2015-02-05 15:15:13

Dita e lutjes kundër tregtisë së njerëzve, për të mos harruar


“Krim kundër njerëzimit”, “Një nga skllavëritë më të turpshme të shekullit XXI”, viktimë e së cilës janë miliona njerëz, shumica, gra e fëmijë.
Kështu e quan Papa Françesku tregtinë e njerëzve, duke e treguar me gisht e duke e shikuar luftën kundër saj si përparsi të papnisë. Prej këndej, më 8 shkurt do të nisë ‘një sulm’ kundër këtij turpi. Sulm simbolik, ky. Do kremtohet Dita e parë ndërkombëtare e lutjes, me temë: “Ndize një dritë kundër tregtisë së njerëzve”. Në këtë kremtim, që do të ketë dy çaste kryesore, më 6 e 8 shkurt, ftohen të marrin pjesë mbarë bashkësitë katolike të botës. Nuk është e rastit zgjedhja e datës së fundit. Më 8 shkurt Kisha kremton festën e Shën Jozefina Bakhitës, skllave sudaneze e liruar e, më pas, murgeshë kanosiane, shpallur shenjte në vitin 2000. Ndërsa të premten, në Bazilikën romake të Apostujve, do të organizohet një procesion me qirinj ndezur e do të kremtohet një lutje, në të cilën do të marrin pjesë tre kardinaj, drejtues të tre dikastereve të Vatikanit: kardinali João Braz de Aviz, Prefekt i Kongregatës për Institutet e Jetës Rregulltare dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike; kardinali Antonio Maria Veglio', kryetar i Këshillit të Baritorisë për emigratët e endacakët, kardinali Peter Kodwo Appiah Turkson, kryetar i Këshillit Papanor të Drejtësisë e Paqes.
“Krim kundër njerëzimit” e “realitet tragjik”, që vijon të thellohet, e quajti dje Selia e Shenjtë tregtinë e njerëzve, gjatë një konference për shtypin, në Vatikan.
Sipas të dhënave zyrtare të Organizatës Ndërkombëtare të Emigracionit (OIM), në vitin 2014 vetëm numri i grave nigeriane, që arrijnë në brigjet e Italisë, është rritur 335%. 1.454 në krahasim me 433 të vitit të mëparshëm, ndërsa numërohen 2,5 milionë njerëz, viktima të shitjes në “tregjet e skllevërve”. Vatikani denoncoi edhe rritjen e vazhdueshme të numrit të skllevërve të rinj, që vijojnë të zbresin në brigjet italiane. 70% e tyre, gra e të mitur. Shumë prej tyre pësojnë forma dhune nga më të padëgjuarat, që ua kalojnë edhe formave të skllavërisë, të cilën jemi mësuar ta quajmë klasike. Historia e njerëzimit na kujton se ka marrë fund prej kohe. Po realiteti flet ndryshe. Flet për gra e fëmijë, që shpërdorohen seksualisht, joshen me premtime të rreme për një jetë më të mirë, e pastaj nuk arrijnë as të paguajnë borxhet e marra për të shkelur në brigjet e premtuara, ku i pret krimi i krimeve! Njollë e turpshme në ballin e njerëzimit të sotëm, skllavërimi i njerëzve, shit-blerja e grave dhe e fëmijëve, në tregjet e turpit.
Qëllimi i Ditës kundër kësaj plage të hapur, është t’i ftojë të gjithë të luten e të reflektojnë kundër tregtisë njerëzore, nënvizoi, në konferencën e shtypit mbajtur për paraqitjen e nismës, motra Gabriella Bottani, koordinatore e “Talità kum”. Bakhita, në shtegtimin e saj mbi këtë tokë, kujtoi rregulltarja, që lufon në vijën e parë të frontit kundër tregtimit të grave, kaloi nga skllavëria, në liri. Kemi, pra, një grua të kushtuar, si mike në këtë udhë; e kjo na kujton sa rëndësi ka të jesh e të veprosh me Zotin, edhe kur është fjala për t’iu kundërvënë një fenomeni kaq të turpshëm e kriminal, siç është tregtia e njerëzve.







All the contents on this site are copyrighted ©.