2015-02-06 16:26:32

Dushe e berberë nën Kolonatin e Shën Pjetrit, për të pastrehët


Këto ditë përfunduan punimet për realizmin e dusheve të reja nën Kolonatin e Berninit, duke realizuar, kështu, projektin për ta shtuar këtë shërbim ndaj të varfërve të Romës, përmes famullive, që u bashkuan me të, posaçërisht famullive, të cilat i kanë prej kohe mensat e të varfërve ose atyre, ku grumbullohen më shumë të pastrehët.
Tre dushe dhe vendi i berberit
Punimet u projektuan, u udhëhoqën dhe u realizuan nga teknikët e mjeshtrat e Governatoratit të Qytetit të Vatikanit: tre dushet e vendi për berberin u shtuan gjatë riorganizmit të plotë të një seksioni të banjove, më të djathtë të Sheshit, nën Kolonat. E gjithë kjo, sipas njoftimin të Lëmoshtarisë Apostolike, u bë me thjeshtësi e dinjitet, por duke përdorur edhe teknikat moderne: lavamanët janë të pajisur me ujë të ngrohtë, me skaj për sapunin e aparate me ajër të nxehtë për tharjen e duarve; në vend të pllakave, muret u veshën me një rrëshirë e veçantë, që mund të lahet lehtë e që siguron higjienë të plotë.
Dushet do të funksionojnë ditë për ditë, përveç së mërkurës, kur mbahet audienca e përgjithshme si dhe ditëve, kur në Sheshin e Shën Pjetrit ka kremtime të mëdha. Të hënën, të enjten e të shtunën shërbimi i dusheve do të sigurohet nga vullnetarët e Unitalsit, seksioni i Romës. Berberi do të shërbejë të hënave, nga ora 9 - deri në orën 15. Shërbimi do të sigurohet nga berberë të ndryshëm vullnetarë e edhe nga studentë të vitit të fundit në një nga shkollat për parrukierë të Romës.
Çantë për të pastrehët
Shtegtarët e pastrehë do të marrin, për dushin, një palë ndërresa të plota të brendshme dhe një çantë me peshqir, sapun, bar dhëmbësh, sapun e brushë rroje, deodorant e ndonjë gjë tjetër, sipas kërkesave. Shumica e materialit do të jepet falas nga disa ndërmarrje e njerëz, që shprehën dëshirën të ndihmojnë projektin, në favor të të varfërve. Materialet, që do të mungojnë do të blihen herë pas here nga Lëmoshtaria Apostolike, që do t’i përdorë për këtë nismë paratë e mbledhura nga shitja e pergamenave me Bekimin e Papës.
Lëmoshtari falënderon pjesëmarrësit në projekt
Në disa nga ditët e javës, pritja e të varfërve do të bëhet nga vullnetarë të ndryshëm, si për shembull, nga motrat e Nënë Terezës, motrat Albertine, që shërbejnë pranë Rojes Zvicerane, nga Vinçencianet dhe nga vullnetarë të tjerë të Romës, që shprehën dëshirën të ofrojnë kohën e bashkëpunimin e tyre. Lëmoshtari, imzot Konrad Krajevskij, i falënderon nga zemra të gjitha famullitë që kontribuan për të realizuar projektin, posaçërisht, të gjithë ata, që realizuan dushet nën Kolonat e ata, që do të punojnë në mënyra të ndryshme, për t’i ndihmuar të varfrit.








All the contents on this site are copyrighted ©.