2015-02-15 10:15:49

Çmim për Radio Vatikanin. Atë Lombardi: të angazhuar për të qenë forcë dialogu


Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Radios, emitentja jonë, e cila të martën e kaluar mbushi 84 vjeç, duke mbetur gjithnjë krejt e re, u nderua, në Madrid, me “Çmimin Ndërkombëtar të Akademisë Spanjolle të Radios”. Çmimi iu dorëzua, në emër të Radios, nuncit apostolik në Spanjë, imzot Renzo Fratini.
Në videomesazhin e rastit, drejtori ynë i përgjithshëm, atë Federiko Lombardi, nënvizoi se Radio Vatikani vijon angazhimin e saj historik në shërbim të Kishës e për dialogun dhe bashkimin e mbarë njerëzimit. Mbetet përherë Radio, që ia kushton gjithë veprimtarinë e vet mbrojtjes së paqes, të të drejtave të njeriut dhe lirisë fetare. Zëri i saj ndjek gjithnjë me vëmendje “periferitë e botës e të njerëzve”, për t’i shërbyer, kështu, gjithnjë, komunikimit për unitetin e mbarë njerëzimit, si zë, që dëgjohet në mbarë rruzullin tokësor. Kjo është motoja e ekzistencës sonë, të cilën e jetojmë si mision, të frymëzuar nga shpirti i Ungjillit e sot, nga mësimi e veprimtaria e Papës Françesku. Drejtori i Radio Vatikanit e përfundoi videomesazhin e tij duke falënderuar Akademinë për çmimin e lartë që, theksoi, është inkurajim për të vijuar në këtë mision, duke e ndjerë fort solidaritetin me bashkësinë e madhe të komunikatorëve.
Nuk është i vetmi vlerësim që i bëhet Radio Vatikanit. Ndërmjet tjerëve, kujtojmë se më 10 nëntor 2005, presidenti i asokohshëm i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, i dorëzoi emitentes sonë “Urdhërin Nënë Tereza”. Atë Lombardi, që e mori plot entuziazëm, pati theksuar:
“Është Urdhër i titulluar ‘Nënë Tereza’, Urdhër paqeje, mëshire, dialogu, dashurie. Mbart mesazhin e madh se ne do të vazhdojmë t’i shërbejmë Shqipërisë me këtë frymë: frymë paqeje, dialogu e dashurie”.
Urdhëri i artë varet në gjoksin e Radio Vatikanit, ndërmjet shumë medaljeve të tjera, simbol i ndihmesës që dhanë Papët për lirinë e Kombeve të skllavëruara të lindjes. Zëri i tyre i fuqishëm i kapërceu telat me gjemba, për të hyrë në çdo vatër, që kishte etje për një fjalë të lirë, për një kumt të gëzuar, një shpresë, një rreze drite.







All the contents on this site are copyrighted ©.