2015-02-04 18:31:45

Shenjtorët e Javës


E diel 8 shkurt, Kisha katolike kremton të dielën e 5-të gjatë vitit liturgjik. Gjithnjë më 8 shkurt kalendari kujton shën Jeronim Emilianin dhe shën Jozefina Bakita.
Leximet e kësaj së diele flasin për vuajtjen në jetë: Jobi në dhimbjen e tij, i drejtohet Hyjit; Jezusi vepron si mjek i shpirtrave e trupave: Pali apostull pohon se ndan bashkë me vëllezërit e vuajtur ligështitë e tyre.
Të hënën më 9 shkurt, kalendari kujton shën Apolloninë e shën Maronin.
Ungjilli i kësaj dite na tërheq vëmendjen drejt faktit se edhe nëse gjërat e jashtme mund të na prishin, nuk duhet të harrojmë se problemi i vërtetë është brenda, në korruptimin e zemrës.

Të martën më 10 shkurt, kalendari kujton shën Skolastikën, virgjër, shën Silvanin dhe të Lumin Alojze Stepinac.
Ndërsa shumë ndjekës të Jezusit janë thjesht formalë e vërejnë edhe gjënë më të vogël që s’shkon, sjellja këmbëngulëse e gruas pagane shpreh karakteristikën thelbësore të fesë, që shpesh na mungon. Ungjilli i ditës, na fton pra të mos u japim tepër rëndësi rregullave e ligjeve, por zemrës së pastër.
Të mërkurën më 11 shkurt,
Kisha Katolike kremton festën e Zojës së Lurdës, Zoja e mrekullive dhe e shërimit të sëmundjeve. Më 11 shkurt kremtohet Dita e 23-të botërore e të sëmurit.
Leximet biblike na japin të kuptojmë se është i Lum e pra, i shëruar, është ai njeri të cilit i janë falur mëkatet. Vetëm Jezusi na liron, na bashkon e na shtyn t’i thurim lavde veprave të Zotit.
Të enjten më 12 shkurt,
kalendari kujton shenjtorët martirë të Abitenit dhe shën Benediktin e Anianit.
Leximet e ditës vënë në pah vëmendjen që i jepet Eukaristisë në predikimin e apostujve. Është një mrekulli, që zbulon mëshirën e Jezusit për ne dhe nevojën tonë për t’u ushqyer me bukën e jetës. Në këtë ditë, Radio Vatikanit feston përvjetorin e themelimit.
Të premten më 13 shkurt, kalendari kujton të Lumin Jordani i Saksonisë, meshtar dominikan.
Liturgjia na kujton porosinë e Krishtit: “Ruhuni nga tharmi i farizejve dhe i Herodit!”. E kjo do të thotë se njeriu i drejtë, larg çdo hipokrizie e servilizmi, nuk lakmon pasuri: i mjafton ‘Buka e Zotit’, që është vetë Jezu Krishti. Në historinë e Kishës të gjitha veprat e mëdha nisin nga përvujtëria e vogëlsia e njerëzve fare të papërfillur nga bota, por tepër të pëlqyer nga Zoti.
Të shtunën më 14 shkurt,
kalendari kujton Shën Çirilin, murg e Shën Metodin, ipeshkëv, Pajtorë të Evropës si dhe Shën Valentinin, ipeshkëv e martir.
Shembulli i jetës së tyre na kujtojnë se mbarë kufijtë e tokës do të shohin shëlbimin që vjen nga Zoti përmes nxënësve të tij, të cilët në rrjedhë shekujsh venë në jetë porosinë e Krishtit: “Shkoni në mbarë botën e predikoni Ungjillin!”. E Pajtorët e Evropës, që Kisha do t’i kremtojë më 14 shkurt, qenë pionierë të inkulturimit, përmes të cilit krijohen kushtet që feja në Hyjin të rrënjoset në çdo kulturë.
Të dielën e ardhshme më 15 shkurt,
Kisha do të kremtojë të dielën e 6-të gjatë vitit e gjithnjë më 15 shkurt kalendari kujton Shën Onezimin, nxënësin e Shën Palit, dhe Shën Faustinin e Shën Gjovitën, martirë.
Këta na kujtojnë se mbarë popujt e tokës do t’i shërbejnë Zotit, por edhe se nuk është aspak e lehtë të ecësh gjithnjë në dritën e Atij të Lumit. Na e vërteton Shën Pjetrit, i cili ishte tepër i kënaqur që mundi të shpallë se Jezusi ishte Krishti, në sa nuk donte ta pranonte se vullneti i Zotit ishte që Biri i njeriut të vuante e të vdiste në kryq.







All the contents on this site are copyrighted ©.