2015-02-08 14:42:36

Nga jeta e Kishës: prej Vatikanit, në Indi e Siri


Vatikan: Të enjten e kaluar Papa u lidh në videokonferencë me 10 të rinj me aftësi të kufizuara nga të katër anët e botës e google e transmetoi drejtpërdrejt nga Salla e Sinodit, ku Ati i Shenjtë merrte pjesë në mbylljen e Kongresit Botëror Edukativ të Scholas Occurrentes, që u mbajt këto ditë në Vatikan, me temë: “Përgjegjësi shoqërore dhe edukative. Angazhim për çdo ditë”.
“Secili nga ne fsheh një thesar, që nganjëherë gjindet shpejt, herë tjetër jo, pikërisht si në lojën e kërkimit të thesarit. Por sapo ta gjesh, duhet ta ndash menjëherë me të tjerët. E unë ju falënderoj, ngaqë përmes jush kuptojmë se jeta është thesar, por vetëm nëse ua japim edhe të tjerëve”- u tha të rinjve Papa.
Rrjeti ndërkombëtar “Shkollat përmes takimit”, i lindur me pak të rinj në Buenos Ajres, me dëshirën e kardinalit të asokohshëm Bergoglio, numëron sot 400 mijë shkolla shtetërore e fetare, në të pesë kontinentet, të lidhura ndërmjet tyre përmes sportit, artit e teknologjisë.

Sheshi i Shën Pjetrit:
Të premten e kaluar, pranë Kolonatit të Berninit, në Vatikan, u përuruan dushet për të pastrehët, falë një grupi vullnetarësh, që siguruan edhe shërbimin e berberit çdo të hënë, ditë tradicionale e mbylljes së dyqaneve të berberëve e parrukierëve.
Ndërkaq lëmoshtari i Papës, imzot Krajevskij, u shpërndau të pastrehëve, që vërtiten rreth Vatikanit, 300 ombrella për t’u mbrojtur nga shiu, që në këto ditë dimërore gjithnjë ngjyrë hiri, vijon ta bëjë qull qytetin e Romës.

Indi: Në Indi një kishë tjetër, ajo e shën Alfonsës, në New Delhi, u dëmtua e u dhunua nga disa të panjohur. Është aksidenti i pestë i kësaj natyre, në dy muajt e fundit, gjithnjë në kryeqytetin e Indisë. Këto atentate, të mirëplanifikuara, sipas imzot Anil Couto, flasin vetë për falimentimin e qeverisë në mbrojtjen e pakicave e të strukturave të tyre fetare.

Haleb: në Siri vijojnë ndeshjet ndërmjet rebelëve e forcave qeveritare. Në veri të vendit milicët e shtetit të vetëshpallur islamik i detyruan banorët e një fshati të krishterë ta heqin kryqin nga kisha e tyre. Jezuiti Ghasan Sahui, që vijon të shërbejë në vendin e misionit, ndonëse mes kërcënimeve të panumërta për jetën, duke u lidhur përmes telefonit me mikrofonin e Radios sonë, i drejtohet mbarë botës me thirrjen: “Kërkojmë siguri e posaçërisht që bota mbarë të mobilizohet për të gjetur udhët e paqës së humbur e të pajtimit të vrarë mizorisht ditë për ditë nga dhuna e pangjarë e shtetit islamik. Megjithatë, dhuna, që është e dukshme - shton jezuiti - mund t’i detyrojë të krishterët të heqin kryqin nga kisha, por kurrë nga zemrat. Feja nuk hiqet, nuk shlyhet: e kjo është forca e vërtetë e të krishterëve, në një tokë kaq të martirizuar, si Siria.








All the contents on this site are copyrighted ©.