2015-02-06 13:56:09

Françesku: sot shumë të krishterë janë viktima të atyre, që e urrejnë Jezusin


“Martirizimi i të krishterëve nuk i takon së kaluarës. Shumë nga martirët janë edhe sot viktima të njerëzve, që e urrejnë Krishtin”. Këtë theksoi, me dhimbje Papa, në Meshën e sotme kremtuar në Kapelën e Shtëpisë së Shën Martës, në Vatikan, në përfundim të një meditimi të thellë kushtuar jetës e vdekjes së Shën Gjon Pagëzuesit.

Shëmbëlltyra e “Gjonit të Madh”, në plan të parë e, menjëherë pas, dhimbja e fortë për sa e sa të krishterë, që edhe sot e kësaj dite masakrohen, vetëm e vetëm sepse me jetën e tyre kumtojnë atë të një Zoti, të cilin të tjerët e urrejnë. Është një nga homelitë më prekëse, mbajtur në Kapelën e Shën Martës, kjo që propozoi sot Papa, duke ndjekur faqen e Ungjillit të Markut, që rrëfen fundin tragjik të Gjon Pagëzuesit. Ai, nënvizoi Françesku, që nuk e tradhtoi kurrë thirrjen, i ndërgjegjshëm se detyra e tij ishte vetëm të kumtonte “afërsinë e Mesisë”, i vetëdijshëm se ishte “vetëm zë”, sepse “Fjala ishte një Tjetër”, e mbaron jetën si Zoti, me martirizim.

Gjoni, viktimë e një mbreti të korruptuar
E pikërisht kur flaket në burg nga Herodi Antipa, “njeriu më i madh i lindur nga gruaja”, vërejti Françesku, bëhet “i vogël, i vogël, i vogël”, një herë i prekur nga prova e errësirës së shpirtit, kur nis të dyshojë nëse Jezusi ishte Ai, të cilit ia kishte përgatitur rrugën, më pas kur për të arrin çasti i fundmë, me urdhër të një mbreti, që joshej e njëkohësisht ngurronte përballë Gjonit. Një fund që Papa e përshkroi me realizëm:
Në fund, pas këtij spastrimi, pas këtij asgjësimi të vazhdueshëm, në gjurmë të asgjësimit të vetë Jezusit, e përfundon jetën. Ky mbret i pavendosur, bëhet i aftë për të marrë një vendim, jo pse zemra e tij shndërrohet, por sepse i jep guxim vera që ka pirë me të tepërt. E kështu Gjoni e mbaron jetën nën autoritetin e një mbreti gjysmak, të dehur, të korruptuar; vdes, për të kënaqur tekat e një valltareje e për të ngopur etjen për hakmarrje të një gruaje të përdalë. Kështu përfundon i Madhi, nga duart e të vegjëlve, kështu i mbyll sytë burri më i madh i lindur nga gruaja”.

Të krishterët urrehen edhe sot
“Kur e lexoj këtë fragement, pohoi në këtë pikë Papa, ju rrëfej se prekem thellë në shpirt e mendoj gjithnjë për dy gjëra.
Së pari, mendoj për martirët tanë, martirët e ditëve tona, për këta burra, gra e fëmijë që persekutohen, urrehen, flaken jashtë nga shtëpitë e tyre, torturohen, masakrohen. E kjo nuk është diçka, që i takon së kaluarës: ndodh sot, në ditët tona. U ndodh martirëve tanë, që e përfundojnë jetën nën thundrën e autoriteteve të korruptuara, të njerëzve, që e urrejnë Jezu Krishtin. Na bën mirë të mendojmë për martirët tanë. Sot të mendojmë për Pal Mikin, që u martirizua në vitin 1600. E sidomos, për martirët e sotëm, të 2015-tës.
Askush nuk mund ta blejë jetën
Veç kësaj, vijoi Papa, ky zvogëlim i Gjonit të Madh, vazhdimisht, deri në asgjë, më bën të mendoj se edhe ne jemi në këtë udhë, drejt tokës, kur do të përfundojmë të gjithë. Më bën të mendoj për vetveten!







All the contents on this site are copyrighted ©.