2015-02-15 12:42:12

Atë Lorenc Mazreku në përvjetorin e vrasjes


Në jetëshkrimin e tij të shkurtër, botuar tek “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare 1944-1990”, shkruhet se Atë Lorenc Mazreku u vra më 15 shkurt 1943. Sipas dokumenteve të Urdhrit të Fretërve të Vegjël, Atë Lorenci u vra në rrugën ndërmjet Gjakovës e Pejës.
Atë Lorenc Mazreku (Mitroviç), martir i Fesë dhe i Kombit, lindi në Janjevë, të dioqezës së Shkupit, më 5 mars 1872 në familjen e Antonit e Anastasisë Glasnoviq Si kreu kolegjin françeskan të Troshanit, shkoi në Bosnjë për të vijuar studimet për filozofi e teologji. Atje edhe u diplomua. Zhgunin e Shën Françeskut e veshi më 28 gusht 1886; kushtet e përkohshme i bëri më 12 prill 1988, ndërsa Meshën e parë e çoi më 7 korrik 1894, për të filluar më 1895 shërbimin si famullitar në Pejë. Më 1897 e gjejmë në Zllakuqan, ku ndërtoi kishën; më 1902 ndërtoi kishën dhe selinë kishtare të Pejës. Pak kohë më pas e gjejmë në Shkodër, si i pari guardian shqiptar i Kuvendit të Fretërve në Gjuhadol. Këtu punoi shumë për të kryer punimet e kishës françeskane të Gjuhadolit.
Në veprën me vlera të mëdha të Atë Donat Kurtit “Provinça Françeskane Shqiptare”1 për veprimtarinë e Atë Lorencit në ndërtimin e Kishës së Gjuhadolit, shkruhet: “Fretënt banë çmos për me mbledhë ndihmat e nevojshme. Lypej pare e madhe. Kjo punë i kje lanë kryekrejet P. Françesk Melchiorit, që tue pasë fitue dashuninë e nderimin prej popullit, thirrej vetëm me emnin “Pader Françeskja”. Ky, i ndihmuem prej P. Lorenc Mitroviqit, i cilli pat shkue n’ Hungari për me kërkue lëmoshë. Kallzohet se në këtë rasë P. Lorenci pat ble në nji antikuar një seri (gjashtë) fuguresh të vjetra të Zojës së Shkodrës tue ikë në Gjenacan. Këto fugure kjenë ruejtë në bibliotekë të Kuvendit të Gjuhadolit deri në vjetën 1946. Kjenë riprodhue në të përkohshmen ‘Zani i Shna Ndout”.
Në vijim, më 1906 qe sekretari i Atë Pal Dodajt, provinçal i parë shqiptar i provinçës së Zojës Nunciatë. Si sekretar, hartoi nekrologun e provinçës.
Më 1909 u zgjodh Kustod i Provinçës dhe famullitar i Bajzës, ku themeloi Urdhrin e Tretë të Shën Françeskut.
Më 1920 shërbeu përsëri si famullitar i Pejës ku, më 1942, themeloi Shoqninë Antoniane për edukimin e rinisë. Aty e gjetën edhe gjermanët kur, gjatë Luftës II Botërore, hynë në Pejë. Në sajë të ndërmjetësisë së tij, në këtë periudhë shpëtuan nga djegia dy kisha ortodokse: e Patriarkanës së Pejës dhe e Deçanit e, ajo që ka më tepër rëndësi, u shmang rreziku real i luftës vëllavrasëse ndërmjet myslimanëve e ortodoksëve; ndërmjet shqiptarëve e malazezëve dhe serbëve. Edhe shenjtorja e Shëna Ndout në Gjakovë u ndërtua nën kujdesin e tij.
U dallua për zell e përkushtim fetar e kombëtar, për pasurimin e Kishave me shtatore të reja shenjtorësh e orendi të tjera. Kudo që shërbeu, u mësoi fëmijëve të shkruanin e të lexonin gjuhën shqipe. Si pasojë e një veprimtarie të tillë, fitoi dashurinë e respektin e popullit, të cilit i shërbente, e njëkohësisht urrejtjen e armiqve të Kishës e të Kombit. Në jetëshkrimin e tij të shkurtër, botuar tek “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare – 1944-1990”, shkruhet se u vra nga serbët në Pejë më 15 shkurt 1943, pasi u demaskua. Në të vërtetë, sipas dokumenteve të Urdhrit të Fretërve të Vegjël, Atë Lorenci u vra në rrugën ndërmjet Gjakovës e Pejës.
(burimet nga Atë Donat Kurti, “Provinça Françeskane Shqiptare”, Botime françeskane Shkodër 2003, fq. 31.)







All the contents on this site are copyrighted ©.