2015-02-17 13:19:58

Papa: mjaft, vendeve që shesin armë ku ndizet lufta


Të gjithë jemi të aftë për të bërë mirë, por edhe për të rrënuar atë, që ka bërë Zoti. Janë fjalët e shqiptuara në Meshën e mëngjesit nga Papa. Duke u ndaluar posaçërisht tek Leximi i parë, që flet për përmbytjen universale, vërejti se njeriu mund të arrijë deri atje, sa të shkatërrojë edhe vëllazërimin e, pikërisht që këtu lindin luftërat e përçarjet. Prej këndej, Papa i dënoi ashpër “afaristët e vdekjes”, të cilët u shesin armë vendeve në konflikt, që lufta të mund të vijojë pa fund.

“Njeriu është i aftë të shkatërrojë gjithçka bëri Zoti”. Papa Françesku e shtjelloi homelinë duke komentuar fragmentin dramatik të Librit të Zanafillës, që përshkruan zemërimin e Hyjit për shkak të mbrapshtisë së njeriut e që i paraprin përmbytjes universale. Njeriu, vërejti me keqardhje të thellë, duket si të ishte edhe më i fuqishëm se Hyji, i aftë për të shkatërruar gjërat e mira, që bëri Ai i Lumi”:
Njeriu është i aftë të shkatërrojë edhe vëllazërinë
Në kapitujt e parë të Biblës, vijoi, gjejmë një mori shembujsh, nga Sodoma e Gomorra, tek Kulla e Babelit, në të cilët vërejmë deri ku mund të arrijë ligësia e njeriut. Ligësi, që e bën strofkën në thelb të zemrës njerëzore.
“Por, o atë, njeriu nuk është edhe kaq i keq!’ - mund të thotë ndokush. Është, vërtet. Jemi të aftë të rrënojmë edhe vëllazërinë: në faqet e para të Biblës shohim Kainin, që vret Abelin. Shkatërron vëllazërinë. Është zanafilla e luftës, e zilive, e etjes për pushtet, për më shumë, më shumë, gjithnjë më shumë pushtet. Po, kjo duket gjë e keqe, por është e vërtetë. Merreni një gazetë, cilëndo, të së majtës, të së djathtës, të qendrës… cilëndo. E do të shikoni që më se 90% e lajmeve janë lajme që flasin për shkatërrime, për vdekje. Më se 90%. E këtë e shikojmë ditë për ditë”.
“Por, ç’ndodh në zemrën e njeriut?”, pyeti Françesku. Jezusi, tha në vijim, na kujton se nga zemra e njeriut dalin të gjitha mbrapshtitë. Zemra jonë e ligshtë është thellësisht e plagosur.
Afaristët e vdekjes u shesin armë atyre, që janë në luftë
Njeriu ka gjithnjë dëshirë të jetë i pavarur. “Unë bëj atë, që dua, e nëse kam dëshirë për këtë, edhe e bëj!”. E nëse për këtë duhet bërë luftë, e bëj edhe atë”.
Po pse, pse jemi kështu? Sepse e kemi mundësinë e shkatërrimit, ky është problemi. Pastaj nisin luftërat, nis trafiku i armëve… Epo, jemi afaristë, jemi tregtarë! Po çfarë afaristësh? Afaristë të vdekjes? E ka vende që shesin armë atje ku ndizet konflikti, që të vijojë lufta, të korrë vdekja. Aftësi për të shkatërruar! E këtë nuk na e bën kush: ia bëjmë vetes. “Çdo ndjet intim i zemrës, nuk ishte tjetër, veç e keqja” na kujton Shkrimi Shenjt. E ne e kemi këtë farë brenda nesh, këtë mundësi. Por duhet të zgjedhim, duke nisur nga gjërat e vogla.
Papa tërhoqi përsëri vëmendjen për të ndenjur larg thashethemeve, larg përgojimeve, edhe në famulli, edhe në shoqata, kur aty ka zili e shkohet menjëherë te famullitari, për të marrë ndokënd nëpër gojë kot. Kjo, shtoi, është ligësi, aftësi për të rrënuar. E këtë ligësi e kemi të gjithë. E për këtë na bën të reflektojmë Kisha, në prag të Kreshmëve. Prej këndej Françesku u ndalua tek Ungjilli i sotëm, në të cilin Jezusi i qorton dishepujt që grinden me njëri-tjetrin, sepse kishin harruar të merrnin bukën. Zoti u thotë të kenë mendjen, të ruhen nga tharmi i farizenjve, tharmi i Herodit. E merr për shemull dy njerëz: Herodin, njeriun e keq, vrasës e farizenjtë, hipokritë. Më pas Krishti u kujton çastin kur theu pesë bukët e i nxit të mendojnë për shëlbimin, atë, që e bëri Hyji për ne të gjithë. Po ata, shtoi Papa, nuk e kuptonin, sepse zemra e tyre ishte bërë gur nga ky pasion, nga kjo ligësi për të shpërralluar njeri-tjetrin, për t’ia hedhur fajin tjetrit, duke e fajësuar për harresën e bukës.
Të zgjedhim të mirën, me forcën që na jep Jezusi
Duhet ta marrim seriozisht mesazhin e Zotit, vijoi Françesku, këto nuk janë gjëra të çuditshme, nuk janë fjalët e ndonjë marciani.
“Njeriu është i aftë të bëjë mirë, e shumë, por edhe të rrënojë, edhe më shumë. Mund të shkatërrojë gjëra të vogla e të mëdha, deri në gjirin e familjes: të shkatërrojë fëmijët, duke mos i lënë të rriten me liri, duke mos i ndihmuar të zhvillohen mirë; t’i asgjësojë fëmijët. E kemi këtë aftësi, e për këtë, pohoi, duhet medituar vazhdimisht, duhet të lutemi, të ballafaqohemi me njëri-tjetrin, për të mos rënë në kënetën e shpirtligësisë, që rrënon gjithçka”.
E kemi këtë forcë, na kujton vetë Jezusi. Kujtojuni! Sot Krishti na thotë: “Kujtojuni për mua, që derdha gjakun për ju! Kujtojuni për mua, që ju shpëtova të gjithëve; kujtojuni për mua, që kam forcë t’ju shoqëroj në udhën e jetës, jo në shtegun e ngushtë të mbrapshtisë, por në rrugën e gjërë të mirësisë, për t’u bërë mirë të tjerëve; jo në rrugën e shkatërrimit, por në rrugën e ndërtimit: të ndërtimit të familjes, të qytetit, të kulturës, të atdheut, gjithnjë më shumë”.
Gjatë Kreshmëve, të lutemi që të mos biem në tundim
“T’ia lypim Zotit sot, para se t’i fillojmë Kreshmët, përfundoi Papa, këtë hir: të zgjedhim mirë rrugën, me ndihmën e Tij e të rrimë larg tundimeve, që na çojnë në shtigje të shtrembëra, të gabuara”.









All the contents on this site are copyrighted ©.