Arrestohen 200 të krishterë indianë. Protestonin për sulmet kundër kishave
Vazhdojnë problemet e të krishterëve në Indi. Në Nju Delhi u arrestuan rreth 200 të
krishterë, që protestonin pranë shtëpisë së Ministrit të Brendshëm Singh, duke kërkuar
më shumë mbrojtje. Manifestimi u organizua nga kryedioqeza katolike, pas djegjes së
një kishe dhe vandalizmit kundër vendeve të krishtera të kultit. Këto episode janë
rritur në mënyrë eksponenciale gjatë dy muajve të fundit. Të dëgjojmë komentin e drejtorit
të agjencisë AsiaNews, atë Bernardo Cervellera: Tashmë jemi çdo ditë dëshmitarë
të sulmeve kundër kishave, të Hosteve të profanuara, të elterëve të shkatërruar, të
ndërtesave të djegura e të të krishterëve të arrestuar me akuzën se kanë detyruar
të tjerë të kthehen në fenë e tyre… Jemi vërtet në një situatë, në të cilën, gjithnjë
e më shumë, po manipulohet India dhe Kushtetuta e saj, e cila është laike, përkundrejt
një nacionalizmi hinduist, që u zë frymën bashkësive të tjera fetare, sidomos të krishterëve
dhe myslimanëve. Mund të themi se duke filluar nga maji i kaluar, kur nacionalistët
erdhën në pushtet, është rritur intoleranca fetare? Është rritur jashtëzakonisht,
sepse kryeministri Narendra Modi erdhi në pushtet me përkrahjen e këtyre grupeve nacionaliste
e shpesh fundamentaliste, militantë të dhunshëm e të armatosur, që tani po i paraqesin
llogarinë Narendra Modit: duan të mbrohen, por, njëkohësisht, ndjehen më të sigurtë
dhe sulmojnë më fuqimisht. Dy gjëra shqetësojnë më tepër: e para se duan t’i shtojnë
me çdo kusht ligjet kundër kthimit nga hinduizmi në fetë e tjera, ndërsa nuk verifikohet
kurrë nëse kthimet nga fetë e tjera në hinduizëm janë bërë përmes presioneve shoqërore,
me para apo tjetër. Problemi i dytë është se duan ta rishikojnë krejt kulturën indiane,
edukimin e librat e shkollës, që t’u thurin lavde gjithnjë e vetëm hinduizmit e kombit
hinduist.