2015-02-05 14:02:25

Papa Françesku: Kisha duhet të jetë e varfër, Ungjilli nuk është teologji e mirëqenies


Kisha duhet ta kumtojë Ungjillin “në varfëri” e kush e kumton, duhet të ketë një qëllim të vetëm: të lehtësojë mjerimet e më të varfërve, pa harruar kurrë se ky shërbim është vepër e Shpirtit Shenjt e jo e forcave njerëzore. Ky është mendimi kryesor i homelisë, që Papa Françesku mbajti sot gjatë Meshës, kremtuar në Kapelën e Shtëpisë së Shën Martës, në Vatikan.
Të shërosh! Të ngresh përsëri në këmbë! Të çlirosh! Të dëbosh demonët! E pastaj të pranosh çiltërsisht: isha punëtor i thjeshtë i Mbretërisë së Hyjit”. Këtë duhet të bëjë e të thotë për vete, një shërbyes i Krishtit, kur shkon për të mjekuar të plagosurit e shumtë, që presin në shtigjet e Kishës “spital fushor”. Rikthehet, kështu, në këtë homeli, koncepti aq i dashur për Françeskun, diktuar nga fragmenti ungjillor i ditës, në të cilin Jezusi i nis dishepujt dy nga dy nëpër fshatra për të predikuar, për të shëruar të sëmurët e për të dëbuar “shpirtat e ndyrë”.

Shëroni plagët e zemrës
Vështrimin e Papës e tërheq mënyra si e përshkruan Jezusi stilin e të dërguarve të tij në gjirin e popullit: njerëz, që nuk kanë gjë mbas shpirtit: “Mos merrni as bukë, as trastë, as para në brez” u thotë atyre, e këtë ua thotë sepse Ungjilli, ngulmon Françesku, duhet kumtuar në varfëri, mbasi shëlbimi nuk është teologji e begatisë, e mirëqenies. Është vetëm “lajm i mirë” për çdo njeri të shtypur, e asgjë tjetër:
Ky është misioni i Kishës: Kishë, që shëron, që mjekon. Disa herë kam folur për Kishën, si për një spital fushor. Është e vërtetë: sa të plagosur ka, sa shumë! Sa njerëz kanë nevojë që t’i shërojnë plagët! Ky është misioni i Kishës: të shërojë plagët e zemrës, t’i hapë portat, të çlirojë, të thotë se ‘Zoti është i mirë’, se Zoti fal gjithkënd e gjithçka, se Hyji është atë, se Hyji është i butë, se Hyji pret gjithnjë…”.

Zell apostolik, jo angazhim OJQ-e
Të dredhosh nga thelbi i këtij kumtimi, do të thotë të rrezikosh, kujton përsëri Françesku, ta shtrëmbërosh misionin e Kishës, angazhimin e saj për të lehtësuar format e ndryshme të mjerimit, gjë që çon në zbrazjen e së vetmes gjë, që vlen me të vërtetë: t’u çosh Krishtin të varfërve, të verbërve, të burgosurve:
Është e vërtetë, ne duhet të marrim ndihma e të bëjmë organizata, që ndihmojnë në këtë drejtim: këtë, po, sepse Zoti prandaj na i jep dhuratat. Po kur harrojmë këtë mision, kur harrojmë varfërinë, harrojmë zellin apostolik, e mbështesim shpresën në këto mjete, Kisha dalngadalë shket nga rruga e saj e bëhet një OJQ, bëhet një organizatë e bukur: e fuqishme, por jo ungjillore. Sepse i mungon ai shpirt, ajo varfëri, ajo forcë, që është në gjendje të shërojë”

Dishepuj e punëtorë të Mbretërisë së Hyjit
Dishepujt kthehen të lumtur nga misioni i tyre e Papa kujtoi sesi Jezusi i merr me vete e i çon në një vend të qetë, ku mund të pushojnë sadopak. Gjithsesi, nënvizoi Papa:
… nuk u thotë atyre: ‘Po ju jeni të mëdhenj! Kur të delni rishtas, organizojini edhe më mirë gjërat…’. U thotë vetëm këtë: ‘Kur ta keni bërë gjithë atë, që duhej të bënit, thojini vetes: ‘Jemi shërbëtorë të panevojshëm, të kotë’. Ky është apostulli. E cili do të ishte lavdërimi më i bukur për një apostull? ‘Ishte punëtor i Mbretërisë së Hyjit’. Ky është lavdërimi më i madh, sepse shkon në rrugën e kumtimit të Jezusit: shkon të shërojë, të ruajë, të shpallë këtë lajm të mirë e këtë vit të hirit. Për të bërë që populli të rigjejë Atin, për të sjellë paqe në zemrat e njerëzve”.







All the contents on this site are copyrighted ©.