2015-02-06 13:16:24

Ardian Ndreca: komunizmi edukoi një brez me ideale çnjerëzore e shkatërroi vlerat kombëtare


Kujtojmë sot 6 shkurtin e vitit të kobshëm 1967, kur Shqipëria u shpall i vetmi shtet ateist në botë. Nisi kështu etapa më tragjike e një populli të tërë, nxitur nga fjalimi famëkeq kundër zakoneve prapanike dhe paragjykimeve fetare, mbajtur nga diktatori komunist më 6 shkurt 1967, përmes të cilit u shkatërruan vlerat e vërteta të traditës shqiptare e u vendosen themelet e një ferri të vërtetë.
Me profesor Ardian Ndrecën, profesor i filozofisë e drejtor i Institutit të studimeve mbi ateizmin pranë Universitetit Papnor ‘Urbaniana’ në Romë, po e kujtojmë sot këtë datë e këtë ngjarje të kobshme që përjetoi populli shqiptar, i cili në mikrofonin e Radio Vatikanit mes tjerash pohon se “komunizmi edukoi një brez te tanë me ideale çnjerëzore, me mungesën e respektin për personin, me mungesën e respektin për lirinë e tjetrit, e fut një frymë që nuk ishte as fryma e as tradita kombëtare shqiptare dhe as tradita e humanizmit evropian”. Ta dëgjojmë intervistën e dom David Gjugjës me prof. Ardian Ndrecën..... RealAudioMP3
Në realitet mund të thuhet se, diktatori e komunizmi nuk e duronin dijen dhe besimin e njerëzve në Hyjin, madje kishin një frikë të tmerrshme nga inteligjenca dhe forca shpirtërore e njerëzve e posaçërisht të atyre personaliteteve që ishin më të ngritur, më largpamës, më guximtar e më atdhedashës se ata. Udha e mënyra e vetme për t’u liruar nga këta njerëz të ngritur, të ditur, të urtë, atdhetarë të vërtetë që përhapnin dritën e përparimit të vëllazërimit tek populli besimtar, ishte vrasja dhe persekutimi deri në internime e zhdukje fizike.
6 Shkurti i vitit 1967, na kujton pra ditën kur Enver Hoxha mbajti fjalimin me titull ”Revolucionarizimi i mëtejshëm i partisë dhe pushtetit”, fjalim ky me të cilin ai filloi luftën kundër ”ideologjisë fetare” e ”zakoneve prapanike”, duke e shpallur me ligj Shqipërinë kundër Zotit, si vendin e parë dhe të vetëm ateist në historinë botërore. Ky veprim i regjimit komunist të Enver Hoxhës do të ishte qesharak — siç përqeshej ky vendim në median botërore të kohës dhe më vonë — po të mos ishte për pasojat e rënda që ky vendim i regjimit komunist shqiptar pati mbi shoqërinë shqiptare atëherë, pasojat e të cilit ndihen ende sot. Megjithëse shtypjet kundër fesë kishin filluar ç’prej vitit 1945, sidomos kalvari i Kishës Katolike e udhëheqësve të saj kishte qenë tepër i egër gjatë dy dekadave pas ardhjes së komunistëve në fuqi. Megjithëse rrethanat e numri i të përndjekurve nga regjimi komunist, shumë prej tyre klerikë katolikë shqiptarë por edhe të dy feve të tjera, myslimanë dhe ortodoksë, u vranë ose vdiqën nën tortura të pa-imagjinueshme nepër burgjet e kampet komuniste të regjimit hoxhist, nga viti 1945-1960. Numri i klerikëve të vrarë ose të vdekur nëpër burgje e kampe përqendrimi– katolikë, myslimanë e ortodoksë — nën torturat më ç’njerëzore gjatë asaj periudhe, ndoshta nuk do të dihet kurrë.

Kështu më 19 shkurt 1967 u ndalua kremtimi i Meshës Shenjte i orës 10 në Katedralen e Shkodrës. Françeskanët shkodranë morën urdhrin të zbraznin Kuvendin e Gjuhadolit, duke mbartur gjithë ç’kishin në Kuvendin e Arrës së Madhe. Pas një kontrolli të rreptë të sigurimit, u mbyll edhe Argjipeshkvia katolike. Njëkohësisht nisën mbledhjet komuniste nëpër lagje për demaskimin e klerit, ndër të cilat u dha sinjali i sulmit për mbylljen e të gjitha Kishave. Më 4 mars u mbyll Kisha katedrale e Shkodrës e mbas saj, njëri pas tjetrit, të gjithë tempujt e Zotit. E fundmja u mbyll Kisha e fshatit Delbinisht, ku fshatarët rezistuan derisa nisën arrestimet.
Të Premten e Madhe të Pashkëve të vitit 1967 qeveria komuniste e Tiranës i ngarkoi mbi shpinë Kishës katolike shqiptare Kryqin e Krishtit. Nisi kështu ngjitja në Kalvar, deri në kryqëzim e deri në ringjallje, në të tretën ditë. E gjatë kësaj ngjitjeje të mundimshme, pati edhe meshtarë si Atë Pjetër Meshkalla, jezuit e intelektual shqiptar, që morën guximin ta shpallnin haptas të vërtetën mbi diktaturën komuniste, anti-shqiptare, anti-demokratike, duke u bërë shembull për qëndrimin që duhet të mbajë çdo shqiptar përballë mashtrimit e gënjeshtrës qeveritare në çdo kohë.







All the contents on this site are copyrighted ©.