2015-02-18 09:54:48

Mesazhi i Papës për DBR-në 2015 me temë: “Lum ata, që janë të pastër në zemër”


“Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse do të shohin Hyjin”. Është kjo, tema e Ditës së ardhshme botërore të Rinisë, që do të kremtohet të Dielën e Larit në nivel dioqezan, etapë e udhës drejt takimit botëror të korrikut 2016, në Krakov. Në mesazh Papa kujton se në Krishtin përmbushet plotësisht ëndrra e njeriut për lumturi e i fton të rinjtë ta ruajnë zemrën të pastërt, të mos e banalizojnë dashurinë: “Ju ftoj të shkoni kundër rrymës, shkruan, duke u rebeluar kundër kulturës së sotme, që merret me gjëra kalimtare e nuk ka besim në aftësinë tuaj për të dashur me të vërtetë, me gjithë zemër”.

Udhë drejt Krakovit, së cilës i prin “Predikimi mbi Mal” i Jezusit, ku duket nëntë herë fjala “Lum”, domethënë, i lumtur. E pikërisht nga kërkimi i përhershëm i lumturisë, niset edhe reflektimi i Papës, që kujton se është vetë Zoti ai, që e vuri në zemrën e njeriut këtë dëshirë e cila, në kapitujt e parë të Librit të Zanafillës përshkruhet si “bashkim i përsosur me Hyjin, me të tjerët, me natyrën e me vetveten”.
Në Krishtin përmbushen plotësisht ëndrrat për mirësi e lumturi
Por pastaj mëkati hyn në histori dhe e njollos pastërtinë e zanafillës: “Që nga ky çast e tutje, shkruan Papa, nuk është e mundur më hyrja e drejtpërdrejtë në praninë e Zotit. ‘Busola’ shpirtërore, që u printe njerëzve në kërkimin e lumturisë, e humbet pikëmbështetjen e vet e zemra njerëzore nis të pushtohet nga trishtimi e nga ankthi. Britmës së njerëzimit për ndihmë, Ati i përgjigjet duke dërguar Birin e vetëm, që hap horizonte të reja. E kështu, në Krishtin, të dashur të rinj, shkruhet në mesazh, gjindet përmushja e plotë e ëndrrave tuaja për mirësi e lumturi. Vetëm ai mund t’i plotësojë dëshirat tuaja, tepër shpesh të zhgënjyera nga premtime të rreme”.
Ta ruajmë pastërtinë e zemrave tona e të marrëdhënieve tona
Papa shpjegon më pas, kuptimin e zemrës, qendër e ndjenjave dhe e mendimeve, si edhe të fjalës “i pastër, i kulluar, i lirë nga lëndët e ndotëse, që të molepsin”. “Fakt i brendshëm, pra, jo i jashtëm. Që ka të bëjë posaçërisht me fushën e marrëdhënieve tona”. E Françesku flet për ekologji njerëzore, duke sqaruar: nëse është e nevojshme të tregohemi të vëmendshëm në ruajtjen e gjithësisë, aq më tepër duhet ta ruajmë pastërtinë e gjërave më të çmuara: “zemrës sonë e marrëdhënieve tona” e sidomos, marrëdhënieve me Hyjin, ndjesinë e pazëvendësueshme, që na siguron se Zoti nuk na i ndan sytë, sepse na do”.
Mos e banalizoni dashurinë
Papa vëren, më pas, se në kohën e rinisë nis e çel dëshira e thellë për dashuri të vërtetë, të bukur e të madhe. Prej këndej, ftesa drejtuar të rinjve të mos lejojnë që kjo vlerë e çmuar të tjetërsohet, të shkatërrohet ose të përçudnohet, e edhe thirrja që të rebelohen kundër prirjes së përhapur për ta banalizuar dashurinë, duke e kufizuar vetëm në aspektin seksual e duke e shkëputur nga karakteristikat e saj themelore: bukuria, bashkimi, besnikëria e përgjegjësia. “Ju kërkoj, vijon Papa, duke iu drejtuar të rinjve, të jeni revolucionarë, të shkoni kundër rrymës; po, në këtë drejtim ju dua rebelë, rebelë kundër kësaj kulture, që vlerëson vetëm sendet kalimtare e që në fund të fundit, beson se ju nuk jeni të aftë të merrni mbi vete përgjegjësitë, që ju takojnë; beson se nuk jeni në gjendje të doni me të vërtetë. Unë kam besim tek ju, lutem për ju!”.
Kërkojeni Zotin me lutje, lexim të Ungjillit e dashuri ndaj vëllezërve
“Kërkojeni fytyrën time!”, na fton Zoti. Po si mund ta kërkojmë? Françesku tregon tri rrugë: para së gjithash, rrugën e lutjes. E shkruan: “Prandaj po ju pyes: ‘A luteni? A e dini se me Jezusin e me Atin mund të flisni përmes Shpirtit Shenjt, ashtu si flitet me një mik?”. E, pastaj, vjen leximi i përditshëm i Ungjillit dhe dashuria ndaj vëllezërve, posaçërisht atyre, që janë më të harruar. Në këtë mënyrë mund ta njohim praninë e tij në historinë tonë e të zbulojmë projektin e Zotit për secilin nga ne. Pyeteni Zotin me zemër të pastër e mos kini frikë nga ajo që mund t’ju kërkojë! Duke nisur nga “po”-ja juaj ndaj thirrjes për t’u bërë farë të reja shprese në Kishë e në shoqëri. Mos harroni, vullneti i Hyjit, është lumturia jonë.
Udha drejt Krakovit
Në përfundim Françesku shpreh mirënjohjen ndaj Shën Gjon Palit II që, gati 30 vjet më parë, themeloi në Kishë Ditët Botërore të Rinisë, nismë providenciale e profetike. Më pas falënderimi lartuar Zotit për frytet që ka sjellë kjo Ditë në jetën e shumë të rinjve, nga të katër anët e Planetit. Papa Shenjt, Pajtor i DBR-ve, ndërmjetësoftë për shtegtimin tonë, përfundon Mesazhi i Papës që, nga e Diela e Larit 2015, hap udhën për tubimin vigan të mbarë Rinisë Botërore, Krakov 2016!







All the contents on this site are copyrighted ©.