2015-02-18 12:49:41

Thirrje e Papës për paqe në Lindjen e Mesme, Afrikën Veriore e Ukrainë


Në audiencën e përgjithshme Papa bëri thirrje për Lindjen e Mesme, Afrikën Veriore e Ukrainën. Thirrja e parë u nis prej masakrës së koptëve egjiptianë nga ana e xhihadistëve të të ashtuquajturit Shtet Islamik:
“Dëshiroj të ftoj përsëri për t’u lutur për vëllezërit tanë egjiptianë të cilët, tri ditë më parë, u vranë në Libi vetëm pse ishin të krishterë. Zoti i pranoftë në shtëpinë e tij e u dhëntë ngushëllim familjeve e bashkësive të tyre. Të lutemi edhe për paqen në Lindjen e Mesme e në Veri të Afrikës, duke kujtuar gjithë të vdekurit, të plagosurit e refugjatët. Uroj që bashkësia ndërkombëtare ta zgjidhë me rrugë paqësore situatën në Libi”
Duke u drejtuar, pastaj përshëndetjen e tij shtegtarëve të gjuhës arabe, posaçërisht atyre që kishin ardhur nga Toka Shenjte, Iraku e Lindja e Mesme, Papa tha:
“Jezusi, me mishërimin e tij, ndriçoi përvojën e vëllazërisë njerëzore, duke i hapur horizontet për ta mirëpritur çdo njeri, posaçërisht më të varfrit e më nevojtarët. Ai krijoi frymën e vëllazërisë, që kapërcen çdo pengesë ngjyre, gjuhe e kulture, për t’i përqafuar të gjithë njerëzit, kur na mësoi t’i drejtohemi Hyjit, duke e quajtur ‘Ati ynë’! Zoti ju bekoftë e ju mbrojtët të gjithë nga i keqi”.
Së fundi, duke përshëndetur ipeshkvijtë e Ukrainës, këto ditë në Vatikan për vizitën e tyre “ad Limina Apostolorum” si dhe shtegtarët e dioqezave, që i shoqërojnë, kujtoi:
“Vëllezër e motra, e di se ndërmjet shumë ndjeteve, që sillni tek Varret e Apostujve, është edhe lutja për paqe në Ukrainë. E kam në zemër të njëjtën dëshirë e bashkohem me lutjen tuaj, që të vijë sa më parë paqja e qëndrueshme në atdheun tuaj. Zoti ju bekoftë!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.