2015-02-13 17:43:13

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 6-të gjatë vitit ‘B’


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 6-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik të kishës.
Liturgjia e kësaj së diele na flet për forcën e njeriut e për dobësinë e Hyjit. Fuqia e njeriut konsiston në besimin e tij në Hyjin, ndërsa dobësia e Hyjit qëndron në mëshirën e tij të pafundme për njeriun. Jezusi shëron një të gërbulur. Kështu, tema qendrore e leximeve biblike të kësaj së diele është shpëtimi apo shëlbimi nga çdo e keqe siç është sëmundja e deri edhe vdekja. Me fjalë tjera Fjala e Zotit na tregon udhën e mundësisë për të realizuar në dhe me Krishtin një jetë vërtetë të tillë siç e ka menduar Hyjit, pa mëkat e pa vdekje. Është kjo një temë thelbësore fetare e shpirtërore që duhet trajtuar në të gjitha aspektet e saj.
Marku ungjilltar, me tregimin e tij vazhdon duke na paraqitur një tjetër mrekulli të Jezusit: ‘pastrimin’ e një të gërbuluri. Bëhet fjalë për një episod (ngjarje) domethënëse sidomos për mesazhin e vet të lirimit. Shërimi i një të gërbuluri mund ( e duhet të shikohet) në vlerën simbolike: është njerëzimi mbarë që kërkon shërimin. Po kështu, nuk duhet harruar as problemin e gërbulës në kuptimin e ngushtë të fjalës sepse, megjithëse prej kohe nuk është në faqe të para të mediave, gërbula ende sot mbetet një ndër aspektet më dramatike të njerëzimit tonë bashkëkohor.
Po t’i kthehemi leximeve biblike të kësaj së diele, sikur lexojmë, edhe kësaj here, në pjesën e Ungjillit të së dielës marrë nga Shën Marku, nënvizohet prapë dhembshuria dhe përdëllimi i Jezu Krishtit ndaj vuajtjeve të njeriut. Pra vullneti Tij për ta liruar, madje për të shpëtuar njeriun prej çdo të keqe e deri edhe prej vdekjes. Pjesa ungjillore e kësaj së diele flet për njeriun e vdekur nga pikëpamja civile e shoqërore, për shkak të sëmundjes së gërbulës, i cili si i tillë, ishte i dëbuar prej njerëzve dhe i detyruar të izolohej nga vendbanimet e të rrinte në vetmi, larg çdo kontakti. Kështu i sëmuri nga gërbula ishte i mënjanuar nga rrethi shoqëror, për arsye se në kohën e Jezusit, sëmundja e gërbulës më shumë se çdo sëmundje tjetër, konsiderohej si simbol mëkati e faji, para Zotit.
Jezusi duke e lejuar të gërbulurin t’i afrohej, e duke lejuar të prekej prej atij që i kërkon: “Më shëro”, — të gjithë mëkatarëve u dëfton se Zoti i pret gjithmonë bijtë e vet të braktisur, të humbur, të sëmurë, të prekur e të pushtuar nga e keqja, i pret plot përdëllim dhe i shëron. Ungjilli na tregon se Jezusi dëshmon një dashuri të veçantë për të sëmurët, për të papastërtët, për të refuzuarit e të mënjanuarit e shoqërisë dhe pohon se Jezusi ka ardhur pikërisht për shpëtimin e të gjithë atyre që mbështetën në dashurinë e në fuqinë e Tij Hyjnore, për të gjithë ata njerëz që kanë besim, që kanë fe në Hyjin Atë dhe Atij i drejtohen me lutje e zemër të sinqertë.
Duke iu afruar të sëmurit nga gërbula, Jezusi i shkel kanunet apo ligjet fetare e shoqërore të epokës së vet. Po, për Jezu Krishtin, para së gjithash është njeriu, mbi të gjitha vjen dhe vlen njeriu, prandaj ai ndërhyn për shpëtimin e tij. Pra Jezusi kategorikisht e refuzon përdorimin e religjionit (të fesë) për të përjashtuar e për t’i ndarë dhe përçarë njerëzit. Kurrfarë sëmundjeje, asnjë vuajtje, kurrfarë fatkeqësie, nuk duhet të bëhet pretekst për të braktisur ndokënd: dhimbja e të afërmit tonë është rast për ta dashur edhe më shumë, hapësirë për të treguar bamirësi e përkujdesje ndaj secilit që ka nevojë për ndihmën tonë. Prapa dhimbjes, gjithmonë fshihet një shpirt njeriu.

Është një i gërbulur, o Jezus, prandaj nuk duhet ta prekësh:
për shkak të sëmundjes së vet
e kanë hedhur jashtë fshatit
e tani i vetmuar endet vërdallë nëpër vende të pabanuara e të vetmuara.
Është i gërbulur, o Jezus, nuk duhet ta prekësh:
frika e infektimit e ka detyruar
të lë shtëpi e familje, punë e miq.
Është i gërbulur, Jezus, nuk duhet ta prekësh:
pse nuk je i matur, pse nuk je i kujdesshëm?
E di fare mirë se kjo është sëmundje e tmerrshme
që shkatërron gjymtyrët e,
që shpërfytyron trupin….

