2015-02-11 11:25:55

Përvjetori i themelimit të Qytet Shtetit të Vatikanit


Sot bie përvjetori i themelimit të Shtet Qytetit të Vatikanit që përkon me paktet lateranense të 11 shkurtit të vitit 1929. Qyteti i Vatikanit lindi nga Konkordati ndërmjet Shtetit e Kishës nënshkruar ndërmjet Italisë së Musolinit e Papa Piut XII (nënshkroi kardinali Gasparri) të Pakteve të Lateranit të 11 shkurtit 1929. Marrëveshja, që njeh Katolicizmin si fe të shtetit, i jepte fund kundërshtive të hapura të nesërmen e marrjes së Romë më 20 shtator të vitit 1870. Pakti është ripërtërij, me disa ndryshime, më 18 shkurt 1984.
“Ai territor” të fitojë “sovranitetin territorial”, “të nevojshëm dhe të detyrueshëm për atë që s’mund të jetë nënshtetas i asnjë sovraniteti tokësor”. Janë këto fjalët e Papa Piut XI cituar shpesh nga historianët për të kujtuar pikërisht firmën historike, që sanksionoi lindjen e 44 kilometrave katrore më të famshme të botës.
E vërtetë është se mund të pohohet me të drejtë se ai territor, të cilin Vatikani ia rezervoi vetes e që u njoh edhe ndërkombëtarisht, është materialisht e territorialisht i vogël, por si i tërë është i madh, më i madhi në botë, nga çdo lloj pikëpamje të shihet! Kur një territor mund të mburret me Kolonatin e Berninit, Kupolën e Mikelaxhelos, thesaret e shkencës dhe të artit në arkiva e biblioteka, në muzetë e në galeritë e Vatikanit, kur një territor mbulon e ruan Varrin e Princit të Apostujve, Pjetrit Apostull, mund të pohohet se ka edhe të drejtën të pohojë se nuk ka në botë territor më të madh e më të çmueshëm.
Në këtë përvjetor “territori i vogël për një mision të madh” – siç quhet shpesh - e ka kryer mirë funksionin për të cilin u impenjua Papa Rati.
Shteti i Vatikanit ka kuptim, sepse i jep Selisë së Shenjtë një mbështetje, për të qenë e sigurt në lirinë e pavarësinë e saj, de facto e de jure, dhe me të vërtetë, ka shërbyer për këtë që nga themelimi e deri më sot: i ka siguruar Papës pavarësinë dhe lirinë nga çdo pushtet politik. Papa nuk është subjekt i asnjë pushteti politik.
Paktet e 11 shkurtit 1929-tës ndërmjet Italisë e Selisë së Shenjtë gjithnjë aktuale, u nënshkruan me qëllimin e renditjes së veprimtarisë, së bashku e veçmas, në shërbim të së mirës së njeriut, për të arritur kështu në cakun e harmonisë shoqërore.
11 shkurti, përvjetori i Pakteve Lateranense, mbetet një ngjarje e madhe, e cila më 1929 shënoi "fundin e kundërvënies ndërmjet Shtetit e Kishës. Një kundërvënie e tillë vijonte që nga koha Lëvizjes për Bashkimin e Italisë në shekullin XIX, që i pati ndarë veçmas fatet e fesë nga ato të shtetit.
Këto dokumente i dhanë fund në Itali ndarjes së dhimbshme ndërmjet qytetarit e besimtarit, duke krijuar mundësitë që besimtarët të marrin pjesë me të drejtë të plotë qytetarie në jetën e vendit dhe të thonë fjalën e tyre si besimtar katolikë në të gjitha fushat e jetës.
Vlerat e 11 shkurtit ndikuan fuqimisht edhe për vënien në dukje të rolit që luan Selia e Shenjtë si Shtet në gjirin e bashkësisë ndërkombëtare, me qëllim që të konkretizohet mesazhi, mbartës e zëdhënës i të cilit është vetë Kisha katolike, e cila në çdo vend e në çdo kohë ka si qëllim të mbështesë kauzën e njeriut.
Konkordati ndërmjet Italisë dhe Selisë së Shenjtë, njohje reciproke ndërmjet dy palëve, shikohet si model për Evropën. Marrëveshja, tashmë e konsoliduar, ndërmjet Italisë e Selisë së Shenjtë, me Konkordatin e rishikuar më 1984, në përkim me mësimet e Koncilit të II të Vatikanit dhe me pjekurinë demokratike të Vendit, mund të bëhet një model i vërtetë për Evropën, për të përcaktuar rregulla të qarta në marrëdhëniet ndërmjet dy realiteteve, mbi të cilat bazohet bashkëjetesa e tyre.
Kështu Kisha fitoi të drejtën e plotë për zhvillimin e misionit të saj fetar dhe, në të njëjtën kohë, për të punuar në shërbim të paqes e të progresit të popujve. Shteti e Kisha, duke shmangur çdo rrezik kundërvënieje, bashkëpunojnë me sukses për njeriun dhe lartësimin e tij shpirtëror e material. Në drejtpeshimin ndërmjet dy përkatësive qëndron edhe e fshehta e lirisë dhe e progresit në kontinent. Ajo që ishte arritja e veçantë konkordatare, mund të bëhet referim i qartë për Evropën që po kërkon stabilitetin e zhvillimin.







All the contents on this site are copyrighted ©.