2015-02-04 18:59:59

Imzot Gjergji: pajtimi me Zotin për të shpresuar. Shënohet 2.vjetori Radio Marisë në Kosovë


Kisha Katolike në Kosovë, kremtoi Paraqitjen e Krishtit Zot në Tempull nga Maria dhe Jozefi, përkatësisht kushtimin e Tij për njerëzimin. Në Katedralen katolike ‘Nënë Tereza’ në Prishtinë më 2 shkurtin e kaluar u kremtua Mesha solemne e udhëhequr nga ipeshkvi i Kosovës imzot Dodë Gjergji, në bashkëmeshim me meshtarë tjerë. Gëzimi ishte i dyfishtë sepse në këtë Festë të Dritës, u kremtua edhe dy vjetori i themelimit të Radio Marisë në Kosovë, që përcjell mesazhe frymëzimi nga vlerat shpirtërore e morale të Ungjillit dhe të mësimeve të Kishës Katolike. “Në këtë festë të kushtimit të Krishtit, në përvjetorin e dytë të Radio Marisë dëshiroj nga zemra të falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë në realizimin e programit të Radio Marisë në Kosovë që ka bashkëpunim të ngushtë me atë në Shqipëri, sepse Radio Maria, veçantë përmes valëve të saj, përçon zërin e Zotit dhe mesazhin e Ungjillit te shumë njerëz”. Kështu tha imzot Dodë Gjergji, i cili në vazhdim të fjalës predikuse, foli gjatë për historinë Ungjillore të paraqitjes se Krishtit Zot në Tempull dhe rëndësinë që ka sot në ditët tona. Ndërsa duke bërë një ndërlidhje të kësaj feste me aktualitetin e dhimbshëm në vend, Imzot Gjergji tha se gjithherë është i nevojshëm pajtimi me Zotin për të mos humbur kurrë shpresa njerëzore. Ai bëri thirrje për lutje që gjërat të ndryshojnë për së mbari në Kosovë.
Presidentja e Radio Marisë, Greta Kaçinari, pasi bëri një përmbledhje të punës se suksesshme dy vjeçare të kësaj radioje dhe të veçantat e saj, tha se fara e Radio Marisë në trojet shqiptare u mboll para 15 vjetësh, fillimisht në Shqipëri, e para dy vjetësh edhe këtu në Kosovë. ‘Këtë farë gëzimi e ujitëm me përkushtim i gjithë stafi i cili punon pa u lodhur vullnetarisht për të përçuar zërin e besimit, dashurisë, paqes dhe lutjet në shtëpitë tona’, tha Greta. Ndërsa don Jeton Thaçi, drejtor i Radio Marisë tha se, falënderoj të madhin Zot për të gjitha të mirat që ia dhuron kishës, përfshirë edhe radion me zërin e saj rrezatues. ‘Dua me këtë rast të përshëndes stafin dhe bashkëpunëtorët e radios, priftërinj, profesorë, mjekë, artistë, muzicientë, arkeologë, historianë, gazetarë etj, të cilët në mënyra të ndryshme kontribuojnë për Radio Marinë dhe iu dëshirojë shpërblimin e Zotit, veçantë për bamirësitë që ndihmojnë në aspektin financiar’, vlerësoi don Jetoni.
Në fund të meshës, ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji dha bekimin e kësaj feste të veçantë, e më pas festa vazhdoi me një koktej rasti në Rezidencën e ipeshkvit.







All the contents on this site are copyrighted ©.