E megjithëkëtë, Jezus, ti do ta shërosh

këtë njeri që ka rënë në gjunjë para teje,
ti nuk do ta lirosh nga padrejtësia e nga përbuzja
pa e afruar pranë vetes, pa e prekur.
Edhe pse është punë e rrezikshme….
edhe pse është infektues…..
po Ti, o Jezus, pikërisht për këtë
je bërë njeri,

për të na dëftuar se Zotin e kemi afër:
afër njeriu që vuan,
afër njeriut që është rob i së keqes,
afër njeriut që ndjehet i lodhur dhe i vetmuar.

Në kontakt me sëmundjen,
në kontakt me të këqijat më të tmerrshme e sekrete,
me realitetin shumëformësh të mëkatit,
ti o Jezus, ofron çlirimin e pashpresuar,
duke rrezikuar jo vetëm të infektohesh,
por, deri edhe jetën tënde.
E kjo zgjedhje, ky përcaktim dashurie
do të të çojë në kryq.
Kryqi yt, o Jezus, është dru shëlbimi për çdo njeri.

Liturgjia e Fjalës

Lexim prej Librit të Levitikut
Zoti foli me Moisiun e me Aronin e tha: “Nëse ndokujt i del në mish ose në lëkurë ndonjë enjtje, rrebull ose njollë e bardhemtë që mund të dyshohet se mund të jetë gërbulë, i tilli le të çohet tek Aroni ose të cilido prift prej bijve të tij. I gërbuluri që e ka kapur kjo sëmundje le t’i mbarë petkat e shqyera, flokët e shkapërderdhur, mjekrën e mbuluar e të bërtasë: ‘I ndyri! I ndyri!’ Gjatë gjithë kohës sa gerbulani është i papastër, le të jetë i papastër e le të jetojë vetëm jashtë tëbanishtës.” Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin
Psalmi 32

Shëlbimi yt, o Zot, na mbush me gëzimLum ai që iu fal mëkati,
që iu mbulua faji!
Lum ai njeri që Zoti nuk e numëron ndër mëkatarë, në shpirtin e të cilit nuk ka dredhi.

Atëherë ta dëftova mëkatin tim,
fajin tim më nuk e fsheha.
Thashë: “Do t’ia rrëfej Zotit fajin tim,”
e ti ma fale fajësinë e mëkatit tim.

Atë që shpreson në Zotin e rrethon hiri.
Gëzohuni me Zotin e galdoni, o të drejtë,brohoritni të gjithë ju që jeni zemërpastër.

Leximi dytë 1 Kor 10, 31 – 11, 1
Shën Pali na mëson të jetojmë me thjeshtësi ditën tonë pa moralizma të kotë. Besim nuk do të thotë të privohesh nga ushqimi. Hyji dëshiron jetën e njeriut të jetuar normalisht në një këndvështrim besimi dhe dashurie ndaj vëllezërve.

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve
Vëllezër, në qoftë se hani, në qoftë se pini, në qoftë se edhe çkado tjetër bëni, bëni gjithçka në lavdi të Hyjit. Mos jini veç rast shkandulli as për hebrenj, as për grekë, as për Kishën e Hyjit, sikurse edhe vetë mundohem t’u pëlqej të gjithëve pa kërkuar dobinë time, por dobinë e të gjithëve, që të mund të shëlbohen. Më përngjani mua, sikurse unë i përngjaj Krishtit. Fjala e Zotit. Falënderojmë HyjinAleluja. Aleluja.
Mjeku nuk u duhet të shëndoshëve, por të sëmurëve, thotë Zoti; unë erdha të ftoj mëkatarët.
Aleluja.Ungjilli Mk 1, 40-45
Jezusi shëron një të sëmurë, të përjashtuar nga shoqëria, të shkatërruar në trup dhe në shpirt. I dhuron atij dinjitetin e tij prej njeriu dhe e dërgon të shpallë që është shëruar. Vetëm në besim jemi në gjendje të njohim mjerimet tona shpirtërore dhe që Zoti mund të na shërojë. Edhe ne duke dalë nga Kisha duhet të kemi sjelljen e njerëzve të shëruar.
Leximi i Ungjillit sipas Markut
Atëherë Jezusit iu paraqit një i gërbulur, ra në gjunjë dhe iu lut: “Nëse do, mund të më pastrosh!” Jezusi pati dhembshuri, shtriu dorën, e preku dhe i tha: “Dua! Qofsh pastruar!” Dhe aty për aty prej tij u zhduk gërbula dhe u shërua. Jezusi menjëherë e nisi të shkojë por i urdhëroi rreptësishtë: “Shih – i tha – mos i trego askujt, por shko, paraqitu te prifti dhe, për shërimin tënd, kushto çka ka urdhëruar Moisiu atyre për dëshmi.” Por ai, posa doli, filloi të flasë e ta përflasë ngjarjen, kështu që Jezusi s’mund të hynte më haptas në qytet, por qëndronte përjashta në vende të pabanuara. E njerëzit shkonin tek ai nga çdo anë. Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht

Më tepër dëgjoni këtu leximet biblike te kësaj së diele e komenti..RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.