2015-02-12 14:38:08

Lampeduzë, ndoshta 400 të vdekur. Papa: më shumë solidaritet. Një infermier: kjo është çnjerëzore


Flitet për rreth 400 të vdekur gjatë mbytjes së gomoneve, ditëve të fundit, në detin e Sicilisë. Padia është e Komisariatit të Lartë të OKB-së për Refugjatët(Unhcr). E në audiencën e përgjithshme Papa lartoi përsëri fort zërin, duke u bërë zë i atyre, që zërin e humbën në fund të detit këtyre ditëve të akullta dimërore.
E fortë, thirrja e Françeskut, për më shumë solidaritet ndaj emigrantëve, që arrijnë nga deti, duke rrezikuar jetën, për të fituar një jetë më të mirë:
“I ndjek me shqetësim lajmet, që vijnë nga Lampeduza, ku numërohen përsëri të vdekur ndërmjet emigrantëve për shkak të së ftohtës gjatë kalimit të Mesdheut. Dëshiroj t’i siguroj për lutjen time e t’i inkurajoj të gjithë për më shumë solidaritet, që askujt të mos i mungojë ndihma e nevojshme”.
Janë, ndoshta, 400, viktimat, e Unhcr e jep njoftimin, duke mbledhur dëshmitë e atyre që shpëtuan nga mbytja. Të mbijetuarit folën për katër gomone të nisura nga Libia, të ngarkuara me qindra vetë: ata, që u nisën, ishin më se 420 vetë, aktorë të tragjedisë më të rëndë të emigracionit vitet e fundit. U nisën me detin, që çonte dallgët mal, “me forcë 7”, me ushqime e ujë vetëm për një ditë. U detyruan të hipin mbi varka me forcë. Trafikantët i kërcënuan me armë e shkopinj, pasi u kishin vjedhur gjithçka kishin me vete.
Kjo tragjedi është një gjëmë e re, që mund të shmangej, pohon, në mikrofonin e Radio Vatikanit, infermieri Salvatore Caputo, vullnetar i Trupit të ndihmës të Urdhërit të Maltës, prej vitesh i pranishëm në Lampeduzë, për të ndihmuar emigrantët:
“Këtë radhë më takoi mua t’i numëroj të vdekurit - pohon. Lundruam rreth 130 milje, për të gjetur gomonen e ngarkuar me 105 emigrantë, që dridheshim nga e ftohta, të rrethuar nga ujërat e detit në stuhi. Situatë e trishtuar! Pamë, edhe ne me rrezikun e vdekjes mbi kokë, të rinj që vdisnin njëri pas tjetrit, rrahur në të katër anët nga dallgët e akullta, pa mundur t’i ndihmojmë, për shak të kushteve të lundrimit të gjatë e shumë të vështirë. Të gjithë rreth të njëzetave. E të gjithë subsaharianë. T’i shikosh duke vdekur, është me të vërtetë çnjerëzore”.
E natyrshme, në këto rrethana, të dëgjohen protesta nga të katër anët, duke nisur nga Karitasi: “Evropa nuk duhet të bëjë sehir, dyarkryq, por të veprojë!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.