmi me globalizimin? Unë besoj se po. Duhen mobilizuar forcat intelektuale për të reflektuar si mund t’i shërbejë krishterimi botës së globalizuar e a ekziston një mundësi e tillë, duke shmangur rrezikun që t’i nështrohet persekutimit, përballë të cilit nuk mund të bëjmë tjetër, veçse të japim dëshminë tonë, dëshmi gjaku, gjurmë gjaku, që vijojnë të duken vazhdimisht në rrugën e historisë së njerëzimit,
Në Veri të Irakut, kryesisht në Mosul e në Erbil, më se 100 mijë të krishterë u dëbuan nga shtëpitë e tyre e jetojnë si refugjatë, së bashku me pakicat e persekutuara nga ana e të ashtuquajturit Shtet Islamik.
Atë Bernardo Cervellera, drejtori i Asianews, pohon:
“Janë njerëz, që kanë humbur gjithçka, që kanë ikur nga shtëpitë, kanë lënë punë e strehë për shkakun e fesë. Po të ktheheshin në Isalm, do të mund të qëndronin qetë- qetë në vatrat e tyre, në punën e tyre, me familjet, pa u prekur nga askush, madje të mbrojtur... Po ata parapëlqyen të ruajnë fenë e të braktisin gjithçka tjetër, që kishin krijuar me djersën e një jete të tërë. Ikën e tani jetojnë në mjerim të plotë, si refugjatë. E vetmja gjë, që i mban gjallë, është feja e krishterë. Kisha katolike po i ndihmon si të krishterët, ashtu edhe myslimanët e jazidët, pikërisht që të mund të shpëtojnë nga kjo situatë kaq e parrëfyeshme, kjo tragjedi, së cilës nuk po duket fundi”.

Në këto vende Kisha ka një rol themelor ndihme e dëshmie. E për këtë, mjaftojnë shembuj, si ai i imzot Martinelli-t, mëkëmbës apostolik në Tripoli, që, duke qenë i vetëdijshëm se po rrezikon jetën, së bashku me katër priftërinjtë e gjashtë rregulltaret, që jetojnë me të, vendosi të qëndrojë në vend. Për këtë, në takimin e Romës, foli Alfredo Mantovani, gjykatës, anëtar i Besëlidhjes katolike:
“Shpesh herë dëgjojmë të thuhet: Kisha arrin gjithnjë vonë. E kjo nuk është e vërtetë, gati kurrë. Por nuk është e vërtetë sidomos në Libi, në Siri, në Irak, në Palestinë, ku sot të krishterët pësojnë persekutimet më mizore, pikërisht sepse jetojnë në vendet, prej nga u nis predikimi apostolik. Atje Kisha arriti e para e jo vetëm që arriti e para, por në një kohë kur të gjithë ia mbathin këmbëve, e me arsye, duke parë gjendjen. Kisha mbetet atje, ku të jesh i krishterë është e vetmja arsye, që të çon nën varcakun e kasapit.
Siç ka thënë edhe Papa Françesku, koptët e Libisë u mbytën vetëm sepse dëshmonin Krishtin. E pra, roli i të krishterëve në këto vise do të ishte tepër i çmuar për integrimin e dialogun: Akoma, atë Cervellera:
“Të krishterët janë një lloj ngjitësi, nga që ngulmimi mbi dinjitetin e njeriut i shtyn të dialogojnë si me myslimanët sunnitë, ashtu edhe me shiitët, me jazidët, me drusët etj. etj., prej këndej, të krishterët janë vërtet element, që krijon kushte për integrim në këto vende.







All the contents on this site are copyrighted ©.