2015-02-06 16:41:55

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 5-të gjatë vitit ‘B’


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku Fjalën e Zotit të dielës së 5-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë 'B'.
Leximet biblike të kësaj së diele janë një meditim mbi çështjen e ankthshëm të vuajtjes e të dhembjes.
Besimtari kërkon e pyet cili është qëndrimi i Zotit ndaj vuajtjes e dhimbjes njerëzore. Zoti asiston si spektator shurdhmemec, e vështron në mënyrë indiferente britmën e dhimbjes që lartohet prej thellësisë së shpirtit të njeriut drejt qiellit, apo mos ndoshta e vërteta është e kundërt: Zoti është i vetmi që mund ta lehtëson dhembjen, ta zbut e shëron vuajtjen e njeriut dhe të përkujdesët për të? Kjo është pyetja e përhershme dhe kyçe, kjo është çështja vendimtare mbi të cilën Fjala e Zotit e kësaj së diele na nxit të reflektojmë e të kemi besim në Të.
Leximi i parë nga Libri i Jobit
na përkujton kushtet e situatën tejet të vështirë, vuajtjet e tmerrshme të ekzistencës njerëzore të çdo vendi e të çdo kohe.

Leximi i dytë nga Letra e Parë e shën Palit drejtuar Korintianëve
na tregon për shën Palit që na paraqitet si shembull i të gjithë të pagëzuarve, të gjithë janë të thirrur në mënyrë të barabartë ta predikojnë ungjillin.
Ungjilli i kësaj së diele nga Marku
na paraqet Jezusin në dritën e zbulimit hyjnor dhe të veprës së tij mesianike. Jezu Krishti është mjeku i trupit dhe i shpirtit. Por mbi të gjitha Ai është zbulues apo dëftues që mëson shërimin e asaj që është në zanafillën e çdo së keqe të njeriut, mëkatit.

Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë Jb 7, 1-4.6-7
Jobi reflekton mbi situatën njerëzore plot
me zhgënjime dhe vuajtje dhe gjen lehtësim në besimin e plotë që ka ndaj Zotit. Edhe pse Jobi proteston, reagimi i tij është i kuptueshëm dhe jo i dëshpëruar. Dinjiteti ynë njerëzor qëndron në të luftuarit për jetën dhe në mospranimin e dëshpërimit.

Lexim prej Librit të Jobit
Jobi foli dhe tha: “Vallë, s’është luftë mbi tokë jeta e njeriut? Ditët e tija si ditët e mëditësit? Porsi të skllavit që e dëshiron hijen, si të mëditësit të varur nga mëditja? Kështu më takuan mua muaj zhgënjimi, net plot dhimbje për pjesë më qëlluan! Nëse shkoj të bie, pyetem: Kur do të agojë drita? E përsëri mezi e pres mbrëmjen, plot me dhimbje mezi e pres muzgun! Më kaluan ditët më shpejt se drugza e vektarit, u sosën, mbetën pa pe. Mos harro: avull është kjo jeta ime, sytë e mi fat të mirë s’do të shohin.” Fjala e Zotit! Falënderojmë Hyjin!


Psalmi 147
Na shëro, o Zot, Hyj i jetës sonë

Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë,
është bukur t’i këndosh Hyjit tonë,
është kënaqësi ta lavdërosh si i ka hije!
Zoti e rindërton Jerusalemin,
i bashkon izraelitët e mërguar.

Ai e shëron zemrat e copëtuara,
i lidh plagët e tyre!
Ai e njeh numrin e yjeve
dhe e thërret secilin me emër.

I madh është Zoti ynë, i gjithëpushtetshëm,
e pakufishme është dija e tij.
Zoti e lartëson të përvujtët,
kurse përdhe i shtron bakëqijtë.

Leximi dytë nga Letra e Korintianëve 9,16-19.22-23
Çdo njeri ka të drejtë të dëgjojë Ungjillin. Për këtë Pali është gati të kryejë çdo sforcim për ta shpallur. Përballë kësaj urgjence të shpalljes është e nevojshme të braktisim çdo pengese e çdo privilegj. Pali predikon Ungjillin pa kërkuar interesat e tij. Bëhet gjithçka për të gjithë për të dërguar te Krishti numrin më të madh të besimtarëve.

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve
Vëllezër, të shpall Ungjillin nuk është një arsye krenie për mua; është detyrë që më duhet ta kryej. I mjeri unë nëse nuk e predikoj Ungjillin! Nëse e bëj këtë me nisiativën time, atëherë më takon paga; por nëse jo prej nisiativës sime, është detyrë që më është besuar. Cila atëherë është paga ime? Që, duke predikuar Ungjillin, ta jap falas pa i përdorur të drejtat që m’i jep Ungjilli.
Sepse, edhe pse unë jam i lirë prej të gjithëve, vetveten e bëra skllavin e të gjithëve që të fitojë për fe sa më shumë njerëz. U bëra i ligshtë për të ligshtët. Për të gjithë u bëra gjithçka, që, të kushtojë sa të kushtojë, por ta shpëtoj ndonjërin. E të gjitha këto i bëj për dashuri të Ungjillit, kështu që të kem pjesë në të. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

Aleluja. Aleluja.
Fjalët e tua, o Zot, janë shpirt dhe jetë. Ti ke fjalët e jetës së pasosur.
Aleluja. Aleluja.

