Më 15 shkurt kalendari kujton Shën Onezimin, martir
Më 15 shkurt kalendari përkujton Shën Onezimin, dishepull i Shën Palit, martir! Onezimi
është një shenjt, që na shtyn të reflektojmë mbi disa realitete themelore të kristianizmit.
E njohim nga Letra e Shën Palit drejtuar Filemonit, letër shumë shpirtërore, e ngrohtë
e njerëzore, përmes së cilës del në pah shpirti i ëmbël e i njerëzishëm i Shën Palit,
i cili shprehet plot dashuri për njeriun e vogël, që asokohe nuk vlerësohej as si
njeri, por si send. Shën Pali Apostull e quan Filomenin bashkëpunëtor dhe i kujton
bamirësinë ndaj të tjerëve, besimin në Zotin tonë Jezu Krishtin e në të gjithë Shenjtorët.
Përmes kësaj letre, Shën Pali e fton Filemonin të kryejë një gjest të padëgjuar bamirësie
e feje: “Të lutem, pra - i shkruan Pali - për birin tim, që e kam lindur ndër pranga,
Onezimin, atë që dikur qe i panevojshëm, por që sot është i nevojshëm për ty e për
mua. Do të kisha dashur ta mbaja pranë vetes të më shërbente në vendin tënd ndër pranga
që mbart për Ungjillin, por nuk desha të bëj asgjë pa dijeninë tënde, në mënyrë që
të mirën mos ta bësh pasi të jesh i shtrënguar, por vetvetiu. Ndoshta prandaj u nda
nga ti për një çast, në mënyrë që ti ta kishe përgjithnjë. Jo më si skllav, por shumë
më tepër se skllav, si vëlla të dashur në Zotin!”. E ne kujtojmë se Onezimi nuk
ishte vetëm një skllav i ikur nga i zoti (njihet si pajtor i shërbëtorëve), por edhe
hajdut. E pra Shën Pali e quan vëlla, sepse krishterimi nga hajdut e bëri njeri të
vërtetë; nga njeri, besnik të Krishtit e më pas, ipeshkëv të Efezit e martir. U martirizua
duke u mbytur me gurë në Romë, sepse nuk pranoi ta mohojë fenë e Krishtit.