2015-02-04 19:05:21

Festa e Dom Boskos në Prishtinë në 200 vjetorin e lindjes


Si kudo në botën e krishterë, edhe në Kosovë, Bashkësia Saleziane kremtoi festën e themeluesit të tyre, Shën Gjon Bosko, në kuadër të jubileut rrezatues, 200 vjetorit të lindjes këtij shenjti të jashtëzakonshëm. Me atmosfere të mrekullueshme kanë kremtuar edhe nxënës e mësimdhënës të Qendrës Edukative Sociale me programe të ndryshme artistike që nga fëmijët e ciklit të ulët, e deri të më i larti, të cilët ditë më pare kanë zhvilluar edhe tryeza me tema të ndryshme dhe gara të tjera. Në programin e shkollës kanë marrë pjesë prindërit e nxënësve, struktura të ndryshme qeveritare e komunale dhe përfaqësues të Amabsadës Italinae në Kosovë.
Dom Izidor Llukiq, drejtor i Qendrës Dom Bosko duke ju drejtuar numrit të madh të pjesëmarrësve në Sallën e Sporteve tha: ‘Ne Salezianet së bashku me laikët dhe bashkëpunëtorët, jemi një skuadër e koordinuar mirë, e të jesh një skuadër e mirë është një vendim, një kompaktësi, jo unë ose ti por neve, ky është sekreti i harmonisë së jetës. Dom Bosko i ka dhënë jetë një skuadre, e që të jesh një skuadër duhet ta kemi të qartë një pikarritje që askush i vetëm nuk mund ta arrijë. Ne jemi një skuadër që punojmë bashkë, që po jep rezultate të mira. E, ky frymëzim e kjo punë në qendrën tone po hetohet çdo ditë, na bënë më të mire dhe më të forte, të përgjegjshëm dhe na jep shpresë për të punuar edhe më shumë në të ardhmen, për të mirën e të rinjve tanë’, tha Dom Izidori duke vlerësuar se raportet e mira në familje, disiplina, rregulli dhe respekti i ndërsjellë pamarr parasysh përkatësitë fetare apo etnike dhe përkushtimi i çdo anëtari të Dom Boskos është çelësi i suksesit tone.
E kremtja ka kulmuar të premten mbrëma, me meshën solemne të celebruar nga Imzot Zef Gashi, arqipeshkëv i Tivarit, në bashkëmeshim me Imzot Dodë Gjergjin dhe një numër meshtarësh. Pasi foli gjatë për jetën dhe veprën e Shën Gjon Boskos, Imzot Gashi theksoi se, kjo është një ditë e madhe në rend të pare për Salezianët e për bijtë e bijat shpirtërore të këtij Shenjti, i cili la gjurmë jo vetëm në kishë, por edhe me strategjinë e tij edukative. ‘Don Bosko, i deshi me shpirt fëmijët dhe të rinjtë, dhe si moto e tij ishte: ‘Mjafton të jeni të rinj dhe unë t’ju dua’’, tha imzot Gashi duke shtuar se metodologjia Ungjillore që ai e zbatoi ishte shoqërimi e afërsia me fëmijë e të rinj duke u bërë urëlidhës me familjet e tyre për ti sjell ata më afër Zotit e kishës, përfshirë edhe shkollimin, arsimimin dhe qytetërimin e tyre. ’Jeta e tij me Zotin ishte themeli dhe materiali ndërtues i terë Apostollatit të tij të mrekullueshëm gjatë kohës sa jetoi, por mbi te gjitha Shën Gjon Bosko ishte dëshmitar autentik i Krishtit, e dhashtë Zoti që ndërmjetësimi i tij të na ndihmojë të gjithëve, tha veç tjerash Imzot Zef Gashi, duke i përgëzuar Selezianet në Kosovë për Festën e tyre të madhe të Shën Gjon Boskos. E kujtojmë se festa e Dom Boskos është kremtuar edhe në qytetin e Gjilanit.







All the contents on this site are copyrighted ©.