2015-02-13 14:04:44

Papa: më 7 mars do të kryesojë Meshën në Kishën romake të Gjithë Shenjtorëve


Të shtunën, më 7 mars, në orën 18.00, Papa Françesku do të kremtojë Meshën në famullinë romake të Gjithë Shenjtorëve, në Rrugën Appia e Re në Romë. Do të kujtojë, me këtë kremtim, një Meshë tjetër. Atë që pati kremtuar në të njëjtën Kishë, pesëdhjetë vjet më parë, Papa Pali VI. Ishte Mesha e parë që kremtohej në gjuhën italiane, e jo latine, sipas normave të reja liturgjike, përcaktuar nga Koncili II i Vatikanit. Vizita papnore përkon edhe me 75-vjetorin e vdekjes së Luigi Orinoe-s (12 mars 1940), një nga arsyet për të cilat, ashtu si 50 vjet më parë, Papa u ftua të kremtojë në Kishën e Gjithë Shenjtorëve. Kështu e dha eprori i përgjithshëm i orioninëve, don Flavio Peloso, lajmin për vizitën e Papës në këtë famulli, më e lashta nga të gjitha në lagjen e populluar Appio.
Më 1908, Piu X ia pati besuar famullinë vetë don Orionone-s, duke e dërguar në atë, që asokohe a pati quajtur “Patagonia romake”, për shkak të nevojave të panumërta materiale e shpirtërore të popullatës, që banonte në këtë zonë.
Programi i vizitës nuk është përcaktuar ende plotësisht, por dihet tashmë se do të jetë vizitë e shkurtër, me kremtimin e Meshës në orën 18.00 e përshëndetjen papnore drejtuar familjes orionine, që kremton 75-vjetorin e vdekjes së Shenjtit themelues.
Eprori i përgjithshëm, don Peloso, vëren se Mesha e kremtuar nga Papa Françesku, në vendin e në ditën e Meshës së parë të reformës litugjike, kremtuar nga paraardhësi, Pali VI, është akt publik për njohjen e rëndësisë që pati në mbarë Kishën katolike përtëritja liturgjike e pas Koncilit II të Vatikanit.
Për të gjithë ne, shtoi eprori orionin, kjo vizitë flet vetë për afërsinë bijnore, plot dashuri për papën Françesku e për shërbesën e tij në Kishë.
Kujtojmë se Kisha romake e Gjithë Shenjtorëve njihet mirë edhe nga emigrantët e parë shqiptarë, katolikë e jo, që vërshuan në Itali e në Romë, pas shembjes së diktaturës. Në këtë Kishë, që nga vitit 1996, nisën të kremtohen Meshët e para në gjuhën shqipe e të mblidhen qindra shqiptarë sa për Meshën e së dielës, aq edhe për t’u takuar e për të shkëmbyer dy fjalë në gjuhën amtare. Mbetet, prandaj, në kujtesë të atyre që e ndoqën këtu shumë herë liturgjinë e së dielës. Pastaj, duke nisur nga 1 gushti i vitit 2004, me një dekret të Vikariatit të Romës, bashkësia katolike shqiptare nisi të mblidhet në Kishën San Giovanni della Malva”(Shën Gjoni i Malvës), për meshë, lutje e veprimtari të tjera fetare.
Nuk është çudi, prandaj, që në kujtim të meshëve të para, më 7 mars në Kishën e Gjithë Shenjtorëve të jenë të pranishëm edhe shumë shqiptarë. Rast i bukur, ky, për t’i shtrëngaur dorën Papës, që e vizitoi dhe e bekoi personalisht Atdheun e shqiptarëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.