2015-02-14 18:58:26

Koncistori për tre Shenjtërime të reja: kremtimi, më 17 maj


Pas krijimit të kardinajve të rinj, Papa Françesku kryesoi Koncistorin, që i hapi rrugën Shenjtërimit të tri rregulltareve të Lume. Janë:
motër Giovanna Emilia de Villeneuve, themeluese e Kongregatës së Motrave të Zojës së Papërlyer të Kastres;
Maria e Krishtit të Kryqëzuar, murgeshë e Urdhërit të Karmelitaneve të zbathura
dhe Maria Alfonsina Danil Ghattas, themeluese e Kongregatës së Motrave të Rruzares të Jeruzalemit.
Do të shpallen shenjtore më 17 majin e ardhshëm, së bashku me Maria Kristinën e Zojës së Papërlyer.
Po skicojmë portretet e tri shenjtoreve të reja:
Giovanna Emilia de Villeneuve:
“Po ju lë për hatër të Zotit, dua t’u shërbej të varfërve, sepse duhet shkuar atje, ku na thërret zëri i mjerimit”. Me këto fjalë u nda Emilia nga i ati, markezi Louis Villeneuve, në vitin 1836, kur ishte vetëm 25 vjeçe. Nisi, kështu, rruga, që e çoi në themelimin e një Kongregate të re, kushtuar Zojës së Papërlyer. Së bashku me vajzat, që u mblodhën shumë shpejt rreth saj, të veshura me rrobën e bardhë të Zojës, në një kohë kur të gjitha murgeshat visheshin me të zeza, jetoi pranë të sëmurëve, të burgosurve, prostitutave, për t’u treguar se Zoti i do të gjithë. Iu kushtua lutjes e veprave të bamirësisë, derisa vdiq nga kolera, në shërbim të të koleruarve, më 1853.
Maria e Krishtit të Kryqëzuar:
Vinte nga Nazareti e quhej Miriam, si Zoja e Bekuar. E Maria e Krishtit të Kryqëzuar u quajt, pasi bëri kushtet pranë Karmelit të Pau, në Francë.
Mariam Baouardy, arabe e vogël, e bindur deri në mrekulli, siç e quajti nëna eprore, pranë saj, kur nisën t’i duken dhantitë mistike. E përvuajtur, e pashkollë, në fillim i fshehu plagët e Mundimeve të Krishtit, që kullonin gjak, duke kujtuar se ishte e sëmurë nga gërbula e nuk ia tregoi askujt vegimet, duke besuar se i shihte në gjumë. Pastaj, kur nisi të lexonte lirisht Psalmet, ndonëse analfabete, e kuptoi. “Kujt i ngjas unë, o Zot?”- e pyeti Atë, që po i bënte dhurata kaq të jashtëzakonshme. “Zogjve pa pupla në folenë e tyre, ishte përgjigjja. Nëse babai e nëna nuk u japin ushqim, vdesin nga uria”.
“Kështu është shpirti im pa Ty, i gjegji zërit të Zotit, vasha e re. Pa Ty nuk mund të jetoj”.
Përmes saj Zoti deshi të ndërtonte një Karmel në Betlehem, ku shkoi shumë shpejt, e pastaj në Nazaret, në Tokën Shenjte. Përveç dialogut të vazhdueshëm me Shpirtin Shenjt, Mariam provoi edhe tundimet e djallit, që nisi ta vizitonte shpesh, ta mundonte e t’ia trazonte keqas shpirtin. Por sa më shumë e trazonte djalli, aq më shumë i afrohej Zotit, të cilit, më në fund, e stërmunduar, i kërkoi: “Më thirr të vi tek Ti!”. E Zoti ia dëgjoi lutjen në vitin 1878. U varros në kuvendin karmelitan të Betlehemit, ku të gjithë kishin nisur ta quanin “kedise”, “Shenjte”.

Maria Alfonsina Danil Ghattas
Palestineze ishte edhe Sultaneh, vajza 15 vjeçe e Danil Ghattas që, duke veshur zhgunin e rregulltares mbi Kalvarin Shenjt, hyri në kuvendin e motrave të Shën Jozefit të Dukjeve me emrin Maria Alfonsina. Por nuk ishte ky, fati i saj. Iu duk Zoja, për herë të parë, në Solemnitetin e Dëftimit të Zoti, në vitin 1874 e, më pas, në muajin që i kushtohet, në maj. E frymëzoi të themelojë një kongregatë të re: Motrat e Rruzares Shenjte të Jezuralemit, i pari institut tërësisht femëror në Tokën Shenjte. Ishte ky misioni i së Lumes; të lartone rolin e gruas në atdheun e saj tokësor. Detyrë tejet e vëshirë edhe për ata që, si ajo, kishin besim të pacak në Provaninë Hyjnore. Nisi, së bashku me simotrat e saj, të merrej me mësimin e besimit, për të mundur analfabetizmin sundues, por shpejt kongregata u përhap aq, sa sot vlerësohet si krahu i djathtë i Patriarkatit latin të Viseve arabe, ku merret me shkollat, famullitë dhe institucionet e tjera dioqezane.
E heshtur dhe e përvuajtur aq, sa të bëhej gati e padukshme në lutje, me Rruzaren Shenjte gjithnjë në mendje e në zemër, dha shprit në duart e Atit, pikërisht kur po meditonte 15 misteret, natën e 25 marsit 1927.







All the contents on this site are copyrighted ©.