2015-02-18 18:35:30

E Mërkura e Përhime. Papa: të lidhemi më ngusht me Zotin


E Mërkura e Përhime, ditë e fillimit të Kreshmëve, sipas traditës, sot pasdite, u kremtua lutja në formën e “Stacioneve” romake, e kryesuar nga Papa Françesku. Në orën 16.30, pas një çasti lutjeje në kishën e Shën Anselmit, në Aventin, nisi procesioni pendestar drejt Bazilikës së Shën Sabinës. Në procesion morën pjesë kardinaj, ipeshkvij, murgjër benediktinë të Shën Anselmit, etër domenikanë të Shën Sabinës dhe shumë besimtarë. Në përfundim të procesionit, në Bazilkën e Shën Sabinës, Ati i Shenjtë kryesoi kremtimin e Eukaristisë, me ritin e bekimit të hirit e të përhimjes. RealAudioMP3
Kreshmët, kohë e lidhjes së ngushtë me Zotin
Në homelinë e shqiptuar pas shpalljes së Ungjillit Shenjt, Papa kujtoi se Kreshmët janë kohë, që na kërkon të lidhemi më ngusht me Zotin tonë, Jezu Krishtin, për të marrë pjesë në misterin e mundimeve e të ngjalljes së Tij. Prej këndej, liturgjia kreshmore propozon fragmentin e Joelit profet, që t’i bëjë thirrje popullit për pendesë e kthim në rrugën e Zotit, në një kohë kur mbi popullin e zgjedhur kishin pllakosur një mori fatkeqësish.
Lëmoshë, lutje, agjërim
“Vetëm Zoti mund ta shpëtojë popullin e vet nga shuplaka, e për këtë, duhet të lutet, të agjërojë, ta rrëfejë mëkatin e vet e të kthehet tek Zoti me gjithë zemër”.
E Papa kujtoi se zemra është selia e ndjenjave tona, qendra, ku nisin rrugët tona, sjelljet tona, të mbarë bashkësisë e, posaçërisht të priftërinjve, që liturgjia i fton të qajnë në një kohë të tillë. Kujtoi lotin Papa e shtoi:
“Na bën mirë në fillim të këtyre Kreshmëve, të kërkojmë dhuratën e lotëve, që lutja e e kthesa të jenë gjithnjë më të vërteta, larg çdo hipokrizie e formalizmi. E pikërisht ky është mesazhi i Ungjillit të sotëm, që na kujton tri veprat e mëshirës, të parashikuara në ligjin e Moisiut: lëmoshë, lutje, agjërim”.
Të bëjmë mirë, pa pritur shpërblim
Jezusi shikon një tundim të zakonshëm në këto tri veprime, vijoi Françesku, e prej këndej, porosit për tri herë rresht: “Ruajuni se i bëni veprat tuaja të mira në sy të njerëzve, përndryshe nuk do të keni farë shpërblimi nga Ati juaj, që është në qiell”; “Kur të luteni, mos bëni si hipokritët, që luten për t’i parë njerëzit; e kur agjëroni, mos e bëni këtë, që t’ju admirojnë” (Mt 6,1.2.5.16).
“Kur bëjmë ndonjë vepër të mirë, gati instinktivisht lind në shpirtin tonë dëshira për t’u nderuar e për t’u admiruar. Po Jezusi na fton t’i kryejmë këto vepra, pa pritur asnjë shpërblim, veç atij, që vjen nga Ati, ‘i cili shikon në fshehtësi’” (Mt 6, 4.6.18).
Zoti dëshiron të na falë, në emër të Krishtit
Pastaj Papa kujtoi edhe njëherë, e me forcë, se Zoti vijon të ketë mëshirë për ne, dëshiron përsëri të na falë, na fton të kthehemi tek Ai me zemër të re, të pastruar nga e keqja. E ne mund të pajtohemi me Hyjin, nënvizoi Papa, duke cituar porosinë e Shën Palit, në Leximin e dytë, që fton pikërisht për këtë pajtim (2 Kor, 5.20), fton për të bërë kthesë.
“Por kjo përpjekje kthese, nuk është vetëm vepër e njeriut, është kryesisht e mëshirës së Hyjit, që flijoi Birin e vetëm nga dashuria për ne. Flijoi Krishtin, të drejtin, të pamëkatin, që mori mbi vete mëkatet tona e, duke vdekur në kryq, na shfajsoi para syve të Hyjit”.
Në Krishtin, vijoi të kujtonte Françesku, ne mund të ndryshojmë, mund të bëhemi të drejtë.
Zoja na ndihmoftë të këndojmë së bashku himnin e Pashkëve
Në përfundim, Ati i Shenjtë iu lut Zojës së Papërlyer të na ndihmojë në luftën tonë shpirtërore kundër mëkatit e të na shoqërojë në këtë çast të favorshëm, që të mund të këndojmë së bashku himnin e fitores në Pashkët e Ngjalljes.

Pas homelisë, Papa nisi ritin e përhimjes, duke kujtuar fjalët e Librit të Zanafillës, që shqiptohen me këtë rast: “Kujtoju se je pluhur e në pluhur do të kthehesh”(cfr Gen 3,19) ose të Krishtit: “Kthehuni e besoni Ungjillit” (cfr Mk 1,15).
Të dyja formulat të kujtojnë të vërtetën mbi njeriun: krijesë e ligshtë, mëkatare, nevojtare për pendesë e kthesë. Papa i nxiti besimtarët të rikthehen, si djali plangprishës, ndër krahët e Hyjit, Atit të butë e të mëshirshëm e t’i besojnë Atij.







All the contents on this site are copyrighted ©.