2015-02-17 18:05:56

Mitropolia e Korçës indinjohet: Hajdutët e Kishave, më parë lirohen se dënohen


Vjedhja e objekteve të kultit ne qarkun e Korçës është kthyer në një fenomen të përhershëm. Sipas At Ilia Kontamit Mitropolia e Korçës e ka dhënë me kohë alarmin për dhunimin e kishave në dioqezën e Korçës, por pavarësisht kësaj puna e policisë nuk ka qenë në lartësinë e duhur për zbardhjen e ngjarjeve dhe kapjen e autoreve. "Vjedhje ka pasur në drejtim të arkave, të të ardhurave, ikonave, ikonostaseve. Kërkojmë si institucion, pasi ne paguajmë taksat tek shteti, që interesi nga ana e policisë të jetë më i madh në këtë drejtim. Nuk është e mirë të trazohen institucionet e kultit sepse janë pasuri e të gjithë popullit. Edhe ndonjë që raportohet se është zënë më përpara ka dalë sesa të marrë procedimin e duhur”, tha ai.
Për At Kontamin dëmi i shkaktuar në vjedhjen Kishave është i pallogaritshëm. Përveç dëmit ekonomik, dëmi i madh është edhe ai shpirtëror, pasi një pjese e madhe e objekteve të vjedhura apo të dëmtuara janë dhurata nga besimtarët. “Dëmet janë shpirtërore. Këtu gabojnë dhe gjykatat sepse vlerësojnë në anë të dëmit ekonomik", shtoi ai. Fenomeni i vjedhjes se Kishave është i shtrirë në të gjithë qarkun, si Korçë, Devoll, Kolonje, Voskopojë dhe ne komunën e Pustecin ku vetëm javën e fundit janë shënjestruar 3 Kisha. (nga Koha Jonë 17 shkurt 2015)







All the contents on this site are copyrighted ©.