2015-02-07 14:46:57

Expo 2015, Papa: rrënja e urisë dhe mjerimit është padrejtësia


Për t’u përballuar me problemet e mëdha siç është plaga e urisë në botë, para se gjithash duhet të zgjidhen që në rrënjë të gjitha të këqijat e padrejtësisë: këtë nënvizon Papa Françesku në videomesazhin përhapur sot me rastin e simpoziumit organizuar në Milano mbi temën: “Expo i ideve, model ushqimor për të ushqyer planetin, ndërmjet shpikjeve të reja dhe nismave të qëndrueshme e të mundshme”, në program në Expo 2015. Në këtë ngjarje italiane marrin pjesë përfaqësues të politikës e të institucioneve, drejtues e sipërmarrës, anëtarë të shoqatave e të organizmave ndërkombëtar.
Drama e atyre njerëzve që janë të shtypur nga uria, të atyre njerëzve që luftojnë për mbijetesë është rënduar gjithnjë më tepër nga ajo që sipas Papës është “paradoksi i bollëkut”: prodhimit botëror të ushqimit, që mjafton për të gjithë, nuk i përgjigjet shpërndarja e drejtë për shkak të fenomeneve të rënda, ndër të cilët janë shkapërderdhja, harxhimi pa hesap, hedhja dhe konsumi tepruar i ushqimeve. Ati i Shenjtë Bergoglio, pasi bëri thirrje të tejkalohet tundimi i atij mentaliteti të pastër tregtar që nuk ndikon e ndihmon në përmirësimin e realitetit të përditshëm, propozoi tri qëndrime konkrete për të përmirësuar gjendjen e rëndë të varfërisë e urisë në botë. I pari qëndrim është mënyra e veprimit , duke pasur parasysh prioritetin e urgjencave të njerëzve. I dytë qëndrim i referohet një politike të shëndosh ekonomike që dëshmon solidaritetin dhe mbështetjen. I treti qëndrim është mbrojtja e tokës që na është besuar nga Hyji. Pra rojtarë e jo pronarë të tokës. Në qendër duhet të jetë gjithmonë “dinjiteti i qenies njerëzore dhe e mira e përbashkët”.







All the contents on this site are copyrighted ©.