Papa Françesku: nuk ka vend në shërbesë për atë, që shpërdoron të miturit
Nuk ka vend në shërbesën meshtarke, për ata, që shpërdorojnë të miturit: e pohon me
forcë Papa në një Letër drejtuar kryetarëve të Konferencave ipeshkvnore dhe eprorëve
të Instituteve rregulltare e Shoqërive të jetës apostolike, në prag të takimit të
Komisionit Papnor për Mbrojtjen e të Miturve, që do të mblidhet nesër, për herë të
parë, në Vatikan. Komisioni u themelua nga vetë Françesku marsin e kaluar, me qëllim
që të ofrojë propozime e nisma për përmirësimin e normave dhe procedurave në mbrojtje
të të gjithë të miturve e të të rriturve të ligshtë. Në Komision, sipas dëshirës së
Papës, janë thirrur të bëjnë pjesë personalitete shumë të kualifikuara e të njohura
për angazhimin e tyre në këtë fushë. Papa kërkon të bëhet ç’është e mundur për
ta çrrënjosur nga Kisha plagën e shpërdorimeve. Kërkon që Kisha të mos i kursejë
përpjekjet për mbrojtjen e të miturve. Të verifikojë periodikisht respektimin e
normave. Të jetë e gatshme të takohet me viktimat. Të nxisë bashkëpunimin e
plotë dhe shkëmbimin e përvojës ndërmjet konferencave ipeshkvnore, eprorëve të Instituteve
rregulltare dhe Shoqërive të jetës apostolike, me Komisionin për mbrojtjen e të miturve.
Mbi të gjitha, Kisha është përpjekur e do të vijojë të përpiqet për t’i ndrequr
padrejtësitë e së kaluarës e për të qenë besnike ndaj detyrës së mbrojtjes të të miturve,
që Krishti i do aq shumë.