Ati i Shenjtë në Engjëllin e Tënzot: trafiku, plagë e turpshme e shoqërisë
Trafiku i qenieve njerëzore është “plagë e turpshme, e padenjë për një shoqëri civile”.
E kujtoi sot Papa, menjëherë pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, në ditën e sotme,
kushtuar lutjes dhe reflektimit kundër trafikut të njerëzve. Ndërsa në lutjen mariane,
Ati i Shenjtë reflektoi për “kuptimin dhe vlerën e sëmundjes”: edhe sot e kësaj dite,
theksoi, pavarësisht nga fitoret e shumta të shkencës, njeriu nuk pushon së bëri një
mori pyetjesh mbi vuajtjen, dhimbjen, vdekjen.
Secili nga
ne duhet të angazhohet për të qenë zë i vëllezërve e motrave të prekur në dinjitetin
e tyre, sepse viktima të trafikut, të skllavërimit të njeriut nga njeriu. Papa Françesku
nënvizoi, kështu, edhe një herë, atë që në të kaluarën e ka quajtur krim kundër njerëzimit
e, në festën liturgjike të Shën Gjyzepina Bakhitës, murgeshës sudaneze, viktimë dramatike
e trafikut, menjëherë pas Engjëllit të Tënzot, kujtoi Ditën e sotme të lutjes e të
reflektimit kundër trafikut të njerëzve. Trafiku i njerëzve, plagë e turpshme
“I inkurajoj të gjithë ata, që angazhohen t’i ndihmojnë burrat, gratë e fëmijët
e skllavëruar, të shfrytëzuar, të shpërdoruar si mjet pune a dëfrimi e shpesh, edhe
të torturuar e të gjymtuar. Uroj që krerët e qeverive të përpiqen me vendosmëri për
t’i zhdukur shkaqet e kësaj plage të turpshme: vërtet, nuk mund ta quajmë ndryshe,
veçse plagë e turpshme, e padenjë për shoqërinë civile”. Lutje për imzot Zimowskin Në
lutjen mariane, Papa foli edhe për Ditën e ardhshme botërore të të sëmurit që, sipas
traditës, do të kremtohet më 11 shkurt, në festën e Zojës Lurdë. Ndërmjet nismave,
lidhur me të, kujtoi posaçërisht lutjen mbrëmësore, që do të mbahet të martën mbrëma,
në Romë. Më pas, një mendim e një lutje për kryeipeshkvin Zygmund Zimowski, kryetar
i Këshillit Papnor për Punonjësit e Shëndetësisë, që dergjet nga një sëmundje e rëndë,
në Poloni: “Një lutje për të, për shëndetin e tij, edhe sepse ishte ai, që e përgatiti
këtë Ditë e ai, që na shoqëron, edhe me vuajtjen e tij. Një lutje, pra, për imzot
Zimowskin”. Pyetje për sëmundjen, dhimbjen, vdekjen Reflektimi i Atit
të Shenjtë u ndalua fort mbi kuptimin dhe vlerën e sëmundjes, duke u nisur nga Ungjilli
i Shën Markut, përqendruar tek Jezusi, që shëron një numër të madh njerëzish të munduar
e të prekur nga gjithfarë lëngatësh: fizike, psikike, shpirtërore. E Kisha, nënvizoi
Françesku, vijon veprën shpëtimtare të Zotit, sepse në rrugën e saj gjen vazhdimisht
të sëmurë e të munduar, të cilët i shikon si udhë e zgjedhur për të takuar Krishtin,
për ta strehuar, për t’i shërbyer: “Të mjekosh të sëmurin, ta mikpresësh, ta kujdesosh,
shtoi, do të thotë të mjekosh, të mirëpresësh, të kujdesosh vetë Krishtin: është korpi
i Krishtit, i sëmuri!”. Kjo ndodh edhe në kohët tona, kur, pavarësisht nga arritjet
e mëdha të shkencës, vuajtja shpirtërore dhe fizike e njerëzve, vijon të krijojë një
mori pyetjesh. Njerëzit vijojnë të pyesin ç’ kuptim ka sëmundja? Dhimbja? Pse lindim?
E, sidomos, pse vdesim? Kisha e besimtarët ndezin dritën e Ungjillit në zemra Janë
pyetje ekzistenciale, këto, shpjegoi Papa, të cilave veprimtaria baritore e Kishës
duhet t’u japë përgjigje në dritën e fesë, duke pasur parasysh Kryqin, ku duket i
tërë misteri shëlbues i Hyjit Atë i cili, nga dashuria për njerëzit, nuk kurseu as
Birin e vet të vetëm: “Secili nga ne është i thirrur t’u çojë dritën e Fjalës së
Zotit dhe forcën e hirit, atyre që vuajnë e edhe atyre, që u rrinë te koka: familjarë,
mjekë, infermierë, që shërbimi ndaj të sëmurit të kryhet gjithnjë me ngrohtësinë njerëzore,
me dashurinë ungjillore, me dhimbsurinë e Zotit. Kisha nënë, përmes duarve tona, i
ledhaton vuajtjet, i mjekon plagët e këtë e bën me dhimbsurinë e nënës”. Dhimbsuria
e Hyjit Papa i lartoi Zotit lutjen që çdo njeri i sëmurë, falë kujdesit të
atij, që i rri pranë, të mund të provojë pushtetin e dashurisë së Hyjit e ngushëllimin,
që buron nga dhimbsuria e Tij. Nga ana tjetër, shtoi, Jezusi zbriti mbi tokë për ta
kumtuar e për ta realizuar shëlbimin për secilin njeri e për të gjithë: “Jezusi
i do në mënyrë të veçantë njerëzit e plagosur në korp e në shpirt: të varfrit, mëkatarët,
të djemnuemët, të sëmurët, të shtypurit. Kështu ai bëhet mjek i shpirtit e i korpit,
Samaritan i mirë i njeriut. Jezusi është Shëlbuesi i vërtetë: Jezusi shpëton, Jezusi
mjekon, Jezusi shëron!”.Në përfundim të lutjes, përshëndetjet drejtuar grupeve të
shumta, mbledhur rreth Papës në Sheshin e Shën Pjetrit. Kryesisht spanjollëve të Caravaca
de la Cruz, koreve të kryedioqezës Modena-Nonatola dhe grupeve ardhur nga Letonia
e Brazili.