2015-02-04 12:30:40

Irak: Kisha kaldease drejt një Sinodi të vështirë


Më 6 shkurtin e ardhshëm do të kremtohet, në Bagdad, shugurimi i dy ipeshkvijve të Kishës kaldease: Imzot Emanuel Hana Shaleta, ipeshkëv i dioqezës kanadeze të Shën Addai dhe imzot Basel Yaldo, që do të zërë vendin e mëkëmbësit patriarkal të Bagdadit, imzot Jacques Isaac, i cili vitin e kaluar mbushi moshën 75 vjeç.
Çështja e meshtarëve të transeferuar pa leje në dioqezat e sigurta perëndimore
Një ditë më pas do të mbahet Sinodi i jashtëzakonshëm, me një program problematik, me shumë pika. Ndërmjet tyre, vendimi i marrë nga Sinodi kaldeas i vitit 2013 për grupin e meshtarëve dhe të murgjërve që, gjatë viteve të fundit, u larguan nga dioqezat e nga shtëpitë rregulltare në Irak, pa lejen e domosdoshme të eprorëve e u transferuan në SHBA dhe në vende të tjera perëndimore, për të kryer shërbesën pranë dioqezave ‘më të sigurta’ të diasporës kaledease.
Masat kanonike disiplinore
Tetorin e kaluar patriarku Louis Raphael Sako pati botuar një dekret, përmes të cilit i urdhëronte të larguarit të riktheheshin menjëherë në atdhe ose të merreshin vesh me ipeshkvijtë a eprorët e bashkësive për rregullimin e transferimit të tyre. Nëse ky urdhër nuk do të zbatohej, do të merreshin masa kanonike disiplinore, si pezullimi nga shërbesa meshtarake dhe anulimi i çdo forme shpërblimi. Por deri më sot, në shumicën e rasteve, porositë e patriarkut nuk janë marrë parasysh.
Kisha kaledase ka nevojë për meshtarë të aftë e besnikë
Në një intervistë dhënë Baghdadhope, patriarku Sako shpjegon se murgjit duhet të rikthehen në manastire e të rifillojnë jetën murgare të lutjes të reflektimit, për të cilën kanë bërë kushtet. Nuk mund të konceptohet që ata të shërbejnë si priftërinj dioqezanë. Rikthimi i tyre duhet vlerësuar një për një, sepse, deklaron patriarku Sako, “Kisha ka nevojë për meshtarë të aftë e besnikë, e kush nuk është i tillë, më mirë të largohet me dëshirën e tij”.
Kush ikën, u mohon besimtarëve irakianë ngushëllimin moral e shpirtëror
“Aktualisht, nënvizon në intervistë Patriaku Sako, në Irak jetojnë 400 mijë të krishterë, nga të cilët, më shumë se gjysma, kaldeas. E këta të fundit janë nën kujdesin shpirtëror të 75 priftërinjve dioqezanë e të 15 murgjërve. Besimtarët jetojnë një realitet të ngarkuar me shqetësime e vuajtje, që vitet e fundit janë bërë edhe më të padurueshme. Kanë, prandaj, nevojë për të gjitha forcat e Kishës. Një prift a një murg që ikën, jo vetëm jep shembull të keq, por u mohon besimtarëve, në atdhe, atë ngushëllim moral e shpirtëror, që sot është më i nevojshëm se kurrë.







All the contents on this site are copyrighted ©.