2015-02-18 15:38:42

Françesku: në botë të jetojmë si vëllezër, përndryshe do të ketë urrejtje e mure


Pa vëllazërinë bota mbetet gjithnjë tokë përçarjesh e luftërash. Të krishterët duhet të jenë shembull për t’u treguar të gjithëve ç’do të thotë ta duash me gjithë zemër vëllain a motrën. Me këto porosi Papa Françesku i shtoi një kapitull të ri katekizmit të tij kushtuar familjes, duke kryesuar sot audiencën e përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit, në praninë e mijëra shtegtarëve e besimtarëve.
Dashuria për vëllezërit, ashtu si urrejtja, janë ndjenja që bashkëjetojnë paralelisht qysh në agim të kohës. Epërsia e njërës a e tjetrës mund ta bëjnë botën familje të vetme e familjen, oazë paqeje, ose shkretëtirë e luftë e mure. E kuptoi mirë këtë Kaini, kur njollosi duart me gjakun e Abelit. E dinë fare mirë edhe kainat e sotëm, që masakrojnë Abelat e pambrojtur, deri ata që kanë të njëjtin gjak:
“E dimë se kur lidhja vëllazërore këputet, kur këputet kjo lidhje ndërmjet vëllezërve, i hapet rruga përvojave të dhimbshme të konfliktit, tradhtisë, mllefit. Rrëfimi biblik i Kainit e Abelit është shembull i qartë i këtij fundi tragjik. Pas vrasjes së Abelit, Hyji e pyet Kainin: ‘Ku është Abeli, yt vëlla?’. Është një pyetje, që Zoti vijon ta përsërisë në çdo brezni”.
Në kraharorin e së njëjtës nënë
Papa nisi të shfletojë, kështu, para besimtarëve, kapitullin e vëllazërisë, në mjediset shtëpiake e në ato ndërkombëtare. Për krishterimin, vijoi, vëllazëria është e bukur dhe kuptohet përtej lidhjeve të gjakut:
“Vëllazëria është gjë e madhe. Nuk mund të mos mendosh se të gjithë vëllezërit banuan për nëntë muaj në kraharorin e një nëne, se janë mish e gjak, nga mishi e gjaku i një nëne. E nuk mund të këputet kjo lidhje vëllazërie. E pra edhe këputet. Të gjithë njohim familje, që kanë vëllezër të ndarë, vëllezër, që grinden. Të mendojmë e t’i lutemi Zotit për këto familje, e ndoshta edhe për familjen tonë, që të na ndihmojë t’i ribashkojmë vëllezërit, ta ndërtojmë përsëri familjen”.
Vëllezër në familje, vëllezër në botë
Në kujdesin, në durimin, në dashurinë me të cilën, për shembull, e rrethon familja një vëlla a një motër të ligshtë, me aftësi ndoshta të kufizuara, Papa shikon fanarin, që e bën të ndriçojë vlerën e vëllazërisë:
“Lidhja vëllazërore ndërmjet fëmijëve në familje, nëse krijohet në atmosferën e zemrës së hapur, është shkollë e madhe e lirisë dhe e paqes. Në familje, ndërmjet vëllezërve, mësohet bashkëjetesa njerëzore, mësohet si duhet jetuar bashkë në gjirin e shoqërisë. Ndoshta jo gjithnjë jemi të vetëdijshëm, por është pikërisht familja ajo, që e përhap frymën e vëllazërimit në botë”.
Liria pa vëllazëri është individualiste
Françesku e zgjeroi reflektimin në formë rrathësh koncentrikë, duke u ndaluar tek aftësia e dashurisë vëllazërore për t’i kapërcyer të gjitha pengesat e gjuhës, kulturës, fesë:
“Mendoni ç’mund të bëhet lidhja mes njerëzve, edhe tejet të ndryshëm ndërmjet tyre, kur mund t’i thonë tjetrit: ‘Eh, këtë e kam si vëlla, këtë, si motër! E bukur kjo, e bukur! Historia e dëshmon shpesh se edhe liria e barazia, pa vëllazërinë, mund të mbushen me individualizëm e konformizëm, e edhe me interesa”.
Vëllai im, i varfri
Sot, më shumë se kurrë, pohoi Papa Françesku, është e nevojshme ta vëmë përsëri vëllazërinë në qendër të shoqërisë teknokratike e burokratike. E balsamin për këtë, na e jep ‘vëllazëria e krishterë’, që di ta dojë të panjohurin, si ta kishte vëlla e, në mënyrë të posaçme, nëse i panjohuri është i varfër e i padukshëm:
“Më të vegjlit, më të ligshtit, më të varfrit duhet të na mallëngjejnë: kanë të drejtë të na e pushtojnë shpirt e zemër. Po, ata janë vëllezërit tanë e, si të tillë duhet t’i duam e t’i trajtojmë. Kur ndodh kjo, kur të varfrit janë si të shtëpisë, vetë vëllazëria jonë e krishterë merr jetë. E kjo, sepse të krishterët nuk shkojnë tek të varfrit e të ligshtit për interes të ndonjë programi ideologjik, por sepse fjala dhe shembulli i Zotit, na kujtojnë se janë tanët, se jemi vëllezër”.
Në përfundim të audiencës, përshëndetjet e shumta, për shtegtarët e shumtë.
Një përshëndetje të posaçme Papa u drejtoi besimtarëve të ardhur nga Sllovakia ku, një javë më parë, u mbajt referendumi në mbrojtje të familjes tradicionale. Papa i quajti “Mbrojtës të mirë të familjes”
Duke përshëndetur, më pas, delegatët e lëvizjeve e të shoqatave të besimtarëve laikë, Françesku u kujtoi fjalët e Shën Palit; “Ju lutemi, në emër të Krishtit: pajtojuni me Hyjin”. T’ia vëmë mirë veshin, në këtë fillim Kreshmësh, kësaj porosie drejtuar personalisht secilit prej nesh dhe ta jetojmë me bujari, kujtoi Papa sot, kur gjithë të krishterët dallohen mes të tjerëve, nga hiri që kanë në ballë a në kokë.








All the contents on this site are copyrighted ©.