2015-02-12 09:57:36

Papa Françesku: reforma me transparencë, për një kolegjialitetit të vërtetë


Reforma e Kuries Romake” nuk është thjeshtë një synim në vetvete”, por një mjet që ndihmon për të “dhënë një dëshmi të fortë të krishterë “. Kështu pohoi Papa Françesku në hapje të Koncistorit, në Sallën e Re të Sinodit, sot në Vatikan, duke folur për zhvillimet e punimeve të grupit C9 të kardinajve, që janë duke përpiluar një Kushtetutë të re Apostolike. Papa Bergoglio falënderoi Komisionin e nëntë kardinajve për punën që ka bërë e në mënyrë të veçantë koordinatorin, kardinalin Oscar Maradiaga dhe sekretarin e organizmit, imzot Marcello Semeraro. Në fillim të takimit, Papën e përshëndeti dekani i kardinajve Angelo Sodano.
“Sa punë e mirë e gjë e bukur është kur vëllezërit jetojnë së bashku”. Me këto fjalët të Psalmit 133 Papa Françesku hapi Koncistorin e sotëm për të vërë theksin mbi mënyrën dhe shpirtin e bashkimit vëllazëror e të kolegjialitetit, e në vijim menjëherë përshëndeti 20 kardinajtë të cilët të shtunën e ardhshme do të marrin kësulën e kuqe kardinalore.
Duke iu referuar temës së Koncistorit, Papa Bergoglio vuri në pak se para Kolegjit kardinalor tani prezantohet “sinteza” e një pune që është bërë, ajo për përpilimin e një “Kushtetute të re apostolike për reformën e Kuries”, e teksti ka pasur parasysh dhe ka vlerësuar “shumë sugjerime, edhe nga ana e krerëve e të përgjegjësve të dikastereve të ndryshëm të Vatikanit, e po kështu edhe sugjerimet e ekspertëve të fushës”:
“Caku që duhet arritur është gjithmonë favorizimi i një harmonie sa më të madhe në punë, ndërmjet dikastereve e zyrave të ndryshme, në mënyrë që të realizohet kështu një bashkëpunim më i suksesshëm në transparencën absolute, që ndërton sinodalitetin dhe kolegjialitetin e vërtetë. Reforma nuk synon të jetë cak, por mjet për të dhënë një dëshmi të fortë të krishterë; për të favorizuar një ungjillëzim sa më të suksesshëm; për të promovuar një atmosferë më të frytshme ekumenike; për të inkurajuar një dialog më pozitiv me të gjithë”.
“Reforma, e kërkuar dhe e dëshiruar nga pjesa dërmuese e kardinajve gjatë Kongregacioneve (mbledhjeve) të përgjithshme të Konklavit – kujtoi Papa Françesku – do të duhej të përkryente edhe më shumë identitetin e vet Kuries Romake”. Identitet që thelbësisht qëndron në “ndihmesën e Pasardhësit të Pjetrit në ushtrimin e misionit të tij suprem baritor për të mirën dhe shërbimin e Kishës universale e të Kishave të veçanta”.
Kështu tha pra, Papa Françesku në Koncistorin e sotëm me Këshillin e nëntë kardinajve, që është duke punuar në reformën e Kuries Romake, sipas dëshirës së vet Papës Bergoglio e të kardinajve.
Sot më 12 shkurt, me fjalën e hyrjes të kardinalit Rodrigues Maradiaga, i gjithë Kolegji Kardinalor punon në koncistor, në Sallën e re të Sinodit. Pas fjalës së hyrjes të kardinalit Rodriguez Maradiaga dhe relacionit të sekretarit të Këshillit të nëntë kardinajve, ipeshkvit Semeraro, punimet vijojnë me kontributin e të gjithëve, si kardinajtë Pell e O’Malley e të tjerë, në praninë e Papa Françeskut.

Po cili është kuptimi i reformës që dëshiron Papa? Mendojmë edhe për fjalimin e rëndësishëm, mbajtur kohët e fundit para Kuries… Atë Federiko Lombardi jep këtë përgjigje:

Papa ka vënë në lëvizje, që nga fillimi i papnisë, një projekt për reformimin e Kuries Romake. Por kjo duhet kuptuar mirë, sepse është vetëm një pjesë e planit për përtëritjen e Kishës, plan shumë më i gjerë, të cilin ai e formuloi në Nxitjen apostolike “Evangelii Gaudium”: ai i Kishës në dalje, i Kishës misionare, Kishës, që angazhohet e tëra në fushën e Ungjillëzimit, në shërbim të të cilit është edhe Kuria Romake, mjet për ta ndihmuar Kishën në misionin e saj. Reflektimi lidhur me këtë reformë me karakter edhe organizativ të Kuries, vijon sipas rregullave e sipas kohës së nevojshme për reflektim e këshillim që, natyrisht, është mjaft e gjatë. Por ajo, që më duket e rëndësishme për t’u theksuar, është se për Papën zemra e çdo reforme, është shpirtërore: reformat nisen nga zemra. Kujtojmë Jezusin, që thotë: “Sendet e mira e ato të këqija, vijnë nga zemra”, prandaj që aty duhet të nisesh për të rinuar e për të shëruar, kur ka ndonjë pengesë a vështirësi. Atëherë edhe fjalimet që mbajti para Krishtlindjes, si ai drejtuar Kuries, ashtu edhe Punonjësve të Vatikanit, fjalimi, që mbajti në përfundim të Sinodit, e thonë qartë si e drejton Kishën edhe me gjykim shpirtëror, për t’i shëruar në thellësi sjelljet tona, duke na bërë më besnikë ndaj Ungjillit; e me këtë, pastaj, mund ta ushtrojmë më mirë gjithë shërbimin tonë, gjithë veprimtarinë tonë të ungjillëzimit ose të shërbimit kishtar. Ja, pra, reforma është temë e përhershme e jetës së krishterë, temë e kthesës, e pendesës së të krishterit, e nuk duhet të jetë diçka e cekët, e sipërfaqshme, diçka thjesht organizative. Papa e ka thënë shumë herë se problemet nuk kanë të bëjnë kryesisht me prapavijën ose me organizimin, edhe në se këto mund të ndihmojnë, por kanë të bëjnë kryesisht me shpirtin, me thellësitë e zemrës njerëzore. Atëherë, këto fjalime të mëdha, sipas meje, vunë shumë mirë në dukje, në llojin e tyre, në mënyrën si u shtruan, kujdesin parësor të Papës Françeskut për të shëruar në thellësi zemrën: të gjitha problemet ose pengesat, që mund të hasim, nganjëherë, jo vetëm me përmasë a karakter organizativ, kanë të bëjnë edhe me sjelljen, me aftësinë të dëgjuar, për të dialoguar, për të shërbyer, për të pastruar shpirtin. Ja, këto janë përmasat për të cilat e dëgjojmë Papën të flasë çdo mëngjes edhe në homelitë e mbajtura në Shën Martë në Vatikan, në të cilat ai shpreh karakterin e tij plot madhështi shpirtërore, si prijës me frymën e traditës së ushtrimeve shpirtërore injaciane. Prej këndej, unë besoj se është shumë e rëndësishme të kuptohet kjo: se çdo reformë e vërtetë, që është problem i përhershëm në jetën e Kishës, duhet të gjejë pikënisjen e vet në thellësinë e zemrës, në përtëritjen e dritës së Ungjillit. Këtë na thotë Papa Françesku e na e kujton vazhdimisht”.







All the contents on this site are copyrighted ©.