2015-02-12 13:22:24

Koncistori. Françesku: reforma e Kuries, për të fuqizuar dëshminë e krishterë


"Reforma e Kuries nuk është thjesht qëllim në vetvete, por mjet që ndihmon për të dhënë një dëshmi të fortë të krishterë.” Këtë pohoi Papa Françesku, duke hapur, në Sallën e Re të Sinodit, Koncistorin kushtuar zhvillimit të punimeve të grupit C9 të kardinajve për hartimin e Kushteutës së Re Apostolike. Papa e falënderoi Komisionin e nëntë kardinajve për punën e bërë e, posaçërisht, koordinatorin, kardinalin Oscar Rodriguez Maradiaga dhe sekretarin e organizmit, imzot Marcello Semeraro.
Nga ana e kardinajve, Papën e përshëndeti Kardinali Dekan, Angelo Sodano.

“Sa gjë e bukur dhe e ëmbël për vëllezërit të jetojnë së bashku”. Papa Françesku e hapi koncistorin me fjalët e Psalmit 133, për të vënë theksin mbi frymën e bashkimit e të kolegjialitetit e menjëherë pas, u drejtoi përshëndetjen e tij të përzemërt 20 kardinajve të rinj, që do ta marrin kësulën kardinalore të shtunën e ardhshme.
Reformimi i Kuries me transparencë abosulute
Duke kujtuar, kështu, temën e Koncistorit, Papa vuri në dukje se Kolegjit kardinalor po i paraqitet përmbledhja e punës së bërë lidhur me “hartimin e Kushtetutës së re apostolike për reformën e Kuries”, tekst, për hartimin e të cilit u patën parasysh këshillat e shumta nga ana e krerëve dhe e përgjegjësve të dikastereve, ashtu si edhe të specialistëve në këtë fushë:
“Caku, që duhet arritur është përherë krijimi i një harmonie gjithnjë më të madhe në punën e dikastereve dhe të zyrave të ndryshme, që të realizojmë, kështu, një bashkëpunim më të frytshëm në transparencën absolute, që krijon sinodalitetin dhe kolegjialitetin e vërtetë. Reforma nuk është qëllim në vetvete. Është mjet, për të dhënë një dëshmi të fortë të krishterë; për të favorizuar një ungjillëzim më të suksesshëm; për të promovuar një shpirt më të frytshëm ekumenik: për të inkurajuar një dialog më konstruktiv me të gjithë”.
Duhet kohë e bashkëpunim i të gjithëve për një reformë të vërtetë
“Reforma, e dëshiruar fuqimisht nga shumica e kardinajve gjatë Kongregacioneve të përgjithshme para Konklavit, kujtoi Papa, duhet ta përsosë edhe më shumë identitetin e Kuries Romake. Identitet që kërkon kryesisht “ndihmesën e Pasardhësit të Shën Pjetrit në ushtrimin e misionit të lartë baritor, për të mirën dhe shërbimin e Kishës universale e të Kishave të veçanta”.
“Ushtrim, ky, me të cilin forcohet uniteti i fesë, bashkimi i popullit të Hyjit dhe promovohet misioni i Kishës në botë. Natyrisht ta arrish këtë cak nuk është e lehtë: duhet kohë, vendosmëri e, sidomos, bashkëpunim i të gjithëve. Por për ta realizuar tërë këtë, para së gjithash, duhet t’ia besojmë Shpirtit Shenjt, prijës i vërtetë i Kishës, duke i lypur në lutje, dhuratën e gjykimit të vërtetë”.
Me këtë formë bashkëpunimi, përfundoi Françesku, nis sot takimi, që do të jetë i frytshëm, falë kontributit që secili nga ne mund të sjellë me parresia, domethënë, me shprehjen e lirë të mendimeve të veta, me benikëri ndaj Papës e vetëdije se e gjithë kjo është në shërbim të ligjit më të lartë: “Shpëtimit të shpirtrave”.

Në hapje të Koncistorit Papën e përshëndeti dekani i Kolegjit Kardinalor, kardinali Angelo Sodano. Në këtë orë të rëndësishme, në të cilën reflektohet posaçërisht për reformën e Kuries, dëshirojmë të japim gjithë ndihmesën tonë, tha dekani i Kolegjit Kardinalor. Citoi, më pas, gjerësisht, nenin e 349-të të Kodit të së Drejtës Kanonike, që përshkruan detyrat e kardinajve këshilltarë të Papës, si individë e si Kolegj.
Kardinali Sodano kujtoi edhe se në hapjen e Koncistorit duhet të ishin të pranishëm 228 vetë, ndërsa, sipas të dhënave elektronike, në sallë ishin 165.








All the contents on this site are copyrighted ©.