Më 17 shkurt kalendari kujton 7 shenjtorët themelues të Shërbëtorëve të Lumes Virgjërës
Mari
Më 17 shkurt kalendari i Kishës katolike kremton Shtatë Themeluesit e Urdhrit të
Shërbëtorëve të së Lumes Virgjërës Mari. Në Firencën e shekullit XIII, të pasur
me kulturë e me para, udhëkryq idesh e luftërash ndërmjet guelfëve e bigelinëve, nuk
munguan burra e gra që praktikonin jetën ungjillore. Ndërmjet tyre është edhe grupi
që u njoh me emrin “vëllezërit dhe motrat e pendesës”, formuar nga tregtarë e borgjezë
të pasur të cilët, ndonëse duke banuar secili në shtëpinë e vet e duke u marrë me
punët e familjet e veta, u impenjuan me gjithë shpirt në vepra bamirësie, sidomos
në ndihmë të të varfërve, të të sëmurëve e në pjesëmarrjen në jetën liturgjike. Ndërmjet
tyre shumë shpejt u dallua për zell shpirtëror e për impenjim shoqëror një grup prej
shtat vetash. Kështu rreth vitit 1233, ndërsa qyteti i Firences ishte i përçarë
nga luftërat vëllavrasëse, shtatë tregtarë, anëtarë të një shoqërie laike, e përbërë
nga besimtarë të devotshëm ndaj Virgjërës së lume Mari, të lidhur me njëri-tjetrin
nga ideali ungjillor i bashkimit vëllazëror dhe i shërbimit ndaj të varfërve, vendosën
të jetonin së bashku, me pendesë e lutje. Pasi u lanë të varfërve veprimtarinë, shtëpitë
dhe pasuritë, rreth vitit 1245, u tërhoqën në Monte Senario, afër Firences, ku ndërtuan
një banesë të vogël dhe një vend lutjeje kushtuar Shën Marisë. Shumë vetë shkonin
tek ata, në dyshime e ngushtica, aq sa vendosën të themelonin Urdhrin e Marisë, shërbëtorë
të të cilës ishin. Prej këndej edhe emri Servitë. Sipas traditës, emrat e tyre janë:
Bonfigliom Bonagiunta, Manetto, Sostegno, Amadio, Uguccione e Alessio.