Abati i madh i Mirditës Imzot Preng Doçi në përvjetorin e lindjes.
Sot më 2 shkurt kujtojmë përvjetorin e lindjes së Abatit të Oroshit të Mirditës,
imzot Preng Doçin. Abati i madh imzot Preng Doçi lindi më 8 shkurt të vitit 1846
në fshatin Bulgër . U shkollua në Shkodër e në Romë. Më 25 tetor të vitit 1888,
Papa Leoni XIII me dekretin “Supra montim Mirditarum” e rimëkëmbë Abacinë e Oroshit
në Mirditë dhe për Abat emëron imzot Preng Doçin. Përtëritja e kësaj Abacie Kishtare
e sidomos ardhja e imzot Preng Doçit, ndikuan shumë në jetën fetare, kulturore dhe
politike të Mirditës e të mbarë Vendit e kombit shqiptar. Në fushën e jetës
fetare kishtare, imzot Doçi punoi shumë për përhapjen e Ungjillit, për përforcimin
e vetëdijes kombëtare e fetare të shqiptarëve dhe për pjesëmarrjen e besimtarëve në
Sakramente. Po kështu imzot Doçi derisa punonte për kultivimin e vlerave shpirtërore
e kombëtare, në anën tjetër luftonte për dukuritë e këqija që ekzistonin ndër shqiptarë,
si vrasjet, hakmarrjen, konkubinatin (martesat joligjore), e dukuritë tjera që pengonin
përparimin e rritjen e vlerave tek populli. Në fushën e jetës kulturor,
imzot Preng Doçi në vitin 1899 themeloi shoqërinë letrare “Bashkimi” me qëllim të
zgjidhjes së çështjes së alfabetit në bazë të shkronjave latine dhe për përhapjen
e shkollave e botimin e librave në gjuhën shqipe, që asokohe ishin pak e shumë të
luftuara nga armiqtë e popullit shqiptar, sidomos turqit. Ishte kjo një nevojë e madhe
e për imzot Doçin qe një program për Rilindjen Kombëtare, për t’i dhënë një hov të
ri me shkolla e dije Shqipërisë e nè mënyrë të posaçme zonës së Mirditës. Nga ato
pak vepra që kemi, flasin qartë për ndjenjat e forta njerëzore, fetare, atdhetare
e kulturën e gjerë që kishte Abati i Oroshit. Një nga veprat e tij është edhe “Shqipëria
nën zgjedhën turke”, dhe “Shqipëria në robni”. Në fushën e jetës
kombëtare politike, imzot Preng Doçi dha një kontribut të jashtëzakonshëm, e bashkoi
Mirditën dhe i dha një njësi të vetme. Në “relacionin e tij mbi gjendjen e Abacisë
së Shën Llezhdrit të Mirditës”, imzot Doçi mes tjerash shkruan se Mirdita është
“si një shtet i vogël autonom” popullsia e së cilës është krenare për lirinë e
vet. Për këtë arsye Mirdita duhet të jetë një nukleus - qelizë e një shteti shqiptar.
Kjo ëndërr e tij qe kohëshkurtër, sepse turqit e shuan kryengritjen e mirditorëve
të cilën e organizoi ai. Për këtë arsye turqit e internuan në Stamboll, nga ku
me ndërmjetësimin e kardinali armen Azarian lirohet dhe shkon në Romë, ku Selia e
Shenjtë e dërgon me misionin diplomatik në SHBA e vende tjera, derisa me ndërmjetësimin
e kardinajve të Vatikanit Aliardi e Jakobini, më 1888 u kthye në Shqipëri si Abat
i Mirditës. Më 1911 - 1912 udhëhoqi kryengritjen e Mirditës kundër osmanllinjëve.
Pa e prekur kurrë misionin e tij fetar, nën ndikimin e zgjimit kombëtar të popullit
dhe të ngjarjeve të mëdha politike të kohës, ai u bë një nga paraardhësit e letërsisë
së Rilindjes në Shqipëri. Dy nga poezitë më të rëndësishme të tij janë "Një
kushtrim shqiptarëve" dhe "Shqipnia nën zgjedhën turke",
shprehin shqetësimin, dhimbjen për gjendjen e mjeruar të popullit shqiptar, të vendit
dhe krenarinë e Abatit Doçi për të kaluarën. Duke gjykuar me mprehtësi situatën politike,
nuk mungon të bëjë edhe thirrje të zjarrta për luftë kundër turkut pushtues: N'qafë
ma zgjedhën kush e bán? Kambëve prangat lidhë na i kanë, Osmanllia
edhe na shán, Na pin gjakun, mishtë na e han. Shqyptár trima,
zgjedhën lshoni Kputni prangat e luftoni! Abati i madh i Mirditës
hyri në histori si meshtar i zellshëm, atdhetar i flaktë, mbrojtës i popullit e vendit,
si poet, studiues e prijës trim. Ndërroi jetë më 22 shkurt të vitit 1917. Së bashku
me imzot Gaspër Krasniqin nga Kosova, imzot Preng Doçi u angazhua me mish e shpirt
në luftën kundër pushtimit të turqve dhe për përparimin kulturor e të gjithanshëm
të popullit shqiptar e Vendit.