2015-02-20 14:25:02

Françesku: të mos përdoret kurrë Zoti për të mbuluar padrejtësinë


Të krishterët, posaçërisht në Kohën e Kreshmëve, janë të thirrur ta jetojnë vërtetësisht dashurinë për Zotin e për të afërmin. Është një nga porositë kryesore të homelisë së Françeskut, mbajtur në Meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës. Papa u tërhoqi, kështu, vëmendjen atyre, që e ndihmojnë Kishën, e pastaj sillen padrejtësisht me vartësit e tyre. RealAudioMP3
Populli ankohet para syve të Zotit, pse nuk i ia vë veshin agjërimit. Papa e shtjelloi meditimin e tij duke u nisur nga fragmenti i Izaisë, në Leximin e parë. E menjëherë nënvizoi se duhet bërë dallim ndërmjet sjelljeve formale, e atyre reale. Për Zotin, vërejti, nuk ka rëndësi të dorës së parë agjërimi, heqja dorë nga ngrënia e mishit, që pasohet, pastaj, nga grindja me punëtorët e nga shfrytëzimi i tyre. Ja pse Jezusi i dënoi farizenjtë, sepse shikonin më shumë sjelljet e jashtme, por pa vërtetësi në zemër.
Dashuria për Zotin e për njeriun janë të pandashme, të bëhet pendesë e vërtetë
Agjërimi që do Jezusi, është ai që copton zinxhirët e padrejtësisë, që çliron të shtypurit, vesh të zhveshurit, mbron drejtësinë. Ky, tha Papa, është agjërim i vërtetë, agjërim, që nuk është thjesht sjellje e jashtme. Është agjërim, që gurron nga zemra.
“Në rrasat e ligjit është ligji i dashurisë për Zotin e ligji i dashurisë për të afërmin: të dy shkojnë bashkë. E nuk mund të them: ‘Po unë u bindem tre urdhërimeve të para… e të tjerëve, pak a shumë! Jo! Janë një gjë e vetme, nuk mund t’i bindesh njërit e të mos i bindesh tjetrit. Dashuria për Zotin e për të afërmin janë një gjë e vetme, e nëse ti dëshiron të bësh pendesë, të vërtetë, jo formale, duhet ta bësh para Zotit e para vëllait, të afërmit”.
Mëkat shumë i rëndë ta përdorësh Zotin për të mbuluar padrejtësinë
Mund të kesh shumë fe, vijoi, por, siç na e kujton Shën Jaku Apostull, nëse nuk bën vepra, feja jote është e vdekur, nuk i duhet gjë kujt. Kështu, në se ndokush shkon në Meshë çdo të diel e edhe kungohet, mund ta pyesim: “E si i ke marrëdhëniet me vartësit e tu? I paguan në të zezë? Apo i paguan me drejtësi? Duke u siguruar edhe pensionin? E edhe mbrojtjen e shëndetit?”:
“Sa e sa burra e gra kanë fe, por i ndajnë rrasat e ligjit: ‘Po, po, unë e bëj këtë’- ‘Po ti, a jep lëmoshë?’. Po, po, sigurisht, çoj nganjëherë një çek në Kishë. ‘Epo mirë. Po në Kishën tënde, në shtëpinë tënde, me ata, që varen nga ti, qofshin bij, gjysha, punëtorë, a je bujar, i drejtë? Ti nuk mund t’i japësh Kishës një lëmoshë, e cila peshon mbi shpatullat e padrejtësisë, që u bën vartësve të tu. Ky është mëkat i rëndë: kjo do të thotë ta përdorësh Zotin, për të mbuluar padrejtësinë tënde”.
E këtë, vijoi, e kuptojmë përmes Izaisë profet: “Nuk është i krishterë i vërtetë ai, i cili nuk sillet me drejtësi ndaj njerëzve, që varen prej tij. E nuk është i krishterë i mirë, shtoi, as ai, që nuk heq dorë nga ndonjë gjë e nevojshme, për t’ia dhënë atij, që ka më shumë nevojë”. Udha e Kreshmëve, theksoi akoma, është pikërisht kjo, e dyfishtë: për Zotin e për të afëmin: është reale, jo thjesht formale. Nuk ka të bëjë me ngrënien a mosngrënien e mishit vetëm të premten, as me ndonjë vepër të vogël mëshire, pasuar, pastaj, nga egoizmi, shfrytëzimi i të afërmit, mospërfillja e të varfërve. Ka nga ata që, vijoi Papa, kur kanë nevojë të mjekohen, shkojnë në spital e, nëse e kanë sigurimin shoqëror, vizitohen menjëherë. E kjo është gjë e mirë. Po, më thuaj, ata që nuk kanë këtë mbështetje shoqërore, si trajtohen? Atyre u duhet të presin 6, 7, 8 orë edhe për një gjë tejet urgjente.
Për Kreshëm, t’i bëjmë vend në zemër edhe atij, që ka gabuar
Ka njerëz, këtu, në Romë, vërejti Ati i Shenjtë, që jetojnë kështu e Kreshmët na nxisin të mendojmë për ta: ç’mund të bëj për fëmijët, për të moshuarit, që nuk kanë mundësi të vizitohen nga mjeku? Që mund të presin tetë orë e pastaj u krijohet mundësia të vizitohen pas një jave? Çfarë bën ti për këta njerëz? Si do të jenë Kreshmët tuaja? - pyet Françesku. “Faleminderit Zotit, unë kam një familje, që i zbaton Urdhërimet, nuk kemi probleme… “Por, në këto Kreshmë, kujtoi Françesku, në zemrën tënde a ka vend për ata, që nuk i jetojnë urdhërimet e Tënzot? Që kanë gabuar e janë në burg?”:
“Po unë me këta njerëz nuk kam….’ – ‘Po ai është në burg: ndërsa ti, jo sepse Zoti të ndihmoi të mos rrëzohesh. A kanë vend në zemrën tënde të burgosurit? A lutesh për ta, që Zoti t’i ndihmojë të ndërrojnë jetë?’. “Na shoqëro, o Zot, në udhën tonë kreshmore, që sjellja jonë e jashtme të përkojë me përtëritjen e thellë të shpirtit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.