Vatikani: negociatat e vetmja udhë për të shmangur luftën
Deklaratë e atë Federiko Lombardit për Selinë e Shenjtë dhe krizën në Ukrainë: “Selia
e Shenjtë ndjek me vëmendje gjendjen e krizave në anë të ndryshme të botës, ndër të
cilat edhe atë të rajoneve lindore të Ukrainës. Në praninë e një shkallëzimi të konfliktit,
që shkakton viktima të shumta të pafajshme, në mëse një rast, Ati i Shenjtë Françesku
ka bërë thirrje në favor të paqes. Me këto ndërhyrje, Papa, ndërsa ftonte besimtarët
të luteshin për të vdekurit e të plagosurit e dhunës, nënvizonte urgjencën për
rifillimin e negociatave, si udhë e vetme e mundshme për të dalë nga logjika e spirales
së akuzave e të reagimeve”. “Para interpretimeve të ndryshme të fjalëve të
Papës, sidomos të atyre të së mërkurës 4 shkurt”, drejtori i Sallës së Shtypit të
Vatikanit, atë Federiko Lombardi, saktëson në një komunikatë, “se ai ka pasur gjithnjë
në mendje t’u drejtohej të gjitha palëve të interesuara, duke besuar në përpjekjen
e sinqertë të secilës për të zbatuar marrëveshjet e arritura me konsensus të përbashkët
e duke u bazuar në parimin e ligjshmërisë ndërkombëtare, së cilës Selia e Shenjtë
i është referuar mëse një herë, që kur ka filluar kriza. Siç përsëriste shpesh shën
Gjon Pali II, njerëzimi duhet të gjejë guximin për ta zëvendësuar të drejtën e forcës
me forcën e së drejtës. Ati i Shenjtë Bergoglio pret me gëzim vizitën ‘Ad limina’
të episkopatit ukrainas, që do të zhvillohet në periudhën 16-21 shkurt. Do të jetë
rast i mëtejshëm për t’u takuar me vëllezërit ipeshkvij, për t’u informuar drejtpërdrejt
mbi gjendjen në atë vend të dashur, për ta ngushëlluar Kishën e ata që vuajnë dhe,
për të vlerësuar së bashku udhët e pajtimit e të paqes”, përfundon komunikata e atë
Federiko Lombardit.