Papa në Engjëllin e Tënzot: të kapërcehet çdo tip mënjanimi
“Mos kini frikë ta shikoni të varfrin në sy”: kështu u shpreh Papa Françesku që, në
lutjen e Engjëllit të Tënzot kërkoi të zhduket çdo tip përjashtimi shoqëror. Françesku
kujtoi të gërbulurin, për të cilin flitej në Ungjillin e Markut. Shoqëria e kishte
mënjanuar, por Jezusi e shëroi, sepse dashuria e Krishtit mund t’i prekë e t’i shërojë
të gjithë nga e keqja e nga mëkati. Pastaj, një mendim për banorët e Lindjes së Largët,
që përgatiten të kremtojnë vitin e ri hënor, nën shenjën e vëllazërisë. E akoma Ati
i Shenjtë u kërkoi besimtarëve të panumërt, që krijonin një pranverë ngjyrash në Shesh,
një duartrokitje për kardinajtë e rinj, pa harruar ftesën e përsëritur në çdo takim
me besimtarët, që të luten për të.
Krishti nuk
largohet nga i gërbuluri, për t’u ruajtur nga sëmundja, nuk vepron me delegatë: ky
mesazhi i Françeskut, që nënvizoi: “Zoti nuk vjen të mbajë leksione mbi dhimbjen;
e as ta zhdukë nga bota vuajtjen e vdekjen; vjen të marrë mbi vete barrën e jetës
sonë njerëzore, për ta mbartur deri në fund të fundit, për të na çliruar në mënyrë
të plotë e përfundimtare. Kështu Krishti lufton kundër sëmundjeve e vuajtjeve të botës:
duke i marrë mbi vete e duke fituar mbi ta, me forcën e mëshirës së Hyjit”. Në
tregimin e Shën Markut Ungjilltar, i sëmuri është një nga të gërbulurit e shumtë të
asaj kohe e Papa Françesku shpjegon se kjo është sëmundje ngjitëse, e pamëshirë, që
e shpërfytyron njeriun, duke e shndërruar në simbol të papastërtisë. I gërbuluri duhet
të jetonte larg qendrave të banuara e t’i sinjalizonte kalimtarët për praninë e tij,
që të mos i afroheshin, me rrezikun që t’u ngjitej sëmundja. Ishte, pra, shtoi Papa,
i lënë mënjanë, i përjashtuar nga bashkësia civile e fetare. Ishte i vdekur, që endej
frikshëm ndërmjet të gjallëve. Jezusi ka mëshirë për të gërbulurin. E kjo do të
thotë, kujtoi Papa, të vuash me tjetrin. I gërbuluri, nga ana e tij, iu lut Jezusit
ta prekë, për ta shpëtuar. Françesku kujtoi: “Kjo hollësi është shumë e rëndësishme”
e sqaroi më pas: nëse duam të jemi dishepujt e Jezusit, duhet ta mposhtim çdo paragjykim: “Përballë
një të varfri a një të sëmuri, nuk duhet të kemi frikë ta shikojmë në sy e t’i afrohemi
me dhimbsuri e mëshirë, ta prekim e ta përqafojmë… Shpesh u kam kërkuar njerëzve,
të cilët i ndihmojnë të tjerët, t’i shikojnë në sy, që gjesti i ndihmës të jetë edhe
gjest komunikimi…”. E, më pas, ftesa për të kujtuar Sakramentet, që të gjithë të
mund të shërohemi nga mëkati: “Kjo ndodh sa herë marrim me besim një Sakrament:
Zoti Jezus na prek e na dhuron hirin e tij. Në këtë rast mendojmë posaçërisht për
Sakramentin e Rrëfimit a të Pajtimit me Zotin, që na shëron nga gërbula e mëkatit”. E
Françesku vijoi, duke i siguruar të gjithë: “Nëse e keqja është ngjitëse, ashtu
është edhe e mira. Por e mira duhet të shtohet gjithnjë më shumë në shpirtin tonë;
të shumohet, gjithnjë më shumë, gjithnjë. Ta lëmë të mirën të na ngjitet e t’ia ngjitim
të gjithëve të mirën tonë”. Në përfundim, kuptimi i takimit me Jezusin: “Veprimi
i Jezusit është kundër çdo së keqeje, kundër çdo sëmundjeje, në dobi të të vuajturve
në korp e në shpirt; të djemnuemve, të sëmurëve, mëkatarëve… Krishti e lufton të
keqen e fiton mbi të, kudo që e takon”. “Jezusi, vijoi Papa, nuk ruhet aspak, nuk
ka frikë se mund t’i ngjiten sëmundjet tona, se mund ta prekin të këqijat tona, e
kështu, pikërisht, sëmundja jonë bëhet pikë takimi: Ai, Jezusi, merr nga ne natyrën
tonë të sëmurë njerëzore e ne marrim nga Ai natyrën njerëzore të shëruar e shëruese”. Pas
lutjes mariane, një urim i posaçëm i Papës për paqe e gëzim, drejtuar gjithë burrave
e grave të Lindjes së Largët dhe të viseve të tjera të botës, që përgatiten të kremtojnë
vitin e ri hënor. Këto kremtime, pohoi Françesku, u krijojnë rastin fatlum ta zbulojnë
e ta jetojnë thellësisht vëllazërimin, hallkë e çmuar e jetës familjare e bazë e jetës
shoqërore. “Rikthimi i përvitshëm në rrënjët e njeriut e të familjes, mund t’i
ndihmojë këta popuj të ndërtojnë një shoqëri në të cilën lidhen marrërrëdhënie ndërpersonale
të rëndësishme, mbi bazën e respektit, drejtësisë e dashurisë”. Në përfundim, Papa
përshëndeti romakët e shtegtarët e, në mënyrë të posaçme, ata që kishin ardhur me
rastin e Koncistorit, për t’i shoqëruar kardinajtë e rinj me këtë rast kaq të hareshëm.
Pa harruar të falënderojë vendet e pranishme në këtë ngjarje të madhe, përmes delegacioneve
zyrtare. Një mendim për shtegtarët spanjollë, ardhur nga San Sebastián, Campo de
Criptana, Orense, Pontevedra e Ferrol; për studentët e Campo Valongo e Porto, nga
Portugalia e për ata të Parisit; pastaj, përshëndetja drejtuar “Forit të Institucioneve
të krishtera” të Sllovakisë; besimtarëve të Buren (Holandë), ushtarakëve amerikanë
me qëndrim në Gjermani dhe bashkësisë së venezuelanëve, me banim në Itali. E edhe
grupeve të shumta, ardhur për të kremtuar në këtë ditë të madhe për Kishën, në Sheshin
e Shën Pjetrit. Për të gjithë, inkurajimi “të jenë dëshmitarë gazmorë e guximtarë
të Jezusit në jetën e përditshme”. E edhe pëshëndetja e posaçme e Françeskut: “Të
gjithëve ju uroj të diel të gëzuar. E, mos harroni të luteni për mua. Drekën e mirë
e mirupafshim!”. E ndërsa Papa largohej ngadalë nga dritarja, në Shesh vlonte kënga
e vallja, që u përhap, pastaj, nga Shën Pjetri, në sheshet e rrugët e Romës së lashtë,
sikur të donte t’i përcillte gjithë botës harenë e ngjyrat e kësaj pranvere të dyfishtë:
në natyrë e në Kishë!