2015-02-10 17:42:19

Papa: kujton kardinalin Bechker, me punën e tij bëri një shërbim shembullor


Një figurë “shembullore” në mësime, “në formimin e brezave të ri, posaçërisht të meshtarëve” dhe në “kërkimet teologjike”. Kështu e kujton përmes një telegrami Papa Françesku kardinalin jezuit, Karl Joseph Becker, që vdiq sot në Romë në moshën 86 vjeçare. Edhe Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, bashkohet me ngushëllimet e Papës, në një telegram të tij ku nënvizon vlerësimin e sa e sa “brezave të studentëve” që e rrethuan gjatë jetës kardinalin e ndjerë.
Kardinali Becker lindi në Këln të Gjermanisë më 1928, e këtu në moshën 20 vjeçare hyri në Shoqërisë e Jezusit (Jezuitët). Studimet e filozofisë e të teologjisë i bëri pranë shkollave më të famshme të Urdhrit të Jezuitëve në Gjermani, ku më 1958 shugurohet meshtar në Frankufrt. Pas doktoratës në teologji kardinali Becker ligjëroi Dogmatikën së pari në Frankfurt e më pas nga 1969 deri më 2003 pranë Universitetit Papnor Gregoriana në Romë.
Kardinali Becker qe për shumë vite këshilltar pranë Kongregatës së Vatikanit për Doktrinën e Fesë, duke marr pjesë në bisedimet e kohëve të fundit të Komisionit “Ecclesia Dei” me Vëllazërinë e Shën Piut X. Qe krijuar kardinal në Koncistorin e 18 shkurtit 2012 nga Benedikti XVI me titullin e Diakonisë së Shën Julianit Martir.







All the contents on this site are copyrighted ©.