Festa e Zojës së Lurdë: pasqyrim i dhembshurisë së Zotit.
Festa e Zojës së Lurdë: Të kërkojmë buzëqeshjen e Marisë, pasqyrim i vërtetë i
dhembshurisë së Zotit, burim i shpresës së pathyeshme.
Mesazhi i Zojës
së Lurdës është ftesa për pendesë e për shëlbim. Misteri i Kryqit, flijimi i Krishtit
për shëlbimin e botës, është mesazhi që Zoja e Bekuar ua besoi njerëzve; e ky mesazh
vjen përsëri ende sot nga Shpella e Lurdës, duke i ftuar të gjithë të pendohen, të
kthehen n udhën e jetës dhe të shpresojnë në Hyjin. Nga Lurda Maria vijon t’u dëftojë
njerëzve shenjën e Kryqit të Krishtit, sintezë feje, që na siguron se pushteti i dashurisë
është më i fortë se çdo e keqe, që mund të na kërcënojë. Zoja e Bekuar i fton të gjithë
njerëzit vullnetmirë dhe të gjithë ata që vuajnë në shpirt e në trup, t’i sjellin
sytë drejt Krishtit mbi Kryq , për të gjetur aty burimin e jetës e të shëlbimit”.
Mesazhi i
Lurdës, mund t’i japë një hov të ri fesë e mund t’i përforcojë më tej besimtarët,
për ta kumtuar me guxim gjithnjë më të madh misterin e Krishtit me gjeste e vepra
dashurie e vëllazërimi. Maria zgjodhi Bernardetën për të transmetuar mesazhin e saj
të kthimit në rrugën e Zotit, të lutjes, të pendesës. Maria na zbulon, në Lurdë, bukurinë
e shndërruar, figurën e njerëzimit të ri, ajo shpreh sjelljen e lirisë sonë të plotë
para planit e vullnetit të Zotit, bazuar mbi njohjen e plotë të dinjitetit të vet.
Ky privilegj u përket të gjithëve, sepse zbulon dinjitetin e njerëzve të dënuar nga
mëkati, por të shpëtuar në shpresën e Hirit të Zotit, gjë që ndihmon në përballimin
e jetës së përditshme.
Maria në Lurdë na kujton rolin qendror që ka
lutja në jetën e të krishterëve e na kërkon të mos e humbasin guximin përballë vështirësive.
Kisha në këtë festë na nxit të marrin shembull nga Maria përballë Kumtimit të Engjëllit,
e na fton, t’u përgjigjemi thirrjeve të Zotit, sepse Ai mund të na i plotësojë dëshirat
më të thella të zemrave tona. Atyre që Zoti i thërret ta ndjekin në rrugën meshtarake
ose rregulltare, Kisha na kujton gjithë lumturinë, që ndjen njeriu, kur e dhuron plotësisht
jetën e vet në shërbim të Hyjit e të njerëzve.
Urimi është që familjet dhe
bashkësitë e krishtera të bëhen vende, ku mund të lindin e të fitojnë pjekurinë thirrje
të reja shpirtërore në shërbim të Kishës e të botës. Maria na fton të jetojmë si ajo,
plot me shpresë të pamposhtur në Zotin e duke mos ua vënë veshin atyre, që pretendojnë
se ne jemi të burgosurit e fatit.
E para Marisë, na përkujton Kisha, njeriu
nuk duhet të ngurron të shfaqet me të gjithë ligështinë e tij, të bëjë pyetje, të
paraqesë dyshimet dhe dëshirat më të fshehta. Dashuria për Marinë çarmatos çdo formë
të mburrjes e, falë Asaj, zbulojmë se feja e krishterë nuk është barrë e rëndë, udhë
drejt jetës së vërtetë, drejt lumturisë së përjetshme në Hyjin e me Hyjin.
Festa
e Zojës së Lurdë na kujton edhe një herë se lutja e kthimi i zemrave janë rruga për
ta përtërirë jetën dhe botën. Shenjtorja e Zojës së bekuar në Lurdë është si dritë
në errësirë, në ecjen tonë nëpër terr drejt Hyjit e Maria na hapi një portë drejt
jetës së përtejme, drejt jetës së përjetshme, që na pret e na josh. Virgjëra Mari
është inkurajim i popullit të besimtarëve që, krenarë e të fortë në fe, t’i jetojnë
vendosmërisht mësimet e Krishtit e të Kishës së tij.