2015-02-08 18:43:12

Françesku vizitoi famullinë romake të Shën Mëhillit në Pietralata


Sot Papa ishte për vizitë baritore në famullinë e Shën Mëhillit Kryeengjëll, në Pietralata, në periferi të Romës. Ishte vizita e tetë baritore e Françeskut në një famulli romake, që nga fillimi i papnisë. Para se të arrinte, u ndalua paksa në një kamp endacakësh, pranë kishës. Pastaj arriti në famulli, në fasadën e së cilës ishte ekszpozuar një fotografi e Françeskut buzagaz, me datën e sotme dhe mbishkrimin: “Bekuar qoftë, ai që vjen!”. Pranë fotos, shpalosej flamuri i Vatikanit.
Duke nisur nga ora 16.00, u takua me të sëmurët, me disa të pastrehë të asistuar nga Bashkësia e Shën Egjidit, me fëmijët e pagëzuar muajt e fundit e të kungimit të parë, së bashku me prindërit dhe me rreth 80 skaut, e familjarët e tyre. Prekës, takimi me fëmijët e katekizmit, me të cilët shkëmbeu pyetje-përgjigje, që morën formën e një katekizmi të shkurtër. Fëmijëve u la porosinë: “Nëse e doni paqen, mos u grindni”; bashkëshortëve: “Mos e përfundoni kurrë ditën, pa bërë më parë paqe!”.
Rrëfeu, pastaj, disa besimtarë të famullisë. Para se të kremtonte Meshën, doli në oborr, ku bëri disa fotografi me besimtarët. Ndërmjet tyre, edhe një picapjekës, që kishte përgatitur një picë me portretin e Papës e me mbishkrimin: “Dhuratë, për shpërblim të mirësisë Suaj!”. Ndërkaq mbi qiellin e famullisë fluturonte një mori tullumbacesh ngjyra-ngjyra.
Në orën 18.00 Papa kryesoi Meshën Shenjte dhe mbajti homelinë, në praninë, ndërmjet të tjerëve, të kardinalit mëkëmbës Agostino Vallini dhe të famullitarit.
Françesku bisedoi edhe me disa banorë të zonës, që jetojnë në kushte të vështira e që ndihmohen nga famullia. Ky skaj i periferisë, është plot me histori të dhimbshme. Këtu mund të takosh të pastrehë: njerëz që flejnë në makinë, baballarë të ndarë nga gratë e fëmijët, të papunë…
Famullia u ngrit më 23 shtator 1938 me dekretin e kardinalit mëkëmbës Francesco Marchetti Selvaggiani “ad viam Tiburtinam” dhe iu besua klerit dioqezan të Romës.
Kisha, realizuar sipas projektit të Tullio Rossi-t, u kushtua në vitin 1948, nga imzot Luigi Traglia. Kompleksi i ndërtesave është pronë e Veprës Papnore për Ruajtjen e Fesë, ndërsa famullitar është imzot Aristide Sana.
Famullia e ngritur në vitin 1938, zhvillohet rreth një boshti të vetëm: rrugës Pietralata, po rrugët e rrugicat e tjera të lagjes, lindur pa plan të qartë rregullues, lidhen me vështirësi njëra me tjetrën. Zona është një përzjerje lagjesh popullore e rezidenciale. Në këtë përzjerje, famullia është zemra, që rreh fort, duke i bashkuar gjithë këto njerëz kaq të ndryshëm, rreth një vatre të vetme. Kërkojnë këtu ndihmë e ngushëllim njerëz të papunë, familje të cilave u mungon ushqimi i nevojshëm; fëmijë, që kanë nevoja nga më të ndryshmet. Për ta kujdeset në mënyrë të veçantë Qendra e Karitasit, në bashkëpunim me Bankën Ushqimore dhe një kanal që lidh famullinë me Qendrën agroushqimore, prej nga vijnë këtu prodhime, që nuk shiten, në shumë raste për shkak të dëmtimeve të vogla gjatë transportimit.
Çdo të marte në mëngjes, në qendrën e Karitasit ka konsultime për punësim. Arrijnë shumë kërkesa e famullia përpiqet t’i orientojë njerëzit drejt vendeve, ku mund të gjejnë atë, që kërkojnë. Ku mungon kujdesi i institucioneve lokale, përpiqet të arrijë Karitasi i famullisë, duke u mbështetur edhe mbi të ardhurat, që grumbullohen nga 8 për mijë. Famullia nuk i harron as ish-të burgosurit. Burgu i Rebibbia-s nuk është larg e shumë nga ata, që përfundojnë afatin e dënimit e që nuk dinë nga t’ia mbajnë, natyrisht trokasin në portat e famullisë. Këtu preken me dorë të gjitha problemet, të zgjidhshme e të pazgjidhshme. E kur famullia nuk mund t’i zgjidhë, të paktën ndihmon, ngushëllon e ringjall në shpirtin e njerëzve të përhumbur, shpresa të reja për të ardhmen.Mes këtyre njerëzve ishte sot Papa i periferive.








All the contents on this site are copyrighted ©.