2015-02-06 12:07:46

Papa Scholas Occurrentes: të rishkruhet pakti edukativ


Nuk do ta ndryshojmë botën, nëse nuk ndryshojmë edukimin: për ta bërë, duhen ndërtuar ura e duhet rindërtuar edhe pakti edukativ në shkollë në familje e në shoqëri: këtë pohoi dje pasdite Papa, në Sallën e Sinodit, në Vatikan, gjatë videokonferencës me të rinjtë handikapatë, nga të katër anët e botës, me rastin e Kongresit Botëror “Scholas Occurrentes”. Rrjeti ndërkombëtar i shkollave, lindur në Argjentinë me dëshirën e kardinalit të asokohshëm të Buenos Ajres, Bergoglio, sot numëron 400 mijë institute të përhapura në të pesë Kontinentet e të lidhura përmes sportit, shkencës e teknologjisë. U paraqit edhe plani për bashkëpunimin me Universitetin Lumsa të Romës si dhe projektet për Mozambikun.

"Todos ustedes tienen un cofre …
Të gjithë ju e keni në shpirt një peshtaf e brenda tij ka një thesar. Puna juaj është ta hapni peshtafin, ta nxirrni jashtë thesarin, ta shtoni, t’ua jepni të tjerëve e të merrni atë, që ju japin të tjerët. Secili nga ne e ka një thesar në shpirt. Nëse e lëmë të mbyllur, mbetet i fshehtë; nëse e ndajmë me të tjerët, thesari shtohet me thesaret, që sjellin të tjerët”.
“Armonia es de alguna manera crear entendimiento…
Harmoni, në një farë mënyre, do të thotë të krijosh aftësi për t’i kuptuar larmitë, për t’i pranuar ndryshimet, për t’i vlerësuar e për t’i lënë të harmonizohen”.
Papa theksoi se e ndjen veten pranë pedagogëve, në këtë detyrë të vështirë. Duke vlerësuar përvojën e Scholas Occurrentes, vuri në dukje përpjekjen për rindërtimin e harmonishëm të paktit edukativ si dhe udhën e kulturës, të sportit e të shkencës për ndërtimin e urave:
“Scholas përpiqen të harmonizojnë gjuhën e kokës, me gjuhën e zemrës e gjuhën e duarve. Që njeriu, djali, vajza, ta mendojnë, atë që ndjejnë e atë që bëjnë; ta ndjejnë, atë që mendojnë e atë që bëjnë; ta bëjnë, atë që ndjejnë e atë që mendojnë”.









All the contents on this site are copyrighted ©.