2015-02-15 10:25:21

Shenjtorët e Javës




E diel më 15 shkurt,
Kisha kremton të dielën e 6-të gjatë vitit, gjithnjë më 15 shkurt, kalendari kujton Shën Onezimin, nxënësin e Shën Palit, dhe Shën Faustinin e Shën Gjovitën, martirë.
Liturgjia e s dielës na flet për forcën e njeriut e për dobësinë e Hyjit. Fuqia e njeriut konsiston në besimin e tij në Hyjin, ndërsa dobësia e Hyjit qëndron në mëshirën e tij të pafundme për njeriun. Jezusi shëron një të gërbulur.
Të hënën më 16 shkurt, kalendari kujton shën Gjyliana, virgjër e martire. Liturgjia e festës së Shenjtores na kujton se kush e humbet jetën për kauzën e Krishtit e të Ungjillit të Tij, ka për ta shpëtuar.
Të martën më 17 shkurt kalendari kujton Shtatë themeluesit e Urdhrit të Shërbëtorëve të Virgjërës Mari, ndërmjet të cilëve Aleks Konfalonieri. Këta kujtojnë se për të kundruar fytyrën e lumnueshme të Jezusit, sytë tanë duhet të jenë të kthjelltë e të lirë, të pa mjegulluar nga pasionet kalimtare. Por edhe kur nuk mund ta kundrojmë lumninë e tij, mund t’ia dëgjojmë fjalën e ta ndjekim pas në udhën e kryqit e të ringjalljes.
Të mërkurën më 18 shkurt, bie e Mërkura e Përhime, që shënon fillimin e kohës liturgjike të Kreshmëve. Me këtë ditë nis kohës së fortë kreshmore, kohë që na fton të bëjmë vepra bamirësie, të pendohemi, të kthehemi në rrugën e Zotin dhe të lutemi e agjërojmë. Posaçërisht duhet t’i lutemi me gjithë zemër Zotit për të na falur, me vetëdijen se të gjithë jemi mëkatarë. Nënvizojmë se e Mërkura e Përhime është ditë agjërimit.

Gjithnjë të mërkurën më 18 shkurt kalendari përkujton të Lumin Gjovani nga Fiesole, i njohur me emrin i lumi Angjeliko, meshtar domenikan. Festa e tij na kujton sa i madh është ndryshimi ndërmjet asaj që themi e asaj që bëjmë. Duke pasur për model Atin qiellor e për mësues Krishtin, të mos harrojmë kurrë se duhet të sillemi si shërbëtori para zotërisë e si nxënësi para mësuesit.
Të enjten më 19 shkurt,
kalendari kujton Shën Konrrad Konfalonierin. Ky vetmitar françeskan na fton të meditojmë mbi rolin e fesë e të lutjes, si mjetet më të sigurta për të ngadhënjyer mbi Djallin dhe mbi pasojat e mbrapshta të tundimeve që vijnë prej tij.
Të premten më 20 shkurt,
kalendari kujton Shën Eleuterin e Shën Leonin e Katanies, ipeshkëv. Liturgjia e ditës na kujton se kush beson në Zotin, lëshohet në dorë të tij si fëmijët në duart e prindërve.
Të shtunën më 21
shkurt, kalendari kujton shën Pier Damianin, ipeshkëv i Ostia-s, kardinal e doktor të Kishës.
Të dielën e ardhshme më 22 shkurt Kisha do të kremtojë të dielën e Parë të Kreshmëve, kohës liturgjike që paraprijnë e përgatit shpirtërisht besimtarët për kremtimin e Pashkëve të Jezu Krishtit Zot e Shpëtimtar.
Gjithnjë më 22 shkurt, sipas kalendarit liturgjik bie përkujtimi i shën Maksimianit të Ravenës e shën Margaritës së Kortonës.
Festa e Katedrës së Shën Pjetrit Apostull tërheq vëmendjen e mbarë botës katolike mbi figurën e Shën Pjetrit dhe misionin e tij të veçantë që i besoi Krishti. Në të vërtetë historia na flet për dy katedra të Shën Pjetrit: para udhëtimit dhe martirizimit të tij në Romë, selia e magjisterit të Shën Pjetrit ishte në Antioki. E liturgjia i kremtonte këto dy seli të ndryshme në dy data të ndryshme: më 18 janar (në Romë) e më 22 shkurt (në Antioki). Pas rishikimit të Kalendarit u vendos që të dyja përkujtimet të kremtohen në një datë të vetme, më 22 shkurt. Festa – shkruhet në Mesharin Romak – me simbolin e Katedrës, vë në dukje misionin e Pjetrit si mësues e bari, besuar nga vetë Krishti, mision që vijon ta kryejnë pasardhësit e tij e që është fillesë e themel i dukshëm i bashkimit të Kishës.







All the contents on this site are copyrighted ©.