Dita e të Sëmurit. Papa Françesku: jeta, gjithnjë e shenjtë, edhe kur është e brishtë
Në përfundim të audiencës së përgjithme, sot, kur kremtohet Dita e 23-të Botërore
e të Sëmurit, Papa Françesku kujtoi gjithë të sëmurët, duke ua besuar Zojës Lurdë,
në festën e saj liturgjike. Në mesazhin e rastit, Papa Bergoglio nënvizon rëndësinë
e “dijes së zemrës” për t’i shërbyer vëllait, që vuan.
“Pranë njeriut
të vuajtur, duke shpresuar, në kundërshtim me çdo shpresë!”. Në përfundim të audiencës
së përgjithshme, Françesku përshëndeti anëtarët e Shoqatës së prindërve të onkologjisë
pediatrike. Ia nguli sytë turmës, Papa, si të donte të kërkonte, ndërmjet shtegtarëve
që kishin pushtuar Sheshin e Shën Pjetrit, nënat e baballarët, të cilët jetojnë një
provë, që të zë frymën: provën e një biri a të një bije të prekur nga tumori. Atyre,
ashtu si edhe të sëmurëve të vegjël, nën kujdesin e Motrave të Shën Jozefit, si dhe
vullnetarëve të Unitalsit, Papa u drejtoi fjalë inkurajuese. E i ftoi të gjithë të
rriten përherë në dashurinë për Zotin, në dijen e zemrës e në shërbimin bujar ndaj
të afërmit, që vuan në korp e në shpirt.
Sy për të verbëtin e këmbë për
të shqeptin Fjalët marrin një kuptim të veçantë, sepse shqiptohen sot, kur
kremtohet Dita e 23-të Botërore e të Sëmurit, e themeluar me dëshirën e Gjon Palit
II, nën mbrojtjen e Zojës Lurdë që, pikërisht sot, festohet me devocion të posaçëm
nga të sëmurët. “Të dashur të rinj, tha Papa, duke iu drejtuar të rinjve të pranishëm
në Shesh: Bëhuni sy për të verbëtin e këmbë për të gjymtuarin”. “Të dashur të sëmurë,
duhet ta ndjeni gjithnjë veten të mbështetur nga lutja e mbarë Kishës”. “E ju,
të dashur bashkëshortë të rinj, duajeni jetën, që është gjithnjë e shenjtë, edhe atëherë
kur preket nga brishtësia e nga sëmundja”.
Koha e kaluar pranë të sëmurit
është e shenjtë Shprehja e përdorur nga Papa “sy për të verbëtin e këmbë për
të shqeptin”, shkëputur nga Libri i Jobit, është në qendër të vëmendjes në Mesazhin
për këtë Ditë, të cilën Françesku ia kushtoi “dijes së zemrës”, që na shtyn t’i shërbejmë
vëllait, me vetëdijen se “koha e kaluar pranë të sëmurit, është kohë e shenjtë”. Në
dokument, Papa pohon edhe se “mashtrimi të çon deri atje, sa të besosh se jetët e
prekura rëndë nga sëmundja, nuk janë të denja të jetohen”. Ndërsa, pohon me forcë
në vijim, pikërisht njerëzit e pushtuar nga misteri i vuajtjes e i dhimbjes, pranuar
me besim të thellë në Zotin, mund të bëhen dëshmitarë të gjallë të fesë.