2015-02-16 14:56:53

Mbrojtja e ambientit në bisedimet e Papës me mbretin e Tongës


Sot, 16 shkurt, Ati i Shenjtë priti në audiencë, në Pallatin Apostolik, në Vatikan, Madhëritë e tyre, Mbretin Tupou VI i Tongës dhe Mbretëreshën Nanasipau’u Tuku’aho, të cilët, më pas, u takuan edhe me sekretarin e Shtetit të Shenjtërisë së Tij kardinalin Pietro Parolin, shoqëruar nga sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul Gallagher.
“Sipas një komunikate të Sallës së shtypit të Selisë së Shenjtë, Madhëria e tij i shprehu Papës kënaqësinë e thellë për krijimin e kardinalit të parë me origjinë nga arkipelagu, Hirësisë së Tij Soane Patita Paini Mafi. Nënvizoi, më pas, entuziazmin e popullsisë dhe praninë e Mbretëreshës e të toganëve të shumtë në Koncistorin e zakonshëm publik të 14 shkurtit. Duke vijuar përzemërsisht bisedën, mbreti u ndalua tek zhvillimet politike të kohëve të fundit në vend si dhe tek disa aspekte të jetës shoqërore, pa harruar edhe kontributin pozitiv të Kishës katolike në fusha të ndryshme.
Më pas u shkëmbyen mendime mbi situatën ndërkombëtare, me vëmendje të posaçme mbi shtetet ishullore të Paqësorit dhe problemet ambientale, që duhet të përballojnë disa prej tyre”.








All the contents on this site are copyrighted ©.