Ungjilli Mk 1, 29-39
Jezusi fillon aktivitetin e tij duke kryer planin e Atit. Ai tërhiqej shpesh në një vend të vetmuar për tu lutur që mësimi i tij, jeta e tij dhe veprat e tij të jenë me të vërtetë sipas planit të Atit. Bashkimi iJezusit me njerëzit është shenja e bashkimit të tij të thellë me Atin. Indiferenca jonë ndaj të tjerëve ndoshta është një shenjë e një largimi nga Hyji.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut
Në atë kohë, Jezusi posa doli nga sinagoga, shkoi me Jakobin e me Gjonin në shtëpinë e Simonit e të Andreut. Vjehrra e Simonit ishte në shtrat ndër ethe. Menjëherë i treguan për të. Jezusi u afrua, e kapi për dore dhe e ngriti. E lëshuan ethet dhe u shërbeu. Në mbrëmje, me të perënduar të diellit, ia sollën para të gjithë të sëmurit dhe të djallosurit. Mbarë qyteti u mblodh para derës. Ai i shëroi të sëmurët – ishin shumë dhe me sëmundje të ndryshme. Dëboi edhe shumë djaj. Por nuk i lejoi djajtë të flasin sepse e njihnin.
Herët në mëngjes, kur ende ishte natë, Jezusi u çua e shkoi në një vend të pabanuar e atje thoshte uratë. Simoni me shokët e vet u vunë ta kërkojnë. Kur e gjetën i thanë: “Të gjithë po të kërkojnë.” Ai u tha: “Ejani të shkojmë gjetiu, në fshatrat e afërme, që të predikoj edhe atje. Prandaj edhe erdha.” Dhe i ra kryq e tërthor Galilesë duke predikuar nëpër sinagogët e tyre dhe duke dëbuar djajtë. Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!


Kështu pra, tregimi ungjillor i kësaj së diele, na rrëfen për shërimin e vjehrrës së Simonit; për shërbimin e të sëmurëve që Jezusi bëri në mbrëmje, para nisjes së tij drejt një vendi të vetmuar për t’u lutur e përsëri nisjes nga andej për t’iu kthyer predikimit të Lajmit të Mirë nëpër fshatra tjerë.
Me skena të shpjeta Marku ravijëzon tiparet e fytyrës së Jezusit: një njeri që shëron, lutet e kumton. Në jetë, dhuruese e jetës; natën, kërkuese e Zotit; ditën, kujtesë e Zotit. E Jobi na kujton se lutet me afsh, se kjo jetë tokësore është si një frymë, një frymë e hidhur. E para Zotit nuk ka tjetër meritë përveç se të jesh i vogël; një frymë (afsh) mjafton për të qenë të dashur prej Tij.
Jezusi në Kafarnaum është i rrethuar nga fryma e së keqes. Kemi një rritje vorbullore të sëmundjeve e të djajve, e mbrëmja sjell në qytet shpërthimin e turmës e të dhembjes. E pastaj shpërthimin e jetës së rigjetur, të jetës së shëruar e të dhuruar sërish. Një ditë e një mbrëmje për të menduar për njeriun, një natë e një agim për menduar për Zotin. E pastaj jeta do të degëzohet drejt fshatrave tjerë, drejt vendeve të dhembjeve e të pritjeve. Vjehrra e Simonit ishte në shtrat me ethe (zjarmi). Mrekulli kaq e varfër, kaq pak e dukshme, ku Jezusi as nuk flet. Por flasin gjestet e tij. Tjerët i flasin për të, e Jezusi ka një zemër që dëgjon, atë zemër prej mbreti që Salomoni pati kërkuar, duke mahnitur Hyjin. Kulti i parë ndaj Hyjit e ndaj njeriut, shërbimi i parë: është dëgjimi. Jezusi u afrua. Shkon drejt dhembjes, nuk e anashkalon, asnjë frikë, zhytet në sytë e gruas. E merr përdore. Dora në dorë është fuqia e transmetuar atij që është i lodhur, besimi i çdo fëmije ndaj babait, dëshirë e ngrohtësisë, e përzemërsisë. E merr dorën tënde ai që ka dashuri, e shtrëngon shumë ai që ka zemër për ty. E ngre lartë: Jezusi e çon gruan, e kthen në ecjen e drejtë, ia kthen shtatin e lartë, krenarinë e ecjes e të veprimit. Dora e përditshme Zotit e dashur, e fuqishme, kur në një fytyrë, në një takim, një fjalë, në një mesazh, në një përkëdhelje ndez përsëri shpresën në mua dhe hap shtegtun e udhës së re të jetës.
E ajo u vu e shërbeu, pohon pjesa Ungjillit. Shërimi i trupit ka si qëllim shërimin e zemrës, shërbimin plot dashuri ndaj çdo jete. Dora që të çon në këmbë, e ndezë përsëri fuqinë e shpjet të dashurisë e thotë: shëroi të tjerët e do ta shërosh jetën tënde. Të shkojmë tjetërkund. Jezusi kërkon akoma tokë tjera të dhembjes, kërkon kufijtë e së keqes për t’i sprapsur e asgjësuar. Tjetërkund, për t’i ngre në këmbë jetë tjera , për t’i çuar në këmbë krijesat tjera , për t’ua shtrënguar dorën të tjerëve që kanë nevojë për ndihmë. Ai ka nevojë për të shëruar jetën, Ai që dashuron mua më kujton dashurinë, Ai që “duhet” të shkon në kërkimin e etheve të mia. E pastaj nuk duhet harruar se më takon mua që ta kultivojë jetën e ringjallur, me shërbim e dashuri.
Nganjëherë mund të mjafton shumë pak për të lehtësuar, ndihmuar e lartuar një jetë:mjafton dëgjimi, afrimi, marrje për dore. E kështu, duke u mbështetur nga një brishtësi në tjetrën, bota e njerëzimi shkojnë përpara.

Më shumë mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të kësaj së diele, mund të dëgjoni këtu... RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.