Duke shfletuar kalendarin historik më 17 shkurt, kujtojmë përvjetorin e lindjes
së françeskanit shqiptar Aë Justin Rrotës, i cili lindi më 17 shkurt 1889 në Shkodër.
Mësimet e para i mori në Shkodër, kurse ato teologjike në Klagenfurt të Austrisë.
Atë Justin Rrota ishte një ndër françeskanët më të shquar shqiptarë. Kontributi i
tij ishte i madh për studimin e gramatikës shqipe e të historiografisë tonë letrare.
Atë Justin Rrota ishte i pari që më 1929 solli në Shqipëri tri kopje të fotografuara
të Mesharit të don Gjon Buzukut të vitit 1555 nga e vetmja kopje që ruhet në Bibliotekën
Apostolike të Vatikanit.
Atë Justin Rrota qe profesor në Troshan dhe pas vitit
1921 në gjimnazin “Illyricum” në Shkodër. Por meshtari françeskan-profesor u shqua
edhe si mësimdhënës i aftë, studiues i paepur duke botuar artikuj dhe studime shkencore
me pseudonimet Iris, Patër Ndou dhe Viator. Fillimisht shkrimet e para Rrota i botoi
në revistat “Zani i Shna Ndout” dhe “Hylli i Dritës”, të cilat u përkasin disiplinave
të gjuhësisë dhe të letërsisë. Është ndër botuesit e parë të teksteve për shkollat
e mesme. Në vitin 1940, Instituti i Studimeve Shqiptare në Tiranë e zgjedh anëtar
të tij në cilësinë e lëvruesit të gjuhës.
Kontributi i Atë Justinit ishte i
shumanshëm, posaçërisht për studimin e gramatikës shqipe, të sintaksës, morfologjisë,
të historiografisë sonë letrare, e në veçanti për njohjen dhe studimin e autorëve
tanë të vjetër, si për Buzukun, Matrangen etj. Siç thamë ai qe i pari që më 1929 solli
në Shqipëri tri kopje të fotografuara të Mesharit të don Gjon Buzukut nga Biblioteka
Apostolike e Vatikanit. Atë Justin Rrota qe rregulltar françeskan tejet i durueshëm,
i dashur dhe i përshpirtshëm, i dhënë mbas punës e uratës, gjithnjë për Fe e Atdhe.
Ja
diçka nga veprat e Justin Rrotës
1.Don Gjon Buzuku (1555), pjesë të zgjedhura
e të komentuara për shkolla të mesme, botuar në Hylli i Dritës VI, pastaj në Shkodër
1930 dhe 1938, në Shkrimtarët Shqipëtarë Tiranë 1941.
2.Ma të para kopje të
fotografueme të Buzukut, Nëndori II, Tiranë 1941, n.3, faqe 76. 3.Hulumtime dhe
shënime mbi Gjon Buzukun, Buletin 3, Tiranë, 1956:173188.
4. Rreth gramatikologjisë
shqipe, Shkodër 1923, 1933. 5.Letratyra shqipe, Shkodër 1925, 1934, 1936, 1944. 6.Analizimi
i rasave t'emnit, Shkodër 1931. 7.Sintaksi i shqypës, Shkodër 1932, 1942, 1944. 8.Për
historinë e alfabetit shqyp, Shkodër 1936, Prishtinë 1968. 9.Don Lukë Matranga,
shkrimtari ma i vjetri i italoshqiptarvet, Shkodër 1931, 1939. 10.Rreth votrës
I, novela shkodrane, Shkodër 1945.
Atë Justi Rrota ka botuar edhe libra
të tjerë me përmbajtje fetare e shpirtërore, si dhe studime të shumta filologjike
e gramatikore në revistat e fletoret e kohës si Hylli i Dritës, Zani i Shna Ndout,
Bijat e Zojës etj me emër të plotë. Në dorëshkrim janë Gjuha e shkrueme shqipe (850
faqe), Monografia e plotë e gramatikës, leksikologjisë, fonetikës, e morfologjis në
gjuhën shqipe (dorëzuar Institutit të Gjuhësisë në Tiranë). Studime janë botuar edhe
pa emër të tij nga pseudogramatikologët e kohës. Vdiq dhe u varros në Shkodër më
21 dhjetor 1964.