Papa Kristo Negovani, martir i fesë e i atdhedashurisë
Papa Kristo Negovani (1875-1905) lindi dhe vdiq në fshatin Negovan të rrethit
të Follorinës. U shkollua në Athinë. Pas përfundimit të shkollës, u kthye menjëherë
në vendlindje dhe nisi punën si mësues. Ra në kontakt me lëvizjen kombëtare për çlirim
nga Turqia, e cila mishëronte pikërisht idealet e tij: dashurinë për atdhe, krenarinë
kombëtare, lidhjen e ngushtë me traditat e, sidomos, dëshirën e zjarrtë për lëvrimin
e gjuhës shqipe. E ktheu menjëherë shkollën ku jepte mësim, në vatër të shqiptarizmës.
Nisi t’u mësonte të shkruanin e të lexonin shqip fëmijëve, të rinjve e të moshuarve,
burrave e grave. Po shkolla iu duk e ngushtë për misionin e tij. U dorëzua, prandaj,
prift, duke menduar se bashkfshatarët do ta kuptonin më mirë Fjalën e Krishtit, në
se kjo Fjalë u shpallej në gjuhën e tyre. Si prift i Kishës Ortodokse, nisi menjëherë
ta thotë Meshën shqip. Iu desh të përkthente shumë copa të librave liturgjike, ose
të shfrytëzonte s’kishin përkthyer të tjetër. Nisi të merrej me katekizmin e njëkohësisht
të shkruante vjersha e tregime, të përshtaste fabula e gjithçka i hynte në punë për
misionin e dyfishtë të mësuesit e të priftit. Veprimtaria e tij atdhetare ngjalli
reagime të fuqishme si nga pushtuesi turk ashtu edhe nga Kisha greke. Nisën kërcënimet.
Po ai nuk hoqi dorë nga idealet e tij. Më 12 shkurt 1905, ditë a acartë dimri,
me dëborë e ngrica të forta, Priftin e arrestuan së bashku me të vëllain. Nuk pritën
të arrinte në burg: e masakruan rrugës dhe e lanë të copëtuar mbi dëborë. Sipas
kronistëve të asaj kohe, vrasja e mësuesit Atë Papa Kristo Negovani, preku përvajshëm
gjithë kombin shqiptar dhe sidomos djalërinë kryengritëse të saj dhe gjithë poetët
tanë të kohës, si Loni Logori, Asdreni, Çajupi, Siliqi etj. I kushtuan nga një elegji
plot shpirt e zemër këtij martiri, që edhe sot kujtohen vargjet e tyre antologjike.
Papakristonë
e vranë Dhe s′ra për të një kambanë Dhe mallet e Shqipërisë Dhe shpellat
e malësisë Thërrisnin anembanë Papakristonë e vranë Të afërmit, të shqetësuar
nga mungesa e tij, u nisën ta kërkonin. Në pejzazhin e bardhë, dalluan diçka që i
ngjiste shqiponjës në fushën e flamurit: ishte rasua e zezë e priftit Papa Kristo
Negovanit që shpalosej në një fushë dëbore të gjakosur. Ky është trashëgimi më
i çmuar që na la. Veprat i mbetën të shpërndara nëpër gazeta e revista të ndryshme
të kohës. Nga krijimtaria e tij kujtojmë: “Vjershë shkresëtoreje” ; “Hijtore
istori me urata të thëna”; “Prishëja e Hormovës”, “I vogëli Donat Argjëndi”;
“I drunjëti kryq”; “Istorishkronja e Plikatit”; “Istori e dhjatës
vjetërë”; “Bënjatë e shënjtorëvet dërgimtarë” që sot do të tingëllonte
si “Bëmat e Apostujve” e tjera..