Më 12 shkurt, kalendari kujton Shën Benediktin e Anianit
Më 12 shkurt, kalendari përkujton Shën Benediktin e Anianit. Vitizia, siç u
quajt në pagëzim ati i parë i jetës murgare gjermanike, lindi në vitin 750 në familjen
fisnike vizigote Agjilulfo në jug të Francës. U dërgua për të studiuar në oborrin
mbretëror të Jozefit të shkurtër. Më pas hyri në ushtrinë e Karlit të Madh dhe luftoi
në Itali kundër Longobardëve. Këtu, duke rrezikuar jetën e vet, shpëtoi jetën e të
vëllaut që kishte rënë në ujë e po mbytej i përpirë nga gjeratoret e lumit Tiçino.
Kjo ngjarje pati ndikim të jashtëzakonshëm në jetën e tij. U kthye, së bashku me një
murg të verbër me emrin Vidmar, në Francë. Hyri menjëherë në kuvendin e Shën Sekuanos,
pranë Dizhonit, ku mori emrin rregulltar Benedikt. Shumë shpejt u zgjodh abat
i këtij kuvendi, por sivëllezërit nuk munden ta durojnë sjelljen e tij tepër asketike.
Atëherë ai u largua e themeloi kuvendin e vet benediktin në Anian, pranë Montpelié.
Zgjodhi rregullën benediktine, sepse tek Shën Benedikti njohu njeriun që jetonte ashtu
si predikonte. Diktoi rregulla të rrepta në përkim me moton benediktine: “Lutu e puno”,
të cilat i respektoi vetë i pari. Bashkësia lulëzoi. Si vdiq Karli i Madh, Benedikti
shërbeu si këshilltar i Ludovikut të përshpirtshëm. Vitet e fundit të jetës i kaloi
në abacinë e Inden, sot e Kornelimyster, pranë selisë mbretërore të Akuisganës. Kujtojmë
se Aquisgrana, në gjuhën gjermane Aachen, në frëngjisht Aix-la-Chapelle, në holandisht
Axhe, është një qytet i pavarur në shtetin federal të Reno-Vestafalisë veriore në
Gjermani. Ndodhet pranë kufirit ndërmjet Vendeve të Ulta dhe qytetit më perëndimor
të Gjermanisë. I vendosur në zemër të Evropës, qe selia e Karlit të madh, i cili ndërtoi
këtu katedralen e famshme, shpallur që nga viti 1978 nga UNESCO - pjesë e thesarit
të kulturës botërore. Këtu vdiq Shën Benedikti e po këtu edhe u varros në vitin
821 në një varr, që sot konsiderohet i humbur. Kisha e kujton Shën Benediktin për
veprimtarinë e tij liturgjike e teologjike në mbrojtje të doktrinës së krishterë kundër
teorive të ‘adocionistëve’, që ishin përhapur në Spanjë. Për ta kryer me sukses këtë
detyrë, Benedikti udhëtoi, shkroi, përgatiti ipeshkvijtë e meshtarët, duke u bërë
model shenjtërie e besnikërie ndaj Krishtit për të gjithë.