Më 6 shkurt 1967 E. Hoxha mbante fjalimin famëkeq kundër fesë.
Titullohej “Revolucionarizimi i mëtejshëm, i partisë dhe i pushtetit”. Dy ditë më
pas gazeta “Zëri i Popullit” përshkruante me entuziazëm ‘nismën’ e nxënësve e të mësuesve
të shkollës së Mesme të Durrësit, duke u kushtuar kryeartikullin: “Me shpatën e mprehtë
të ideologjisë së Partisë, kundër ideologjisë fetare, paragjykimeve, bestytnive dhe
zakoneve prapanike”. Jepej, kështu, sinjali i sulmit barbar kundër institucioneve
fetare e etja për liri konsiderohej “zakon prapanik”. Ishte shkëndija e parë për ‘nismat’
‘vullnetare’ të mbarë ‘popullit’, në të katër anët e Shqipërisë. Pikërisht atij popull
i përkasin intelektualët e Tiranës, të cilët, vite më vonë, propozuan që shkurti të
shpallej “Muaji i kujtimit të martirizimit të Kishës Katolike në Shqipëri” e të kremtohej
me lutje, shtegtime në vendet ku u rrënuan Kishat, Manastiret e Xhamitë dhe u martirizuan
katolikë, myslimanë e ortodoksë, kultiviues, përçues e dashuronjës të dijës e lirisë
së vërtetë, në shërbim të ardhmërisë më të mirë të popullit shqiptar. Fjalimi
i 6 shkurtit 1967, sinjal për rrafshimin e çdo gjëje, që të kujtonte
fenë në Hyjin e njerëzit e saj, i hapi rrugën shpalljes së Shqipërisë “Vend ateist”.
Ishte i pari, e i vetmi në botë. Njëri pas tjetrit u mbyllën, u rrënuan e u shndërruan
të gjithë tempujt e Zotit. U sulmua në mënyrë të veçantë Kisha katolike, së cilës,
në të Premten e Madhe të të Pashkëve të vitit 1967, qeveria komuniste i ngarkoi mbi
shpinë Kryqin e Krishtit. Po Krishti i kryqëzuar mbi Kalvar ngjallet në të tretën
ditë. E kështu edhe Kisha katolike shqiptare, pas kalvarit të vet. Intelektualët
e Tiranës patën propozuar të përkujtohet kjo ditë, me bindjen se nga tempujt e Zotit,
kudo e kudoherë, nisin të gjitha rrugët e mira për përtëritjen e njeriut e të njerëzimit. Por
nuk duhet harruar se pati edhe njerëz guximtarë, si atë Pjetër Meshkalla, SJ. që nuk
pritën zbritjen nga Kryqi, për t’u ndeshur ballë për ballë me diktaturën, duke ia
kujtuar këtë të vërtetë, menjëherë pas atij 6 shkurti të akullt të vitit 1967. Do
të kalonin 23 vjet nga ajo ditë e zezë, e shumëkush do të besonte se Zoti nuk do të
rikthehej më në Shqipëri. Por Ai u rikthye. Ai rikthehet gjithnjë e gjithkund,
e më shumë se kudo, pikërisht atje, ku e mohojnë dhe e kryqëzojnë përsëri në bijtë
e vet. E dëshmon historia e Shqipërisë, vendit të vetëm ateist në botë. Ka
shumë propozime për ditën përkujtimore të pasojave të kësaj fillese ogurzezë. Madje
edhe kremtime. Kisha katolike i përkujton bijtë e saj të martirizuar më 4 nëntor,
në përkujtim të 4 nëntorit 1990, kur Zoti u rikthye në Varrezën e Rrëmajit, rrënimi
i së cilës kishte nisur pikërisht me sinjalin e 6 shkurtit e me ‘nismën’ e rinisë
shkodrane. Të tjerë propozojnë që viktimat e komunizmit të përkujtohen më 29 nëntor,
duke i dhënë ngjyrimin që meriton kësaj feste; të tjerë, më 16 nëntor, për të kujtuar
këtë datë të vitit 1944, kur u vranë 37 intelektualë të Tiranës…Ndoshta një ditë
të gjithë dëshmorët e vërtetë të lirisë do të përkujtohen, më në fund në një ditë
kombëtare, që nuk të kujton nisjen e sulmit, por fundin e tij, falë atyre që derdhen
gjak për këtë Ditë!